Connect with us

Aktuale

LDK kërkon pezullimin e vendimit për dyfishimin e tatimit në pronë

Published

on

Për t’u lehtësuar barra e qytetarëve që janë goditur nga inflacioni i lartë, Lidhja Demokratike e Kosovës, po kërkon nga Ministria e Financave që me vendim të pezullojë aplikimin e rivlerësimit të fundit të pronave në vend dhe faturat e tatimit për vitin 2023, të llogariten sipas vlerësimeve të bëra para vitit 2022.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se është shqetësuese dyfishimi i çmimit në tatimi, pasi që nuk janë marrë parasysh edhe rrethanat socio-ekonomike.

Bajrami ka kërkuar nga Ministria e Financave të procedojë sa me parë në Kuvend, ligjin e ri për tatim në pronë, si dhe shtyrjen e zbatimit ndryshimin e ligjit për prona.

Ajo thotë se kjo ministri, përkatësisht Departamenti i tatimit në pronë, në bashkëpunim me komunat gjatë vitit 2023, të bëjnë rishikimin e plotë të procesit të ri-vlerësimit të pronave pas përcaktimit të zonave që marrin parasysh zhvillimin e vendbanimeve dhe ngastrave kadastrale.

Kjo për shkak se gjatë ri-vlerësimit të pronave të bërë më 2022, janë përdorur zonat e vjetra, si dhe janë injoruar komplet nënzonat, pasi ka dështuar sistemi i Departamentit të Tatimit në Pronë.

“Është vërejtur që vlerësimi i pronave ka shumë gabime, të cilin e kanë konfirmuar edhe në shkresat zyrtare, vet Ministria e Financave drejtuar komunave të Kosovës, duke thënë që një prej mjeteve të softuerit nuk ka funksionuar dhe në fakt është injoruar komplet nën-zonimi.

Kjo nënkupton që pasuri të tëra të patundshme tatohen sot me vlerësimin e ri njëjtë sikur ato që janë në rrugën kryesore, sikurse ato që janë në rrugë tretësore. Shqetësimi yni tjetër ka qenë që nuk janë marrë parasysh rrethanat socio-ekonomike, dhe ne e dimë që prej vitit 2018 nuk ka pasur lëvizje të pagave për sektorin publik. Lëvizjet e pagave në sektorin privat për të kufizuara dhe nuk e adresojnë normën e inflacionit”, thotë ajo.

Deputetja Bajrami ka thënë po ashtu se shtrenjtimi i tatimit në pronë mbi 100 për qind, ka goditur qytetarët edhe më shumë në kohën kur inflacioni ka ndikuar në shportën e konsumatorit.

“Tani duke marr parasysh edhe inflacionin sidomos në shportën bazë të konsumatorit që e ka goditur shumë, gati qe 12 muaj qytetarët, ne kemi bërë kërkesë Ministrisë së Financave që në fakt ky rivlerësim të pezullohet, kurse faturat që i gjeneron Ministria e Financave t’i gjenerojë me vlerësime të fundit, që nënkupton që qytetarët e vendit të vazhdojnë të paguajnë tatimin në pronë në vitin 2023 të njëjtë me atë që e kanë pasur në vitin 2022.

Ndërkohë që gjatë këtij viti, ministria e Financave në bashkëpunim me krejt komunat të bëjë një rivlerësim të saktë ku do të merren parasysh edhe nën-zonat, rivlerësim i cili pastaj mund të konsiderohet që të hyjë në fuqi në vitin 2024”, thotë ajo.

Përveç kësaj, ajo thotë se LDK kërkon nga Ministria e Financave të procedojë sa më parë në Kuvend, Ligjin e ri për tatim në pronë, për t’iu lejuar fleksibilitet më të madh komunave në caktimin e normave tatimore.

“Përveç kësaj ne kemi kërkuar që të sjellët sa më shpejt ligji i cili nga tani është finalizuar dhe qëndron në sirtarin e ministrit të Financave për tatim në pronë, një ligj i ri i cili kishte me adresuar çështjen. Ajo çka është kërkesë sot e të gjitha komunave në Kosovë, është që t’iu lejohet fleksibilitet më i madh në caktimin e normave tatimore. Sot minimumi, pragu është 0.15 për qind e vlerës së tregut. Dhe komunat sikur të kishin pasur prag më të ulët dhe fleksibilitet më të madh, ndoshta këtë çështje, për këtë vit kishin mundur ta adresojnë përmes lëvizjes së normave tatimore”, pohon Bajrami.

Ndryshe, ministri i Financave, Hekuran Murati, ditë më parë i ka propozuar komunave që të gjithë tatimpaguesve t’u falen deri në 100 euro nga vlera e tatimit në pronë për këtë vit.

