Fekir Tahiri është banor i lagjes ‘Gëzim Sahiti’ në Ferizaj. Si plotë banorë të tjerë të kësaj lagje, Tahiri po ankohet për një objekt të lartë shumëkatësh që ka filluar të ndërtohet në lagjen e tij.
Këta banorë janë duke kundërshtuar procedurat e marrjes së lejes për ndërtimin e objektit, ndërsa thonë se Komuna e Ferizajt nuk ka një dokument që parashikon dhe përcakton se si duhet të bëhen ndërtimet në këtë lagje.
Ndërtesa në fjalë e ka pasur lejen e ndërtimit për dy kat bodrum, 11 kat banim, përdhesen dhe penthouse ose katin e sipërm nalt, që gjithsej po bëjnë 13-14 kat. PZHK-ja nuk jep vendime dhe leje të ndërtimit.
PZHK tregon se si do të ndërtohet zhvillimi urban i Ferizajt, por nuk është autoritet që jep lejet e ndërtimit. Lejen e ndërtimit e jep një institucion krejt tjetër, që bazohet në PZHK dhe rregulloret e tjera që janë të parapara me ndërtimet e larta. Shkelja e parë që është, distanca nga vija ku ne kufizohemi, është vetëm një metër e gjysmë, që askund në asnjë ligj të ndërtimeve të larta nuk është e paraparë ajo” – thotë Tahiri për Kallxo.com
Leja e parë ndërtimore që është dhënë për këtë objekt është anuluar, me arsyetimin se pronari nuk ka paguar me rregull taksën, ndërsa kanë filluar procedurat për lejen e dytë ndërtimore për këtë objekt.
Arsim Hetemi është një tjetër banor i lagjes ‘Gëzim Sahiti’ që po ankohet për objektin e lartë në lagjen e tij. Duke marrë parasysh që rruga e tyre është krejt ndërtim i ulët, Hetemi thotë se ndërtimi i lartë në këtë rrugë shfaq rrezik për banorët.
“Është shfaqur sepse është krejt ndërtim i ultë, veç kjo është një ndërtim i lartë që po na rrezikon secilin sen që e bon. Si kamiona, si me u vendosë një kran është rrezik i krejt këtyre. Ne i çojmë përditë në shkollë fëmijët, është rrezik me kalu rrugës. Për gjithçka është në rrezik. Pika e parë është se nuk ka as kanalizim, as ujësjellës për me u bo ai ndërtim. Por komuna qysh e ka lëshu, është problem i saj, është një sen që neve na ka shqetësuar shumë si banorë, shumë” – thotë Hetemi.
Në anën tjetër, Komuna e Ferizajt e pranon se janë duke lëshuar leje ndërtimore për objektet e reja, pa pasur një plan të mirëfilltë rregullativ.
Bytyqi e pranon se si referencë për numrin e kateve të objektit në fjalë, është marrë një objekt që është ndërtuar kohë më parë në afërsi të lagjes.
“Komuna e Ferizajt deri më tani nuk ka dokument që i përcakton kushtet ndërtimore. Baza ligjore për lëshimin e kushteve ndërtimore janë dy dokumentet e mëhershme që i përcaktova. Mirëpo te ky rast është më specifik dhe fati në fatkeqësi mund ta themi, aty e kemi pasur një objekt në distancën 50 metra, i cili është lëshuar në kohën kur kanë qenë në fuqi Planet Rregulluese të Komunës së Ferizajt dhe si referencë e kemi marrë pikërisht atë objekt dhe rrjedhimisht indirekt janë respektuar edhe dokumenti i planeve rregulluese të Komunës së Ferizajt. Mirëpo direkt baza ligjore janë këto dy dokumente që i përmenda më herët”.
“Maksimumi i ndërtimit aty në bazë të referencës që e kemi është 8 kat. Normalisht janë kërkuar të gjitha ato kriteret të plotësohen për banesat për bashkëpronësi dhe për lëshimin e kushteve pala i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe jemi në procedurë kurdo që aplikon për marrjen e lejes ndërtimore, ne do të vazhdojmë me procedurën e dhënies së lejes ndërtimore” – ka thënë Bytyqi.
Banorët kanë dorëzuar një kallëzim penal në Prokurori dhe janë duke pritur verdiktin e organeve të drejtësisë.
https://www.facebook.com/watch/?ref=external&v=921201198914281