Kostot e ndërtimit kanë vijuar rritjen në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, të ndikuara nga energjia dhe shpenzimet materiale.
Sipas INSTAT, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e katërt 2022 arriti 110,3 kundrejt tremujorit të katërt 2020 si periudha bazë. Ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e katërt 2022 është 7,0%, një vit më parë ky ndryshim ishte 3,1%.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime energjie” me 14,1%, pasuar nga grupet, “Shpenzime materiale” dhe “Kosto të tjera” me 7,9% secila, “Shpenzime makinerie” me 5,3%, “Shpenzime për paga” me 5,0% dhe “Shpenzime transporti” me 1,9%.
Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indekset e nëngrupit “Materiale ndërtimi” shënuan rritjen më të lartë me 8,4%, pasuar nga grupi “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” me 7,8% dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 5,9%.
Ndryshimet tremujore të grupeve kryesore
Sipas INSTAT, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim shënoi rritje me 0,8%, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022.
Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime materiale”, “Shpenzime për paga” dhe “Shpenzime transporti” me 1,3% secila, pasuar nga grupet “Kosto të tjera” me 1,0% dhe “Shpenzime makinerie” me 0,7%. Ndërsa, grupi “Shpenzime energjie” shënoi ulje me 1,0%.
Çmimet e apartamenteve nuk pritet të ulen
Çmimet e apartamenteve janë shtrenjtuar ndjeshëm dy vitet e fundit, duke reflektuar si kostot e ndërtimit ashtu dhe kërkesën relativisht të lartë të nxitur nga kredia, por edhe burimet informale.
Në vitin 2022, çmimet e pronave brenda vijës së verdhë të ndërtimit u shitën me çmim mbi 1,000 euro për metër katror. Ndërtuesit pohuan se niveli i lartë erdhi nga shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit dhe kërkesës së lartë.
Por miratimi i mundshëm i ligjit të Amnistisë Fiskale pritet të nxisë edhe më tepër rritjen e kërkesës për pronat e shtrenjta. Ekspertët e tregut thonë se në këtë situatë, ndërtuesit nuk do të hezitojnë të rrisin çmimet./Media Ndërtimi