Megjithatë, sipas deputetes së Bajrami, kjo gjë s’mund të ndodhë sepse komunat nuk kanë të drejtë të falin tatime. Për propozimin e Muratit, thotë ajo, e hedh poshtë ministria e tij ndërkohë që ka publikuar një shkresë të Ministrisë së Financave të drejtuar një kryetari komune për këtë çështje./Media Ndërtimi

Aktuale

Zyra e Kryeministrit Kurti furnizohet me mobile luksoze në vlerë prej 54 mijë euro

Published

on

Karrige lëkure, tepisona, vitrina e mobile të ndryshme luksoze. Të gjitha këto janë porositur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Orenditë e reja po kapin shifrën e 54 mijë eurove.

Zyra e Kryeministrit të Albin Kurti, ka hapur disa tenderë për blerjen e disa orendive të reja.

Zyra e kryeministrit dhe disa ministri tjera janë në pritje të furnizimit me karrige të lëkurës, me tepsiona, me pajisje të reja për byfe, e vitrina, të cilat i kanë kushtuar hiç më pak se 53 mijë e 977 euro, shkruan Insajderi.

Me datën 30 të muajit të kaluar, Zyra e Kryeministrit kishte hapur tender për “furnizim me karrige lëkure”, 50 copë.

Vlera e parashikuar është 9,999.00 euro.

Poashtu në muajin e kaluar nga ZKM’ja është hapur tenderi për “Furnizim me lloje të ndryshme vitrinash”, ku ceken mobile druri për zyre. Vlera e parashikuar e kontratës për këtë tender është 40.000 euro.

Me 1 maj, Zyra e Kryeministrit ka hap tender për “Furnizim me pajisje byfeje”. Ku theksohet për “frigoriferë dhe ngrirësit”.

Vlera e parashikuar për këtë kontratë është 990 euro.

Bëhet fjalë për tri karrige statike nga materiali krom, të veshura me lëkurë artificiale, kualitet i lartë i ngjyrës së zezë.

Po ashtu edhe për një karrige rrotative nga rrjeta me mekanizëm lëvizës. Ku vetëm këto kanë kushtuar hiç më pak se 999 euro./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Ligji i Punës të rikthehet në agjendën legjislative

Published

on

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës, ka prezantuar analizën “Ligji i ri i punës: Në mes të nevojës dhe kërkesave për ndryshim”.

Nga KDI thonë se duke iu referuar përpjekjeve të pasuksesshme të disa qeverive tash e disa vite për të avancuar marrëdhënien e punës në Kosovë,  përmes këtij punimi diskutues.

“KDI po synon të rikthejë në diskursin publik debatin për inicimin e një ligji të ri të punës, i cili e ka bazën në nevojat dhe kërkesat e punëtorëve, organizatave sindikale e OJQ, në përputhje me standardet dhe praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian, e që garanton mbrojtje më të mirë për punonjësit në Kosovë”, thuhet nga KDI.

Ligji aktual i Punës paraqet një ndër ligjet më vitale në vend duke qenë se rregullon punësimin e mbi 370 mijë punonjësve në sektorin publik e atë privat, thotë KDI-ja.

“Ndryshimi i këtij ligji ka qenë premtim i çdo qeverie që nga viti 2012, ndërkohë që drafte të ndryshme kanë arritur të bëhen edhe pjesë e agjendave legjislative. Sidoqoftë, këtë vit, qeveria aktuale ka vendosur ta tërheq këtë ligj nga agjenda legjislative pa ndonjë paralajmërim, përkundër që trendi i shkeljeve të të drejtave të punës vazhdon të jetë në rritje”, thuhet tutje nga KDI.

Albesa Humolli nga KDI ka deklaruar se ligji aktual i punës nuk ofron mbrojtje dhe siguri të mjaftueshme për punonjësit, duke i lënë ata të cenueshëm ndaj shfrytëzimit, diskriminimit dhe kushteve të pasigurta të punës. Kohëzgjatja dhe mungesa e kufizimeve sa i përket kontratave për kohë të pacaktuar, rregullimi i pushimit të lehonisë, mungesa e pushimit prindëror, mungesa e kufizimeve sa i përket orëve shtesë të punës, mungesa e kufizimeve sa i përket formalizimit të marrëdhënies së punës, çështja e rregullimi të punës me orar jo të plotë, çështja e së drejtës në pushim për punonjësit apo çështjet e tjera si rregullimi i punësimit në kohët moderne si puna hibride, puna nga shtëpia, apo puna për kompani jashtë vendit konsiderohen të jenë disa nga mangësitë e ligjit aktual të cilat asnjëherë nuk kanë arritur të adresohen.

