Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me SKAT programi IWRM-K, me rastin e 22 Marsit, “Ditës Ndërkombëtare të Ujit” dhe 23 Marsi “Dita Ndërkombëtare e Meteorologjisë”, mbajti takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues të zyrës Zvicerane në Kosovë, partner të MMPHI-së, përfaqësues të Komunave, Kompanive Rajonale të Ujësjellësve, ekspert lokal dhe ndërkombëtar të fushës së ujërave.
Në fjalën e saj zv. Ministrja e MMPHI-së znj. Linda Çavdarbasha theksoi se ne jemi sot këtu për të shënuar 22 marsin “Ditën Botërore të Ujit”, që sivjet mbahet me moton botërore “Përshpejto Ndryshimin”- “Bëhu ndryshimi që do të shohësh në botë”. Ajo falënderoj partneret për mbështetje të deri tanishme. Pasi që ne jemi në proces të hartimit të Planeve të Menaxhimit të Pellgjeve Lumore si dokumentet themelore strategjike për menaxhimin gjithëpërfshirëse të ujërave me të cilët përcaktohen objektivat dhe veprimet e nevojshme për të siguruar zhvillim dhe menaxhim të qëndrueshëm të ujerave me qellim të plotësimit të nevojave për pije, zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Plani i Menaxhimit të Pellgut Lumor “Drini i Bardhe” ka përfunduar. I dukshëm është suksesi i qeverisjes me shërbime ujore, ku këtu kemi një avancim në reforma në krahasim me rajonin dhe jemi të gatshëm t’i shkëmbejmë përvojat. Qeveria ka punuar edhe në përmirësimin e performancës së Kompanive Rajonale të Ujit.
Në vazhdim, z. Servet Spahiu Sekretari i Përgjithshëm i MMPHI-së theksoi se shënimi i secilës festë mjedisore ka rëndësinë e saj. Investimet në sektorin e ujërave në vitet e fundit janë rritur në masë të madhe që demonstron përkushtimin tonë për investime në këtë sektor me rëndësi strategjike për mirëqenien e popullatës dhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe shoqëror. Ne, si Ministri e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës jemi duke punuar me qëllim zhvillimin e kapaciteteve dhe menaxhimin sa më të mirë të resurseve ujore, duke u bazuar në praktikat ndërkombëtare, në pajtueshmëri dhe përputhshmëri me EU ACQUIS COMMUNAUTAIRE, në pikat si vijon:
Kompletimi i kuadrit ligjor (Hartimi i ligjit të ri për ujëra, Kompletimi i akteve nënligjore që kërkohen me Ligjin për Ujëra, Inicimi i hartimit të një ligji për financimin e menaxhimit të ujërave)
Konsolidimi institucional dhe ngritjen e kapaciteteve
Konsolidimi i burimeve dhe mekanizmave të financimit të menaxhimit të ujërave
Ndërtimi i akumulacioneve të reja të ujit me qëllim rritjen e kapacitetit të akumuluar për banorë
Mbrojtja e burimeve të ujit të pijshëm
Monitorimi kualitativ dhe kuantitativ të ujërave
Hartimi i Planeve të Menaxhimit të Pellgjeve Lumore
Mbrojtja e lumenjve nga degradimi
Zbatimi i masave për sigurinë e digave
Fuqizimin e Sistemit Informativ Ujor
Kurse, z.Naser Afizi Drejtor i Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore në MMPHI: -Ne jemi mobilizuar për të adresuar sfidat për ujin, duke u nisur nga forcimi i kornizës ligjore duke vazhduar me veprimet konkrete për adresimin e nevojës për ndërtimin e akumulimeve të reja (me mbështetjen e WBIF, duke filluar nga ato që janë prioritet i padiskutueshëm siç është diga e Firajës që do të sigurojë ujë për rajonet e Ferizajt, Gjilanit dhe Prishtinës dhe diga e Kamenicës për të siguruar ujin e nevojshëm për zonën më të thatë me ujëra. Po ashtu, tashmë kemi iniciuar hartimin e studimeve të fizibilitetit për tri diga tjera: Dragaqinë (Therandë), Pollatë (Podujevë) dhe Kuçicë (Skenderaj) si dhe hartimin e një plani në nivel të Kosovës përmes mbështetjes së Bankës Botërore, për ndërtimin e digave të reja, që është një përditësim i masterplanit të ujërave.
Takimi publik vazhdoi me z. Shiqeri Dermaku, udhëheqës i Divizionit të Ujërave, njëherit edhe Kryesues i GPN, me prezantimin dhe hapjen e debatit me të gjithë pjesëmarrësit për Koncept Dokumentin e Fushës së Ujërave me temat: Planet e menaxhimit të katër pellgjeve lumore; Siguria e ujit të pijes përmes ndërtimit të digave të reja; Menaxhimi i përmbytjeve/hartat e rrezikshmërisë./Media Ndërtimi.