Deri në fund të muajit prill, qytetarët e Kosovës duhet të bëjnë pagesën e këstit të parë të tatimit vjetor në pronë. Në të kundërtën, ata do të gjobiten. Afati për këstin e dytë të pagesës është fundi i muajit shtator.
Nëse pagesa nuk bëhet në kohë, do të aplikohet një interes prej 0.65 për qind për secilin muaj që vonohet pagesa dhe një gjobë prej 10 për qind të tatimit të papaguar.
Tatimi në pronë është taksë vjetore komunale dhe përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës me normën tatimore. Kjo normë është 0.15 për qind e vlerës së përgjithshme të pronës. E, faturat e tatimit në pronë këtë vit janë më të larta se më herët.
Pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, që ka bërë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në fund të vitit të kaluar, tatimi në pronë për disa është rritur deri në 100 për qind, e për disa ka mbetur i pandryshuar, pasi vlera e pronës, pas vlerësimit, nuk ka ndryshuar.
Disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Prishtinë, thonë se do ta paguajnë tatimin në pronë, duke pasur parasysh se mund të gjobiten, por presin të kenë lehtësira nga Qeveria.
“Tatimin në pronë e kam paguar diku rreth 80 euro vitin e kaluar. Tani që është shtrenjtuar më bëhet diku mbi 100 euro, nuk e di saktë. Do të marr borxh dhe do ta paguaj, por po pres nga Qeveria ta shqyrtojë vendimin. Shpresoj të na lirojnë nga pagesa”, thotë Hysni Mehmeti.
Hajriz Musolli tregon se fatura e tatimit në pronë këtë vit, i është rritur për 50 euro. Ai thotë se nuk e ka paguar ende.
“Çmimi është i lartë për standardin tonë, por do ta paguaj. Ta shohim nëse Qeveria bën ndonjë lehtësirë”, thotë Musolli.
“Tatimi në pronë është rritur shumë. Po pres të lirohemi nga kjo pagesë. Nuk e di nëse do të kem mundësi ta paguaj”, thotë Skender Bërbatovci, pensionist.
Për këtë vit, Murati ka propozuar që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë.
Sipas tij, 85 për qind e tatimpaguesve nuk do të paguanin asgjë për vitin 2023, 10 për qind të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro dhe vetëm 5 për qind e tatimpaguesve do të paguanin më shumë se 100 euro.
Në ligjin e ri, Murati ka thënë se do ta përfshijnë edhe dispozitën e faljes së faturës së tatimit deri në 100 euro për vitin 2023.
Me ligjin në Kosovë, vlerësimi i pronës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëhet në çdo tre ose pesë vjet.
Vlerësimin e fundit, kjo ministri e ka bërë vitin e kaluar, kurse zbatimi i tij në tatimin në pronë ka filluar nga janari i këtij viti.
Vlerësimi paraprak është bërë në vitin 2019.
Çështja e tatimit në pronë është bërë temë diskutimi pas reagimit të qytetarëve në rrjetet sociale, të cilët kanë treguar se faturat e tyre të tatimit në pronë janë rritur./Media Ndërtimi.