Autostrada Prishtinë- Gjilan, një projekt i infrastrukturës rrugore, i cili që në nismë të tij, kishte shkaktuar goxha divergjenca dhe polemika, sidomos rreth pikënisjes së tij, është vonuar shumë së finalizuari në krahasim me afatet e caktuara fillimisht dhe po vazhdon të vonohet akoma sot e kësaj dite. Tashmë, në bazë të deklaratave të zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, kjo autostradë nuk do të përfundojë sivjet, më 2023 pra, siç u kumtua jo njëherë, por mbase në vitin 2024, sado që edhe për këtë afat nuk ka asgjë të sigurtë.
Akoma, edhe nga zyrtarët e Qeverisë aktuale, nuk ka transparencë të mjaftueshme rreth punëve të zhvilluara dhe të atyre të mbetura, kostos së ndërtimit, tejkalimit evident të çmimit fillestar të kontraktuar dhe shumë zhvillimeve të tjera rreth ndërtimit të kësaj autostrade, që shumëkush janë të prirur ta quajnë me emërtimin Autostrada Lipjan-Gjilan, për shkak të pikënisjes shumë të largët nga kryeqyteti.
Zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), kohë më parë, kishin thënë për Buletinin Ekonomik se punimet janë duke u zhvilluar në segmentet e rrugës Banullë-Bresalc në gjatësi 22.37 kilometrash dhe aktualisht është duke u punuar në gërmime, mbushje, punimin e strukturave të betonit, largimin e ujërave nga rruga, sigurimi i skarpateve dhe mureve mbrojtëse me beton dhe gabione.
Në pyetjen e Buletinit Ekonomik se sa kilometra të kësaj autostrade janë ndërtuar qëkur nisi së ndërtuari kjo autorrugë, dhe sa kanë mbetur ende të ndërtohen, zyrtarët e MMPHI-së pa saktësuar shumë, kishin thënë se “në segmentin e projektuar të autoudhës së gjatë 47 kilometra janë kontraktuar 22.37 kilometra. Në këtë pjesë të kontraktuar janë duke u zhvilluar punime në të gjitha (8) lotet e kontraktuara, në disa pjesë janë punuar edhe asfaltuar segmente të caktuara”.
Ndërsa, për vonesat goxha të mëdha të respektimit të afateve të deritashme të ndërtimit të autoudhës Prishtinë-Gjilan, në MMPHI fajin ua vënë pengesave rreth shpronësimeve, gabimeve në projektin kryesor dhe mos pagesave të pronave me kohë si dhe buxhetit të mangët ndër vite për këtë projekt. Lidhur me ngecjen e projekteve infrastrukturore, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, para Komisionit për Mjedis, vjet kishte deklaruar se “në këtë ka ndikuar edhe rritja e madhe e çmimeve, por edhe aspekti i shpronësimeve dhe vetë projektet”.
Aliu madje tha se për këto projekte kanë ndarë më së shumti buxhet me qëllim që në vitin e ardhshëm të përfundohen.
“Është një dukuri e përgjithshme e ngecjeve në realizim të punimeve gjë që faktori kryesor është rritja e çmimeve prej karburanteve e ndërtimeve e me radhë, ka ndikuar që të ketë ngecje që është situatë e përgjithshme mbase në të gjithë. Ka edhe faktorë të tjerë, kemi të bëjmë me projekte që janë, ta zëmë 4 projekte të rëndësishme që janë në ministri e që janë shndërruar në prioritetin kryesor për të zgjidhur çështjet e tyre, e që është projekti i autostradës së Gjilanit, projekti i rrugës së Mitrovicës, projekti i rrugës Prishtinë-Podujevë dhe projekti i rrugës Dollc-Gjakovë dhe te këto katër projekte kemi një natyrë të ngjashme të problemeve që kanë të bëjnë ose me shpronësime, projektet, fazat e zbatimit dhe jemi në zgjidhje të këtyre problemeve”, ishte shprehur Aliu.
Aliu kishte njoftuar ligjvënësit kosovarë se për dikasterin që udhëheq, për vitin 2023 janë ndarë 251 milionë e 684 mijë e 833 euro.
Autostrada e Gjilanit, sipas ministrit Liburn Aliu, do të përfundojë më 2024, e jo më 2023, Por, me ritmin e punëve që janë duke u zhvilluar në këtë autorrugë, që nga tani është një pikëpyetje e madhe se Autostrada e Gjilanit do të finalizohet edhe në vitin e ardhshëm./Media Ndërtimi.