Aktuale
Gjermania ka nevojë për 2 milionë punëtorë të rinj, por çfarë kushte duhet përmbushur për të punuar në këtë shtet
Published
2 years agoon
Gjermania ka një problem të madh me mungesën e fuqisë punëtore. Dhe këtë e tha sërish të premten në Bundestag ministri gjerman i Punës dhe Çështjeve Sociale Hubertus Heil, gjatë promovimit të strategjisë së re për daljen nga kriza e fuqisë punëtore.
“Sigurimi i punëtorëve të kualifikuar është sigurimi i prosperitetit”, tha Hubertus Heil (SPD) të premten (20.01.2023) në Bundestag. “Nëse nuk i heqim tani pengesat, deri në vitin 2035 do të na mungojnë shtatë milionë punëtorë të kualifikuar”.
Strategjia e re qeverisë, e cila iu kalua për shqyrtim komisioneve përkatëse në Bundestag, parashikon shfrytëzimin e potencialit të fuqisë punëtore brenda vendit, duke rritur ofertat e trajnimeve profesionale për të rinjtë që lënë shkollën, përmirësuar kushtet e punës për nënat me fëmijë, apo duke rritur shanset për punësimin e refugjatëve apo azilkërkuesve të refuzuar.
Por sipas Heil shfrytëzimi i potencialit të brendshëm nuk mjafton për ta zgjidhur problemin: pa migracion, nuk dalim dot nga kjo krizë, tha ministri. Ai njoftoi se qeveria do të parashtrojë qysh në mars një projektligj të ri për migracionin.
Karta e shanseve bazuar në një sistem pikësh
Deutsche Welle e ka një draft paraprak të këtij projektligji, që synon lehtësimin e mërgimit të fuqisë punëtore nga vendet e treta. Risia kryesore e këtij projektligji është e ashtuquajtura “kartë shansesh”, që do të thotë një vizë njëvjeçare për të kërkuar punë në Gjermani. Viza jepet në bazë të një sistemi pikësh, që mund të mblidhen, bazuar në katër kritere: njohja e gjuhës, përvoja profesionale, mosha dhe lidhja me Gjermaninë.
Kështu për shembull, sipas draftit aktual, gjashtë pikë mjaftojnë për të marrë një vizë njëvjeçare për të kërkuar punë në Gjermani. Katër pikë i merr nëse ke një kualifikim profesional, tri pikë nëse ke së paku tre vjet përvojë pune, tre pikë për njohuri të mira të gjermanishtes.
Për njohuri të mjaftueshme të gjuhës merren dy pikë, dy pikë jepen edhe për moshat nën 35 vjeçare ose për ata që kanë vetëm dy vjet përvojë pune.
Një pikë e merr për lidhjen me Gjermaninë, pra, nëse më parë ke banuar në mënyrë të rregullt për së paku gjashtë muaj në Gjermani.
Rritet kontingjenti i imigrantëve sipas rregullores së Ballkanit Perëndimor
Një tjetër element i projektligjit të ri është rritja e kontingjentit të punëtorëve që vijnë me rregulloren e Ballkanit Perëndimor. Sipas draftit që ka DW, është parashikuar që ky kontingjent të dyfishohet, nga 25 000 që është aktualisht në maksimumi 50 mijë në vit. Heil tha (20.01.2023) në Bundestag se ka plane që kjo rregullore të zgjerohet edhe për vende të tjera.
Herbert Brucker, profesor në Universitetin Humboldt të Berlinit, e përshëndet si ngritjen e kontingjentit ashtu edhe zgjerimin e modelit me vende të tjera. Instituti i tij merret me hulumtime në fushën e mërgimit dhe është marrë në mënyrë të hollësishme me migrantët që vijnë në bazë të Rregullores së Ballkanit Perëndimor (BP).
Në një intervistë me DW shqip, ai tha se kjo rregullore ka rezultuar shumë e suksesshme. “Shkalla e punësimit është shumë e lartë, dhe vetëm 2 për qind e imigrantëve të ardhur me këtë rregullore marrin ndihma sociale”.
