Kosova ka rezerva të mëdha të thëngjillit, por nuk e shet. Pavarësisht sasisë së madhe të rezervave, vendi vazhdon të importojë nga shtetet tjera, madje edhe nga Serbia, me çmim shumë më të lartë.
Një mundësi të artë për të shitur thëngjill e kishte para një viti, kur çmimet arritën në nivele rekorde pas fillimit të luftës në Ukrainë, por s’e shfrytëzoi.
Një ankand për shitjen e një sasie është shpallur tek tash nga KEK. 50 mijë tonë thëngjill po planifikohen të shitën për mbi 2 milionë euro.
Një postim i deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për thëngjillin duket se e ka vënë në lëvizje Korporatën Energjetike të Kosovës.
Ditën që Hoti tha se bizneset private po detyrohen të importojnë qymyr nga jashtë edhe pse Kosova “fle” mbi të dhe pyeti se pse nuk po eksportohet kjo pasuri tash kur ka kërkesë si pasojë e krizës energjetike, KEK ka nxjerrë në shitje 50 mijë tonelatave thëngjill.
Ankandi do të mbahet më 22 mars, në orën 13:00. Vlera e parashikuar për këtë ankand është 2 milionë e 660 mijë e 900 euro dhe kriter për dhënie të kontratës, është çmimi më i lartë.
Kontrata është e ndarë në dy lote. Në lotin e parë parashihet shitja e 35 mijë tonelatave thëngjill me çmim të vlerësuar 1 milion e 862 mijë e 630 euro, derisa në të dytin 15 mijë tonelata me çmim të vlerësuar 798 mijë e 270 euro.
Zëdhënësi i KEK, Skënder Bucolli i ka thënë Gazetës Express se ky ankand ka target industritë. Në të ardhmen thotë se po planifikojnë që të sigurojnë një sasi për shitje me pakice edhe për bizneset dhe amvisëritë.
“Sa i përket shitjes së thëngjillit për këtë vit, ju njoftojmë se KEK ka të shpallur ankandin publik për shitjen e thëngjillit në dy llote: I – sasia prej 35.000 tonë. Dhe II – sasia prej: 15.000 tonë. Lidhur me këtë, ju bëjmë me dije se ankandi publik është i hapur për të gjithë OE të interesuar dhe për target ka industritë. Përndryshe, KEK planifikon që në të ardhmen po ashtu të sigurojë një sasi (shitje me pakicë, njëjtë si vitin paraprak) për biznese dhe amvisëri. Për më tepër, për dy llotet kriter është çmimi më i lartë i ofruar”, thuhet në përgjigjen e Bucollit.
Në dosjen e publikuar në e-prokurim, tregohet edhe se nga do të nxjerret kjo sasi e thëngjillit.
“Dy blloqet e planifikuar për eksplantim gjenden në pjesën veri lindore te sektorit te Sitnicës dhe kanë afërsisht sasinë 50.000 t qymyr dhe masat të djerrinës përafërsisht 12.000 – 14.000m3 në mungesë te shpimeve nuk dihet saktë kontakti djerrinë – qymyr ne bllokun e parë ku përfshihet Grebeni (pjesa jashtë profilit te hapur) dhe ku i njëjti bllok përfshin edhe një pjese te rrugës për hyrje / dalje për kasetat e TC, Kosova B.”, thuhet në dosje.
E gjithë puna për nxjerren e kësaj sasie pritet të zgjasë 50 ditë.
“Dinamika e realizimit te sasive se pari do te fillohet me lot-in 1 sasia prej 35,000 ton. Pas realizimit te sasive nga lot-i 1 do te filloje realizimi i lot-it 2 ne sasi prej 15,000 ton”, thuhet në dokument.
Sipas të dhënave që Dogana e Kosovës i ka ofruar Gazetës Express, vjet ishte importuar thëngjill në vlerë mbi shtatë milionë euro.
Krahasuar me vitin paraprak, importi ishte rritur.
Shtetet prej të cilave ishte blerë thëngjilli ishin Bosnia dhe Hercegovina, Italia, Kazakistani, Mali i Zi, Polonia, Turqia dhe Serbia./Media Ndërtimi