Aktuale
Pacolli parasheh zhvendosjen e kampusit të UP-së, ky është plani në vend të aktualit
Zhvendosja e Universitetit të Prishtinës në lagjen Mat, në afërsi të Pallatit të Drejtësisë në sipërfaqe prej 42 hektarësh është synim i kandidatit të AKR-së për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli.
Në prezantimin e tij të planit për Prishtinën, Pacolli bëri të ditur se parasheh zhvendosjen e kampusit universitar për t’iu ofruar studentëve një kampus atraktiv dhe me të gjitha standardet.
Pretendenti për kryetar të Prishtinës nga AKR, theksoi se ndërtimi i këtij kampusi të ri universitar do të kushtonte 143 milionë euro, por që ky projekt do të realizohet pa prekur buxhetin e komunës.
“Pretendojmë që Universiteti i Prishtinës ose kampusi universitar të jetë atraktiv për studentët rajonal dhe më gjerë dhe këtu ne kemi paraparë që me 200 mijë metër katrorë të ju ofrojmë studentëve të Prishtinës kushtet më komode, më të mira të mundshme. Si dhe të gjitha qendrat e tjera rekreative dhe sportive ti kenë në kampusin e tyre universitar”, tha ai.
Ndërsa, në pjesën ku aktualisht është kampusi i Universitetit të Prishtinës tha se do ta shndërrojnë në qendër të qytetit.
Në këtë pjesë, sipas tij do të përfshihet Biblioteka Kombëtare, objektin e pa përfunduar të Kishës Ortodokse, si dhe në këtë pjesë do të ndërtohet objekti i kultit mysliman.
“Kjo pjesë të shndërrohet në qendrën e qytetit të Prishtinës dhe si e tillë ne pretendojmë që nga kjo hapësirë buxheti i Prishtinës do të duhej të kalonte më se 400 milion euro dhe jo një buxhet i vogël. Komercializimi i kësaj zone është më se e nevojshme dhe sigurisht që do të jetë një pjesë atraktive e qytetit e cila do të ja kishte zili secili qytet metropolitan. Ne kemi paraparë një qendër të madhe koncertale e cila parashihet në një pjesë të saj, kjo është qendra më e mirë e cila do të ju dedikohet artistëve të Prishtinës”, tha kandidati për Prishtinën.
Pacolli, tha se kanë paraparë edhe ndërtimin e Stadiumit të Qytetit, i cili sipas tij do të fillojë dhe do të përfundoj në vitin e parë të mandatit të tij si kryetar i Prishtinës.
“Për të rinjtë e qytetit tonë kemi paraparë edhe një alternativë tjetër që është stadiumi i Prishtinës. Stadiumi i Prishtinës është sepse ndërtohet në Prishtinë, mirëpo ky stadium është i paraparë për gara kombëtare dhe ndërkombëtare të cilat edhe kombëtarja jonë e futbollit do ti zhvilloj garat e veta këtu. Në afat maksimal, në afat 36 muajsh dhe jo të shkojmë të shohim ndeshjen në Shkodër, por ato duhet të luhen këtu në vendin tonë dhe sigurisht me tifozët e vetë”, tha ai.
Po ashtu, Pacolli tha se kanë paraparë ndërtimin parkingjeve me më shumë se 6 mijë vende, ku ai tha se ai parking do të krijonte të hyra ditore në vlerë prej 50 mijë eurosh