“Pra, është një model i sigurt që ka një impakt pozitiv jo vetëm për ekonominë, por edhe për shtetin social. Edhe pagat e punëtorëve të ardhur me Rregulloren e Ballkanit Perëndimor, janë po aq të larta sa pagat fillestare të vendasve, dhe madje pak më të larta se ato të punëtorëve që vijnë nga vendet tjera të BE-së”, i tha Brucker DW.
Rregullorja e Ballkanit Perëndimor: Migracion pa kualifikim
Rregullorja e Ballkanit Perëndimor ekziston që nga viti 2015 dhe u mundëson shtetasve të gjashtë vendeve të BP (Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia) qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës, pavarësisht nga kualifikimi që kanë. Parakusht për të marrë vizën e punës është një kontratë pune e rregullt në Gjermani. Nuk nevojiten as njohuri të veçanta të gjuhës gjermane.
Siç tha për DW një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, deri më 31 dhjetor 2022, në Regjistrin Qendror të të Huajve, (AZR) figuronin rreth 62 000 imigrantë me leje qëndrimi në bazë kësaj rregulloreje. Sipas zëdhënësit, mendohet që numri faktik të jetë më i lartë, sepse evidentimi statistikor i imigrantëve nga Rregullorja e Ballkanit Perëndimor ka filluar të bëhet që nga viti 2020.
Rregullorja e BP: Kontingjenti i vizave është shteruar
Rregullorja e Ballkanit Perëndimor është në fuqi deri në fund të vitit 2023, por në draftin e ri të ligjit të migracionit është parashikuar që ajo të bëhet pa afat. Si rritja e kontingjentit ashtu edhe heqja e afatit janë dy masa që përputhen jo vetëm me nevojën e tregut gjerman për fuqi punëtore, por edhe me dëshirën e shtetasve të këtyre vendeve për të emigruar në Gjermani.
Sipas Ministrisë së Jashtme gjermane, konsullatat e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë dhënë në vitin 2022, 25 000 viza sipas kësaj rregulloreje, duke shteruar kështu kontingjentin e përcaktuar nga ligji. Numri i kërkesave për vizë sipas rregullores së Ballkanit Perëndimor është shumë më i lartë, i tha DW një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme.
Aktualisht 2 milionë vende pune të pazëna
Sipas projektligjit të ri të migracionit, përllogaritet që në bazë të këtyre ndryshimeve në Gjermani të vijnë mesatarisht deri në 65 000 fuqi punëtore të reja në vit. Për shumë ekspertë kjo nuk e plotëson aspak nevojën e Gjermanisë për fuqi punëtore, Siç del në pah nga një studim i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë që u prezantua në mes të janarit në Berlin, Gjermania që tani ka 2 milionë vende pune të pazëna. Nga kjo mungesë punëtorësh ekonomia më e madhe e Evropës ka 100 miliardë euro më pak të ardhura kombëtare në vit. Situata përkeqësohet nga viti në vit.
Nga njëra anë për shkak të hartës demografike të vendit: Në 15 vjetët e ardhshëm një e treta e të punësuarve aktualë do të dalin në pension. Por edhe për shkak të ndryshimeve strukturore të shkaktuara nga digjitalizimi, si dhe ndryshimeve për shkak të pandemisë së Koronës dhe luftës në Ukrainë.
Ekspertët përllogarisin se Gjermanisë i duhen 400 000 imigrantë të kualifikuar në vit. Prandaj edhe shumë syresh ndër ta edhe Herbert Brucker propozojnë që rregullorja aq e suksesshme e Ballkanit Perëndimor të zgjerohet për të gjitha vendet dhe të mos ketë fare kufizime në kontingjent./Media Ndërtimi
You may like
Aktuale
Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?
Published
4 months agoon
July 25, 2024Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.
Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.
Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.
Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.
Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.
Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…
Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi
Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.
Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.
Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.
“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.
Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.
“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.
Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.
“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi
Aktuale
Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë
Published
4 months agoon
July 24, 2024Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.
Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.
Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.
Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.
Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.
Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.
Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.
Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.
Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.
“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi