E vlerësuar si një nga rrugët më të shtrenjta në botë, 41 kilometrat e para që u hapën në korrik të vitit 2022, përshkojnë malet e larta të Malit të Zi dhe grykat e tij të thella. Rreth 60 për qind e autostradës përbëhet vetëm nga tunele dhe ura dhe ofron një alternativë ndaj rrugëve malore të mbipopulluara në vendin e vogël ballkanik me 620.000 banorë.
Sipas planit origjinal fillestar të nënshkruar në vitin 2014, parashihej që 41 kilometrat e para – që u financuan nga një kredi nga Banka e Eksport-Importit të Kinës dhe u ndërtuan nga Korporata e Rrugëve dhe Urave të Kinës (CRBC) – do të ishin pjesë e një autostrade 163 kilometërshe që do të lidhte qytetin port malazez të Tivarit me Serbinë fqinje, raporton Radio Evropa e Lirë.
Projekti u tha që do të transformonte vendin në një qendër transporti për rajonin dhe do të forconte aktivitetin ekonomik.
Por, autostrada e gjeti veten të njollosur në skandal dhe ende përballet me pyetje të vazhdueshme nëse 122 kilometrat e mbetura të rrugës do të përfundojnë ndonjëherë.
Ky projekt ka sjellë, gjithashtu, rrezik ekonomik afatgjatë duke e ngarkuar Malin e Zi me borxhe ndaj Kinës, që kapin më shumë se një të tretën e buxhetit vjetor të shtetit.
Pavarësisht kësaj, sondazhet kanë treguar se vetëm një pakicë në Mal të Zi e sheh Kinën ose rrezikun financiar nga financimi i autostradës si shqetësim, me shumë njerëz që shpresojnë se kjo do t’i japë nxitje ekonomike vendit.
Dyshimet për autostradën
Ky projekt nisi në vitin 2013 nga udhëheqësi kinez, Xi Jinping, dhe kredia u mor nga qeveria e mëparshme e udhëhequr nga presidenti aktual, Milo Gjukanoviq.
Për shkak se Podgorica nuk u mbrojt nga luhatjet e monedhës dhe nuk arriti të kthehet në planin e saj origjinal, kostoja e projektit vazhdoi të rritej gjatë viteve, duke çuar në problemin aktual të borxhit prej 1 miliard dollarësh.
Projekti ishte, gjithashtu, i diskutueshëm që në fillim midis grupeve lokale të shoqërisë civile dhe opozitës së vendit.
Rrjeti për Afirmimin e Sektorit Jo-qeveritar (MANS), një organizatë mbikëqyrëse e Ballkanit, ka ngritur shqetësime për korrupsionin dhe transparencën mbi mënyrën se si u shpërndanë kontratat e ndërtimit te kinezët dhe kompanitë lokale.
Pyetjet rreth kostos totale dhe se si projekti do të gjeneronte të ardhura, e kanë shoqëruar gjithashtu projektin për autostradën që nga konceptimi i saj. Nën një qeveri të re në vitin 2021, Ministria e Investimeve Kapitale e Malit të Zi publikoi dy studime ndërkombëtare të fizibilitetit, më parë konfidenciale, të cilat sugjerojnë se kostoja e vlerësuar e fazës së parë të autostradës ishte shumë e ekzagjeruar. Njëri nga këto studime, i përpiluar nga kompania britanike, Scott Wilson Group, tha se ndërtimi do të kushtonte 570 milionë dollarë, pak më shumë se gjysma e kostos aktuale.
Ky borxh i lindur nga autostrada e solli gjithashtu Podgoricën buzë kolapsit.
Shqetësimet mjedisore pasuan, po ashtu, ndërtimin e autostradës. Kompania kineze u akuzua për dëmtimin e pjesëve të bregut të lumit Tara, i mbrojtur nga UNESCO. Agjencia e Mbrojtjes së Natyrës dhe Mjedisit e Malit të Zi (NEPA) tha se ky shqetësim i tyre ishte shpërfillur nga ndërtuesit.
Kjo listë e shqetësimeve duket se do ta ndjekë autostradën edhe tani që është e hapur.
Derisa shumë vendas përgjatë rrugës thonë se autostrada ishte e ngarkuar gjatë verës, gati gjashtë muaj pas trafiku duket të jetë i paktë. Shumë tabela nëpër këtë autostradë që reklamojnë dyqane e biznese, thonë se kërkesa është më e ulët se sa pritej.
Vetë autostrada është e ndarë në tri seksione dhe Qeveria aktuale ka thënë se shpreson ta përfundojë ndërtimin e gjatësisë së plotë të autostradës dhe thuhet se po eksploron opsionet e financimit me huadhënësit evropianë.
Një vlerësim i vitit të kaluar nga Ministria e Investimeve Kapitale tha se seksioni i dytë i rrugës me gjatësi 23.5 kilometra, i cili do të shkonte nga Matesheva në Andrijevica në lindje të Malit të Zi, do të kushtonte rreth 590 milionë dollarë.
Vladimir Shopov, një ekspert për rolin e Kinës në Ballkan në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, thotë se si Podgorica, ashtu edhe Kina, do të kërkojnë të mbajnë një distancë nga njëra-tjetra në të ardhmen e afërt pas viteve të skandalit.
Shumë pyetje mbeten ende nga kjo periudhë. Marrëveshja për hua e vitit 2014 me Bankën e Eksport-Importit të Kinës, është bërë publike, por pothuajse të gjitha dokumentet e tjera në lidhje me autostradën janë klasifikuar si sekrete nga Podgorica, gjë që shumë ekspertë besojnë se është për shkak të klauzolave detyruese në kontratat kineze.
Përderisa kjo ngre implikime të mëtejshme potencialisht shqetësuese për Malin e Zi nëse do të përballet sërish me tendosje ekonomike në të ardhmen, Shopov thotë se ai nuk përjashton infrastrukturën e re ose investimet nga Kina në Mal të Zi.
Supozohet se Mali i Zi u bë shteti i parë europian që ra në kurthin e investimeve kineze. Është fjala për projektin e autostradës që nis nga Tivari deri në Boljare në kufi me Serbinë, në kuadër të iniciativës kineze “Një shteg, një rrugë”, për ndërtimin e së cilës pushteti në Podgoricë ka marrë kredi prej afro një miliard dollarësh nga banka shtetërore kineze të cilën tani nuk është në gjendje ta shlyejë./Media Ndërtimi.