Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në Komisionin për Mjedis ka thënë detaje për planin hapësinor të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.
“Parku nacional është shpallë me ligj i miratuar në Kuvend. Sipas ligjit parashihet zoonimi brenda parkut që nënkupton 3 zona që janë strikte dhe veprimtaria është e ndaluar brenda tyre, janë zona që në përqindje janë pakë tek të cilat ka bimë me rëndësi. Zonimi bëhet në bazë të studimeve”, tha ai.
“Plani hapësinor është marrë nga parlamenti i Kosovës më vitin 2014 dhe në 2016 është dorëzuar drafti i parë. Ky draft i ka kaluar të gjitha diskutimet publike dhe kemi arritur në fazën kur vie në Kuvend për miratim”- shtoi ai.
“Ngjeshja e ndërtimeve në parkun nacional e degradon natyrën. Sa i përket prerjeve të pyjeve lejohet por bëhet bazuar në plane. Pikëvështrimi i menaxhimit të pyjeve e ka motiv mbrojtjen e natyrës”- ka theksuar ai.
Kryetarja e komisionit për Bujqësi, Fitore Pacolli Dalipi e ka pyetur ministrin Aliu për kërkesën e banorëve për vendosjen e laurës se a do të vlejë për ata.
“Parqet nacionale nënkuptojnë mbrojtjet. Kufizimet nuk do të vlejnë për banorët, ata do të kenë qasje sepse ata banojnë aty. Nuk do paguajnë hyrje dalje kur të vendoset laura”, është përgjigjur Aliu.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Besian Mustafa ka pyetur ministrin Aliu për disa shqetësime të tij lidhur me këtë plan.
“Nëse keni si info sa % të pronave private sa janë në zonën e tretë? Çka ndodhë me ndërtimet ekzistuese që banorët thonë se janë tradicionalisht aty me dekada çka ndodhë me to qoftë në zonën e dytë apo të tretë?”-, ka pyetur ai.
Luan Nushi, drejtor i Instituti për planifikim hapësinor tha se parku kombëtar është park unik në botë se ka brenda vendbanime, sipas tij banorët e kanë keqkuptuar ligjin me plan.
“Pronat tradicionale 47 për qind e ndërtimeve e që janë 6 mijë janë në pronë publike e sipas banorëve është pronë tradicionale e kur bisedon me ta nuk ka kurrfarë dëshmie. Marrë parasysh që po dojna me zhvillu këtë park për me zhvillu turizmin, stanet nuk kemi me i hek”- tha ai.
“Ka qenë keqkuptim me tendencë sepse ka pas interesim për shitje të pronave. Kanë dalë prej temës dhe jemi mundu që krejt kërkesat me i përfshi maksimalisht. Plani hapësinor merret veç me zonimin dhe planifikim të parkut”- theksoi ai.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dëshiroi të dijë më shumë për kapacitetet inspektuese kundër degradimit për këtë park.
Ministri Aliu tha që ministria që ai drejton nuk ka kapacitete të mjaftueshme për ta mbrojtur këtë park.
“Janë dy aspekte prerja e pyjeve dhe ndërtimet. Ministria nuk ka kapacitete të mjaftueshme të parandaloj prerjen, me ligjin e ri shpresojë të na shtohen kapacitetet. Përgjegjës për mbrojtjen është Ministria. Prerje më të mëdha ka në Sharr se sa tek Bjeshkët e Nemuna, ndërkaq ndërtime ka më shumë në Bjeshkë të Nemuna se sa në Sharr”, tha ai.
Banorët e Rugovës kanë shprehur shumë kundërshtime lidhur me Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar ‘ Bjeshkët e Nemuna’, i propozuar nga Ministria e Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës./Media Ndërtimi.