Aktuale
Ky është ndikimi i TAP në zhvillimin e ekonomisë
Pas largimit të menaxherit të përgjithshëm të TAP në Shqipëri, detyrën po e mbulon për momentin Ulrike Andres, e cila është njëkohësisht edhe drejtoreshë e çështjeve komerciale dhe të jashtme pranë konsorciumit që po ndërton gazsjellësin.
Duke folur për herë të parë pas marrjes së detyrës së përkohshme, Andres ka shpjeguar se si TAP do të nxisë më tej rritjen e zhvillimin e Shqipërisë.
“TAP do të kontribuojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në produktin e brendshëm bruto të Shqipërisë, si një taksapagues i konsiderueshëm dhe duke investuar në projekte sociale dhe mjedisore që do të përmirësojnë shumë jetë njerëzish”, ka thënë Andres për Emerging Europe.
Konsorciumi ka njoftuar se do të investojë 800 milionë euro në Shqipëri për periudhën 2017-2018, çka përbën investimin më të madh të huaj direkt në vend. Krahas 2800 njerëzve të punësuar tashmë në projekt, fazat e punimeve që vijojnë do të krijojnë mundësi të reja pune për shumë kompani shqiptare.
“Si rrjedhorë e ndërtimit të TAP, pritet që rëndësia rajonale dhe gjeostrategjike e Shqipërisë të rritet. Kjo do të kontribuojë në integrimin tregtar dhe fizik të vendit në Europë. Gjithashtu, shumë biznese lokale tashmë janë përfshirë në projekt dhe mundësitë do të rriten gjatë fazave të tjera të projektit”, shtoi Andres.
Me dërgimin e parë të gazit të planifikuar në vitin 2020, TAP do të nxisë kërkesën e brendshme për investime në energji dhe prodhim.
“TAP do të ndihmojë të vendosë temelet për diversifikimin e sektorit shqiptar të energjisë dhe potencialin për transformimin e këtij sektori në një portë rajonale të gazit natyror. Shqipëria do të mund të rrisë rrjetin e gazit natyror dhe bashkë me partnerët strategjikë do të zhvillojë oferta tregtare, nga të cilat konsumatorët në vendet e tjera europiane po përfitojnë tashmë”, u shpreh menaxherja zëvendësuese e TAP në Shqipëri.
Ulrike Andres u shpreh gjithashtu se Shqipëria do të mund të luajë një rol kyç në gazifikimin e Europës Juglindore, duke i lejuar vendet e tjera të rajonit të lidhen me rezervat e gazit natyror.
Andres u emërua në postin e drejtoreshës së çështjeve tregtare dhe të jashtme në Shtator të vitit 2016. Më parë ajo ka shërbyer si presidente për Transalpine Pipeline Gorup, kompaninë më të madhe në Europë të transportimit të naftës bruto nga Trieste në tetë rafineri europiane. Përpara këtij angazhimi, ajo ka mbajtur pozita drejtuese edhe në kompani si Shell, SHV Holdings, Primagaz Austria dhe ka shërbyer si presidente e Shoqatës Europiane të LPG mes vitit 2009 dhe 2011.