Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë e konsideroi të pavlefshëm vendimin për ndërtimin e hidrocentralit në fshatin Thirrë të Mirditës.
Lajmi e bëri të ditur avokati Adriatik Lapaj, i cili bashkë me avokaten Dorina Ndreka përfaqësuan në gjykatë banorët e tre fshatrave të prekur nga ndërtimi i këtij hodrocentrali.
“Ne sot i’a dolëm! Sot u bë drejtësi. Sot gjyqtari Gentian Hamiti vendosi një standard të lartë të dhënies së drejtësisë për ata që kanë të drejtë pavarësisht se janë më të pamundur”, u shpreh Lapaj.
Për Citizens Channel, Lapaj u shpreh se “gjykata vendosi ti konstatoj si absolutisht të pavlefshme Vlerësimet e Ndikimit në Mjedis, të miratuara nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, akte mbi të cilat janë dhënë lejet e shfrytëzimit të ujërave dhe lejet e ndërtimit të hidrocentraleve dhe fabrikës së ujit”.
Sipas avokatit Lapaj “ky vendim i bën të pavlefshme të gjitha aktet e nxjerra bazuar në VNM-ntë e konstatuara të pavlefshme”.
Ai theksoi se do ti drejtohen në vijim gjykatës në apel “për sigurimin e padisë për të ndaluar çdo punim deri në përfundim të gjykimit të çeshtjes në apel”.
Kompania që po ndërtonte HEC-in në Thirrë të Mirditës, “Sang 1” SH.P.K mori licencën me një vendim të 26 qershorit të vitit 2019 për aktivitetin e tregtimit të energjisë elektrike për një afat 5-vjeçar.
“Ishte një proces ku gjithë institucionet ishin vendosur në mbrojtje të paligjshme dhe kërkonin të dënonin me shpopullim 3 fshatra të Mirditës, por gjykata u ngrit në lartësinë e detyrës dhe vendosi për të drejtën”,-përfundoi Adriatik Lapaj, në fjalën e tij për Citizens.
Banorët e fshatrave Thirrë, Sang dhe Hebë, të ndodhura në afërsi të “Rrugës së Kombit”, si pjesë e Njësisë Administrative Fan në bashkinë Mirditë, protestuan në prill të vitit 2021 kundër ndërtimit të dy hidrocentraleve dhe një fabrike uji.
Sipas banorëve kompania kishte filluar punën me firma të falsifikuara të banorëve. Ata rrëfyen se asokohe u ishte thënë se hidrocentrali do të ndërtohej poshtë zonës së tyre, duke mos u prekur drejtpërdrejt në veprimtarinë e tyre bujqësore dhe agrikulturore./Media Ndërtimi.