Si shkak i themelimit të Fondit Sovran, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) synon shuarjen e saj deri në dhjetor të vitit 2024.
Kështu ka bërë të ditur zëvendëskryesuesja e Bordit të AKP-së, Syzana Dautaj-Surdulli, duke thënë se AKP-ja veçse ka filluar përpilimin e listave të aseteve që do të barten te Fondi Sovran.
Të martën, anëtarë të Bordit dhe Menaxhmenti i AKP-së raportuan para Komisionit për Ekonomi në lidhje me raportin e vitit 2022 për këtë agjenci.
“Kemi bo një listë të aseteve që kanë vlerë të madhe, të cilat nëse barten do të jenë asete që do të përdoren më shumë ekonomikisht. I kemi marrë edhe tokat bujqësore që janë mbi 10 hektarë. Listën e aseteve e kemi përpiluar me të gjitha të dhënat. Me që Fondi Sovran është ende projektligj, ne jemi në pritje të një takimi me Fondin Sovran” – tha Dautaj Surdulli.
Tutje, ajo tha se gjatë vitit 2022 Agjencia nuk ka bërë asnjë shitje me negociim direkt, ndërsa shuma e paraqitur në raport ka qenë nga vitet e kaluara, raporton Kallxo.com.
“79 asete kemi hequr dorë, të cilat kanë qenë rrugë publike, varreza, përmendore e asete të vogla.
Gjatë vitit 2022 i kemi 54 raste të qeradhënieve të paguesve të parregullt, që i kemi dërguar në përmbarim. Jemi marrë me të gjitha rastet që nuk janë kryer pagesat” – ka bërë të ditur zv/kryesuesja Dautaj-Surdulli.
Drejtori menaxhues i AKP, Arben Limani, u pyet nga anëtarët e Komisionit edhe për një rast ku AKP-ja e ka humbur në aribtrazh ndaj kompanisë ‘Sharrcem.’
Drejtori Limani tha se AKP-ja ka qenë palë kontraktuale dhe sipas tij, kontrata kishte paraparë që Sharrcemi të investojë një shumë të caktuar, sipas planit të biznesit.
Sipas Limanit, interpretimi i AKP ka qenë që ‘Sharrcem’- është dashur që të investojë brenda territorit të Kosovës, ndërsa interpretimi i ‘Sharrcem’-it, sipas tij, që plani i investimeve nuk e ka paraparë një gjë të tillë.
“Interpretimi i Sharrcemit ka qenë që plani i investimeve nuk e ka paraparë një gjë të tillë dhe ata kanë investu në disa asete në Maqedoni dhe investimet janë sipas një plani investiv që nuk ka qenë pjesë e kontratës, por ka qenë pjesë që e kanë prezantu para se mu nënshkru kontrata”, ka thënë Limani para deputetëve.
“Sharrcemi në bazë të kontratës, ka ngritur arbitrazh ndaj AKP-së.
Në këtë arbitrazh janë diskutu për disa vjet të gjitha argumentet, janë shterë të gjitha diskutimet. Vendimi i arbitrazhit është që investimet që i ka bo e kalojnë shumën e investimeve të kërkuara prej më duket 31 milionë euro dhe nuk ka asnjë kërkesë të lejueshme të AKP-së”.
Sipas Limanit, AKP-ja është konsultuar me përfaqësuesin juridik dhe ka marrë një opinion që të mos e apelojë vendimin e arbitrazhit, pasi sipas tij, gjasat ishin shumë të vogla që të fitohet rasti./Media Ndërtimi.