Në vlerë, ndërtimet në Tiranë vlerësohen nga INSTAT rreth 63 miliardë lekë, ose rreth 540 milionë euro…
Ritmi i ndërtimeve në kryeqytet ka vijuar me ritme të larta në vitin 2022 dhe kjo tendencë pritet të vijojë.
Sipas Statistikave të INSTAT, në vitin 2022 u dhanë gjithsej nga Bashkia e Tiranës leje ndërtimi me sipërfaqe prej rreth 1.81 milionë metra katror. Në krahasim me një vit më parë, ky tregues u rrit me rreth 10%, ndërsa ka shënuar nivelin më të lartë historik, të paktën që nga viti 2005, kur INSTAT i raporton të dhënat ë detajuara sipas qarqeve.
Rekordi u shënua në tremujorin e parë 2022, kur u dhanë leje për një sipërfaqe prej 800 mijë metrash katror, duke u përgjysmuar në të dytin (388 mijë m2) dhe duke u reduktuar ndjeshëm në të tretin (272 mijë m2). Në tremujorin e katër, sipërfaqja e dhënë u rrit sërish dhe arriti në rreth 350 mijë metra katror.
Në total, në Tiranë për gjithë vitin 2022 u dha rreth 68% e totalit të lejeve që jepen në të gjithë vendin. Në vlerë, ndërtimet në Tiranë vlerësohen nga INSTAT rreth 63 miliardë lekë, ose rreth 540 milionë euro (Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike).
Sipas INSTAT, vitit 2022, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja në të gjithë vendin është 2.667.497 m2, nga 2.316.709 m2 miratuar në vitin 2021, duke shënuar një rritje prej 15,1%.
Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 113 miliardë lekë në vitin 2022, nga 99.2 miliardë lekë miratuar gjatë vitit 2021, duke shënuar një rritje prej 14%.
Vrulli pritet të vijojë në Tiranë
Vitet e fundit, zëri kryesor i të ardhurave të Bashkisë është “Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja”, të cilës i nënshtrohen të gjitha subjektet, që kërkojnë të pajisen me leje zhvillimore dhe leje ndërtimi për objekte banimi, administrative, prodhimi, shërbimi e tjera.
Nga dhënia e lejeve të ndërtimit bashkia arkëton rreth një të tretën e të ardhurave që ajo mbledh në total nga taksat dhe tarifat.
Bazuar në projektbuxhetin e bashkisë për vitin 2013, ky vrull pritet të vijojë. Në vitin 2023, Nga ky zë Bashkia parashikon të arkëtojë 5.6 miliardë lekë të ardhura, që përbën 34% të totalit të të ardhurave të veta të Bashkisë, duke e bërë institucionin menaxhues të kryeqytetit tepër të varur nga lejet e ndërtimit, për sigurimin e të ardhurave të veta.
Në krahasim me parashikimin e 2022-it, (që ishte 4.8 miliardë lekë) nga ky zë pritet të arkëtohen rreth 16% të ardhura më shumë, ndërkohë që pritshmëria faktike e 2022-t është 6.5 miliardë lekë, një tregues se këtë vit Bashkia ka dhënë leje përtej parashikimeve.
Edhe në 2024-n dhe 2025-n, vrulli i ndërtimeve pritet të vazhdojë, teksa Bashkia parashikon rreth 6.2 miliardë lekë të ardhura për secilin vit./Media Ndërtimi