Humolli, thekson se mangësitë e një ligjit ‘të stërvjetruar’ të punës po bien në kurrizin e punonjësve në Kosovë, të cilët ende përballen me informalitet në punësim, mungesë të kushteve për punë, mos pagesë të pushimit vjetor apo mjekësor, pagë jo të rregullt apo orar të tej zgjatur pune pa pagesë. Për më tepër edhe institucionet ligj zbatuese megjithë përpjekjet e tyre, nuk po arrijnë të mbikëqyrin zbatimin e ligjit në masë të duhur.

Sipas Humollit, ndryshimi i ligjit aktual ose iniciimi i një ligji të ri të punës është i nevojshëm marrë parasysh aspiratat e vendit për të ju bashkuar tregut evropian të punës, që nënkupton që ligji duhet të përafrohet me  kërkesat që dalin nga  17 direktivat e Bashkimit Evropian që përcaktojnë standardet minimale në fushën e rregullimit të marrëdhënies së punës.

KDI kërkon nga qeveria që të reflektojë në këtë drejtim dhe të fillojë dialogun social më të gjitha palët, në mënyrë që ligji i punës të rikthehet në programin legjislativ për këtë vit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Industria e ndërtimit po bëhet gjithnjë e më e varur nga zgjidhjet e teknologjisë dixhitale

Published

on

Industria e ndërtimit është bërë gjithnjë e më e varur nga zgjidhjet e teknologjisë dixhitale vitet e fundit, nga përdorimi i pajisjeve të automatizuara të ndërtimit te printimi 3D, sistemet e modelimit të informacionit të ndërtesave (BIM) dhe inteligjenca artificiale. Tori Graney e firmës ligjore shumëkombëshe Pinsent Masons eksploron rritjen e krimit të sigurisë kibernetike në industrinë e ndërtimit për shkak të teknologjisë.

Pavarësisht thjeshtimit të procesit të ndërtimit, këto përparime teknologjike kanë çuar në një rritje të rreziqeve të sigurisë kibernetike, të përforcuara më tej nga fluksi i lartë i parave dhe pagesat me vlerë të lartë brenda industrisë dhe nga fakti i thjeshtë që shumë projekte përfshijnë infrastrukturën kombëtare kritike, qoftë në Shtetet e Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar ose në të gjithë Bashkimin Evropian.

Fatkeqësisht, këta faktorë i bëjnë kriminelët kibernetikë t’i shohin bizneset e ndërtimit si objektivat kryesore të sulmeve.

Ndërsa industria e ndërtimit po dixhitalizohet gjithnjë e më shumë, sasia e të dhënave dhe informacioneve të ndjeshme që mblidhen dhe ndahen në mënyrë elektronike brenda organizatave është rritur ndjeshëm, për shembull, qofshin ato dizajne të pronarit ose të dhënat e punonjësve.

Si rezultat, pasojat e një sulmi kibernetik mund të jenë veçanërisht të rënda për firmat e ndërtimit, duke çuar potencialisht në humbje të konsiderueshme financiare, si dhe në pajtueshmëri apo edhe rreziqe sigurie.

Ndikimi i sulmeve kibernetike shtrihet edhe në dëmtimin e reputacionit, me shkelje të të dhënave që shpesh çojnë në humbjen e besimit të klientit dhe besnikërisë ndaj markës.

Kjo mund të ketë efekte afatgjata në linjën përfundimtare të një kompanie dhe përfundimisht thekson rëndësinë në rritje të gatishmërisë dhe sigurisë së fuqishme kibernetike për firmat e ndërtimit që punojnë në projekte të rëndësishme të infrastrukturës.

Rreziku kibernetik mund të jetë i vështirë për t’u kontrolluar në një kantier ndërtimi, me nënkontraktorët dhe stafin e përkohshëm që i shtojnë rrezikut ekzistues që vjen nga aftësitë teknologjike të kriminelëve kibernetikë.

Prandaj, kontraktorët duhet të shikojnë rrjetet e tyre të mbështetjes dhe rrezikut të vlerësojnë ekspozimin e tyre ndaj dobësive kibernetike, duke përfshirë atë që mund të bëjnë më shumë në terren për t’i siguruar vetes mbrojtje më të madhe dhe ku kjo mbrojtje është më e nevojshme.

Kjo përfshin shikimin e çdo hallke të zinxhirit të ndërtimit dhe kërkimin e partnerëve nënkontraktorë që të demonstrojnë praktika të shëndosha të sigurisë kibernetike në tenderat e tyre, për shembull.

Në Mbretërinë e Bashkuar, NCSC dhe Instituti i Ndërtimit të Chartered (CIOB) janë partnerizuar së fundmi për të prodhuar udhëzime praktike për të mbështetur bizneset, përfshirë SME-të, që punojnë në ndërtim, të cilat mund të përdoren si një udhëzues për zbatimin e masave të sigurisë kibernetike./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending