Connect with us

Auto

Tesla synon prodhimin e 500 mijë veturave në vit në fabrikën në Gjermani

Published

on

Tesla po punon me vrull në Gjermani, por ka hequr dorë nga prodhimi i plotë i baterive në këtë vend. Shkaku: lehtësimet tatimore në SHBA.

Së pari lajmi i mirë: Prodhuesi amerikan i makinave elektrike Tesla tani punëson më shumë se 10.000 njerëz në fabrikën e tij në Greenheide afër Berlinit, në Brandenburg. Këto të dhëna i ka publikuar agjencia gjermane e lajmeve dpa, e cila i referohet qarqeve biznesore atje. Tesla bëri të ditur në Twitter se aktualisht atje po prodhon 4.000 makina në javë – që do të thotë rreth 200.000 në vit.

Por qëllimi i fazës së parë nuk është arritur ende: Tesla i ka vënë vetes synim të prodhojë gjysmë milioni makina në vit në Greenheide dhe të ketë rreth 12.000 punonjës. Tesla është duke prodhuar makina elektrike në Gjermani që nga marsi i vitit 2022.

Lajmi i mirë është se Tesla ka nisur edhe prodhimin e komponentëve të baterive në Greenheide. Siç u tha, këto sisteme baterish do të përdoren “në të ardhmen e afërt” në automjetet e prodhuara këtu në Gjermani.

Pronari i Tesla, Elon Musk, i tha Gigafactory Berlin se kjo do të jetë fabrika më e madhe e baterive në botë. Në hapjen në mars 2022, ai tha se fabrika e baterive do të arrinte prodhimin masiv deri në fund të vitit 2023.

Por tani vjen lajmi i keq: Tesla me sa duket ka braktisur planet për të prodhuar bateri të plota në Gjermani. Kompania ka vendosur të tërhiqet dhe këtë pjesë të prodhimeve, për shkak të lehtësimeve, ta kalojë në Shtetet e Bashkuara.

“Fokusi i prodhimit të baterive të Tesla është aktualisht në SHBA për shkak të kornizës së krijuar nga Akti i Reduktimit të Inflacionit (IRA),” kumtoi kompania, duke e bërë atë një nga firmat e para që njoftoi ndryshimin e strategjisë e saj për shkak të lehtësimeve të reja tatimore në këtë vend.

Tesla fillimisht kishte planifikuar të prodhonte të gjitha bateritë në Brandenburg,me një kapacitet maksimal prej mbi 50 gigavat orë në vit. Por duket se kjo ka ndryshuar. Ndaj një zëdhënës i ministrisë së Ekonomisë së Gjermanisë tha se ata “po punojnë tani për të sqaruar arsyet” pas vendimit të Tesla. Ministria e Ekonomisë e Brandenburgut tha për aq sa ishte ajo në dijeni, ndryshimi i kursit nuk do të ndikojë në numrin e vendeve të punës në Greenheide.

Eksperti i automjeteve Ferdinand Dudenhofer sheh rreziqe në rritje për investimet në prodhimin e baterive në Gjermani. “Ne besojmë se rritja e mobilitetit elektrik do të pengohet – edhe për shkak se subvencionet në Gjermani janë ulur”, tha drejtori i agjencisë gjermane të lajmeve CAR – Qendra për Kërkime Automobilistike në Duisburg. “Kjo do t’i bëjë motorët me djegie të brendshme më të lirë për klientët përsëri.” Kjo do të thotë se do të nevojiten më pak bateri në Evropë”.

Që nga fillimi i këtij viti, Gjermania nuk subvencionon më blerjen e automjeteve hibride, automjete që përdorin një motor me djegie të brendshme dhe një motor elektrik. Edhe subvencionet për makinat me bateri janë ulur. Rrjedhimisht, shitjet e e-makinave kanë rënë në janar. Ndërsa vitin e ardhshëm 2024, subvencioni për blerjen e makinave elektrike do të vazhdojë të ulet.

Dudenhofer në një deklaratë për mediat gjermane iu referua edhe rreziqeve të çmimeve të larta të energjisë elektrike në Gjermani. Vendimi i Teslës në Berlin duhet të merret shumë seriozisht, tha Dudenhofer për dpa. Nëse i ashtuquajturi ligji anti-inflacion i Amerikës (IRA) mbetet ashtu siç është, prodhuesit gjermanë të automjeteve do të përpiqen të prodhojnë dhe instalojnë bateri në SHBA.

Në fund të janarit, Tesla njoftoi se do të investonte më shumë se 3.6 miliardë dollarë në zgjerimin e kompleksit të saj Gigafactory në Nevada, ku do të ndërtojë dy fabrika të reja – njëra për prodhimin e kamionit gjysmë elektrik të vonuar prej kohësh dhe tjetra, për prodhimin e baterisë së re 4680.

Së shpejti pritet që të publikohet edhe lajmi se Tesla do të ndërtojë një fabrikë të madhe në veri të Meksikës. Bisedimet intensive për këtë po zhvillohen. Bëhet fjalë për faktin se lehtësimet tatimore zbatohen vetëm për prodhimin në SHBA – si dhe disa vende ku bën pjesë edhe Meksika – por jo për vendet e BE-së.

Rivali i Tesla, Stellantis bëri të ditur se tashmë ka zhvendosur prodhimin në SHBA. Edhe Holcim AG, prodhuesi më i madh i çimentos në botë, pret që IRA t’i japë një shtysë të fortë operacioneve të kompanisë në Amerikën e Veriut. Linde, e cila prodhon gazra industriale, vlerësoi se mundësitë e investimit mund të tejkalojnë 30 miliardë dollarë vetëm në SHBA gjatë dekadës së ardhshme. Ndërsa në fillim të këtij muaji Air Liquide, e cila gjithashtu prodhon gazra industrialë, u zotua të shfrytëzojë një mundësi historike për të investuar në energji të pastër me ndihmën e IRA-s, por nuk dha detaje specifike. Këta janë vetëm disa nga lojtarët globalë që kaluan prodhimet në SHBA, duke përfituar nga programi i subvencionimit./Media Ndërtimi

Auto

Volkswagen ka një markë dhe veturë të re – kompania gjermane synon tregjet e mëdha

Published

on

Si pjesë e strategjisë së saj Në Kinë, për Kinën, marka Volkswagen po përpiqet të stabilizojë pjesën e saj të tregut, e cila është në rrezik për shkak të një sulmi frontal nga një sërë markash kineze.

Prodhuesi gjerman i makinave prezantoi modelin e parë të nën-markës së re Volkswagen: ID. UNYX.

Marka e re dhe SUV-ja e re ndajnë një emër, kështu që SUV-i elektrik coupe do të quhet ID. UNYX, si dhe një nën-markë krejt e re makinash, të cilat së shpejti do të pasohen nga automjete të reja.

Volkswagen thotë se makina e re ka një dizajn progresiv, një ndërfaqe inteligjente njeri-makinë (HMI) me një avatar të personalizuar 3D dhe një distancë prej më shumë se 600 kilometrash. ID. UNYX është menduar për tregun kinez dhe është faza më e fundit në zhvillimin e automjeteve inteligjente të rrjetit nga Volkswagen. Me modelin e ri, Volkswagen po hap edhe 40 dyqane në 20 qytete që do të mbajnë emrin UNYX.

Është planifikuar të zgjerohet gama e modeleve të nën-markës së re të Volkswagen ID. UNYX me katër automjete të tjera në tre vitet e ardhshme përveç makinës së re të zbuluar. Kjo do të përfshijë SUV-të, si dhe sedanët.

  1. UNYX u krijua në qendrën e re të inovacionit dhe zhvillimit të Volkswagen në Hefei, në Kinën lindore. Ky lokacion është i fokusuar ekskluzivisht në zhvillimin e gjeneratës së fundit të automjeteve elektrike inteligjente për tregun vendas. ID. UNYX prodhohet gjithashtu në Hefei, një nga fabrikat më të avancuara të automjeteve elektrike të Grupit Volkswagen.

Vetura fuqizohet nga një motor elektrik 210 kW (286 kuaj/fuqi) në boshtin e pasmë. Motori mundësohet nga një bateri 77 kWh (neto). Sistemi i shtytjes mund të arrijë një distancë deri në 621 km. Është planifikuar gjithashtu një version me të gjitha rrotat me dy motorë elektrikë dhe një fuqi prej 250 kW (340 kuaj/fuqi)./Media Ndërtimi

Continue Reading

Auto

Mercedes vjen me një plan të veçantë për karikimin e veturës

Published

on

Mercedes-Benz ka në mendje një lloj tjetër skenari për karikimin e veturës.

Ndërsa jeni duke shijuar një kafe në pikat e Starbucks, ju mund edhe të karikoni veturën në parking.

Nëse gjërat shkojnë sipas planit, përfundimisht do të gjeni karikues të shpejtë Mercedes në mbi 100 lokacione të Starbucks në Shtetet e Bashkuara.

Dhe gjithçka fillon në Bregun Perëndimor me Interstate 5, duke kaluar në veri dhe në jug përmes Kalifornisë, Oregonit dhe Uashingtonit, përcjell Telegrafi.

Duke marrë parasysh se Starbucks u themelua në Seattle, është një vend i përshtatshëm për fillimin e këtij partneriteti.

Bëhet e ditur se karikimi me fuqi të lartë është forca shtytëse e këtij bashkëpunimi.

“Bashkëpunimi midis dy markave kryesore si Mercedes-Benz dhe Starbucks do të përmirësojë përvojën e karikimit për të gjithë drejtuesit e EV”, tha Andrew Cornelia nga Mercedes-Benz.

“Ne parashikojmë një të ardhme ku karikimi i automjetit tuaj është po aq i lehtë sa të shijoni Starbucks-in tuaj të preferuar”, shtoi ai.

Ky partneritet fillon në Bregun Perëndimor, por është një përpjekje mbarëkombëtare që do të shohë rrjetin e karikimit të mbështetur nga Mercedes të zgjerohet gjatë 12 deri në 18 muajt e ardhshëm.

Sa i përket kohës kur karikuesi i parë Starbucks do të fillojë ose ku do të ndodhë, ky informacion nuk është bërë i ditur./Media Ndërtimi

Continue Reading

Auto

Audi A4 ‘bëhet’ A5?

Published

on

Gjenerata e re e modelit të njohur tani ka emër të ri, i cili sjell një karakter sportiv më të theksuar, por edhe veturën e parë hibride në gamë.

Që nga lansimi i tij tre dekada më parë, Audi A4 ka evoluar në një limuzinë ideale për aspiratat e biznesit dhe familjes, së bashku me një model karavan që, me versionin Allroad, përmbushi dëshirat e aventurierëve.

Tashmë me elektrifikimin ka pasur ndryshime edhe në nomenklaturën e modelit, kështu që A4 e ardhshme do të jetë model elektrik, transmeton Telegrafi.

Në të njëjtën kohë, A5 coupe dhe kabriolet hyjnë në histori, ashtu si A5 Sportback i mëparshëm. Nga ana tjetër, ka limuzina dhe karavan të cilët me rritjen e shkallës (emrave) të modeleve kanë marrë një karakter mjaft sportiv.

Ai do të ofrohet në katër variante: si A5 dhe S5 dhe si karavan  A5 dhe S5 Avant. Këto janë edhe modelet e para që do të prezantohen në platformën PPC (Premium Platform Combustion).

Më i madh se paraardhësi i tij, A5 i ri hyn në segmentin e klasës së mesme, sipas njoftimit zyrtar. Nuk ka dyshim, pamja e të dy versioneve të trupit është mbresëlënëse, me një karakter të theksuar sportiv, duke ndjekur në mënyrë progresive trendet aktuale në formën e rrotave me diametër më të madh dhe dritave LED të përshtatura në mënyrë tërheqëse.

Motorët ofrohen në një version të butë hibrid MHEV, i cili sjell një reduktim deri në 10 g CO2/km ose 0,38 l/100 km në 2.0 TDI (150 kW, me rrota të përparme/quattro) dhe deri në 17 g CO2 /km ose 0,74 l/100 km në V6 3,0 TFSI (270 kW, quattro), sipas ciklit WLTP./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending