Procesi i legalizimit të objekteve në Kosovë po shkon ngadalë në mungesë të ndonjë udhëzuesi adekuat por edhe në interesat e disa personave. Kështu tha arkitekti Valdet Osmani.
Drejtori për Legalizim në Komunën e Prishtinës, Fatos Dibra, tha se problemi i procesit të legalizimit ka të bëjë me çështjet pronësore.
Sipat tij, problemi kryesor i procesit të legalizimit ka të bëjë me çështjet pronësore, ku ka objekte të ndërtuara në prona private por nuk janë në emër të aplikuesve, apo në prona që janë publike.
Numri i aplikimeve për legalizim prej vitit 2019 deri në 2022 ishte mbi 6 mijë kurse vendime për certifikatë të legalizimit morën afër 2 mijë persona. Numri i certifikatave, nuk është edhe numri i trajtimit të lëndëve, sepse kemi shumë lëndë të cilat janë trajtuar dhe janë nxjerrë vendime për futjen në listën e pritjes deri në zgjidhjen e çështjeve pronësore, apo vendime për përfundim të procedurës, tha drejtori Dibra.
Sipas arkitektit Valdet Osmani ky proces ka qenë shumë i ngadaltë për disa arsye e një prej tyre edhe mungesa e një udhëzimi adekuat për legalizim.
“Pengesa kryesore ka qenë një shtojcë e vendosur pak kundërligjshëm, ku shumë objekte nuk janë legalizuar shkaku se streha e shtëpive apo objekteve ka dalë pak jashtë parcele mbi rrugë apo trotuar e cila nuk pengon asgjë dhe ka shumë objekte që edhe në të kaluarën e kanë pasur këtë strehë. E kjo është një pengesë shumë e madhe për legalizimin. Kjo shtojcë është bërë vetëm sa për të rritur koston e qytetarit”, tha ai për televizionin publik të Kosovës.
Osmani konsideroi se procesi i legalizimit është duke u penguar sepse ka shumë interesa për marrje të pronës publike .
“Shumica kanë dashur të pengojnë një proces të legalizimit sepse ka shumë interesa të marrjes së pronës ku ka objekte të ndërtuara në prona publike dhe kanë dashur të ndërlidhin strehët me pjesë të tjera të cilat janë ndërtuar e ku shumica e objektit është në pronë publike. Kanë dashur që personat që e kanë strehën jashtë të blejnë pronën publike njësoj si ata që e kanë ndërtuar objektin në pronë publike. Këto janë interesa të ngushta të personave përgjegjës që kanë bërë kërkesa të tilla dhe nuk kanë qenë në interes të qytetarit”, tha ai.
Osmani tha se disa investitorë në Kosovë kanë bërë ndërtesa ilegale dhe ua kanë shitur qytetarëve të cilët pastaj as nuk kanë mundur t’i përkthejnë e as t’i shesin por as t’i padisin investitorët.
Taksa për legalizim të ndërtimeve pa leje të kategorisë se parë është 1€ për m2, kurse për kategorinë e dytë është 2€ për m2. Nga taksa lirohen ndërtime të ndërtuara për interes publik, me leje të një autoriteti përkatës publik ose me financim të qeverisë, ndërtime të rindërtuara si rezultat i luftës, konfliktit, trazirave shoqërore ose forcës madhore, ndërtime pa leje në pronësi të përfituesve të skemës së ndihmës sociale./Media Ndërtimi.