Connect with us

Aktuale

Ndërtuesit nuk presin ulje të çmimit të apartmenteve gjatë vitit 2023

Published

on

Ndërtues dhe drejtues të agjencive imobiliare parashikojnë që çmimet e apartamenteve në vitin 2023 të vijojnë të mbeten në nivele të larta.

Në vitin 2022, çmimet e pronave brenda vijës së verdhë të ndërtimit u shitën me çmim mbi 1,000 euro për metër katror. Ndërtuesit pohuan se niveli i lartë erdhi nga shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit dhe kërkesës së lartë.

Por miratimi i mundshëm i ligjit të Amnistisë Fiskale pritet të nxisë edhe më tepër rritjen e kërkesës për pronat e shtrenjta. Ekspertët e tregut thonë se në këtë situatë, ndërtuesit nuk do të hezitojnë të rrisin çmimet.

Ndërtuesi Hajredin Fratari nënvizon se për apartamentet e shtrenjta me çmime mbi 2,000 euro/m², kërkesa pritet të jetë me rënie, për shkak të pamundësisë financiare të shumë ndërtuesve për të vijuar punimet, gjë që pritet të sjellë ndryshim të çmimeve.

  1. Fratari shton se vitin e kaluar, në Tiranë u hapën shumë kantiere të reja ndërtimi në vështirësi për vazhdimin e punimeve.

Një ndërtues i pyetur nga “Monitor”, i cili kërkoi të mbetet në anonimat, tha se për të vijuar punimet në vitin 2022, sipërmarrës të sektorit morën shumë para me fajde, nëpërmjet kthimit me përqindje të lartë interesi.

Por Ylli Sula, drejtuesi i indeksit “Keydata”, thekson se miratimi i mundshëm i Amnistisë Fiskale do të jetë burimi kryesor për zhvillimin e ndërtimit në vitin 2023.

“Zbatimi i Amnistisë Fiskale do të sillte rritje të kërkesës dhe çmimeve. Nëse do të kalojë miratimi i amnistisë në vitin 2023, ata që kanë para informale do të nxitojnë t’i investojnë në ndërtim.

Për këtë arsye, çmimet do të mbeten në nivele të larta. Në rast të kundërt, flluska e ndërtimit do të shfryhet dhe çmimet e pronave do të bien, pasi ajo pjesë e blerësve që paguajnë me cash, do të tërhiqen”.

Në një takim të mbajtur vjet me sipërmarrës të diasporës, kryeministri Edi Rama njoftoi miratimin e ligjit të Amnistisë Fiskale. Nisma e prezantuar fillimisht në vitin 2020 u kritikua nga institucionet ndërkombëtare, pasi krijonte hapësira për depërtimin e parasë informale.

Në qershor të vitit 2022, qeveria prezantoi te konsultimet publike projektligjin e rishikuar për Amnistinë Fiskale dhe Penale të subjekteve që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive me vlerë 2 milionë euro, kundrejt tatimit nga 7 deri në 10%.

Nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë mësohet se për draftin e amnistisë janë përcjellë konsultimet e reja nga grupet e interesit, të cilat do të reflektohen në relacionin e projektligjit.

Në anën tjetër, edhe në vitin 2023, pronë me çmim ekonomik do të jetë ajo me vlerën 1,000 euro për metër katror. Ndërtuesi Hajredin Fratari thotë se për këto prona, kërkesa në vitin 2023 do të jetë e lartë.

“Në Tiranë janë rreth 25,000 familje të reja që kërkojnë të blejnë apartament nëpërmjet kreditimit nga banka. Bëhet fjalë për familje ku të dy bashkëshortët janë të punësuar me të ardhura nga 2,000 deri në 3,000 euro në muaj dhe përballojnë kredinë bankare.

Për këto kategori, kërkesa do të vijojë të jetë e lartë, gjë që nuk do të favorizojë rënien e çmimeve”. Z. Fratari rekomandon se për këto familje është e domosdoshme që bankat e nivelit të dytë t’i kreditojnë në vlerën 100% të shumës së apartamentit, pasi disponojnë garancinë hipotekore të blerësit.

Jonian Antoni, CEO i kompanisë real state “Century 21 Albania”, parashikon stanjacion të çmimeve në vitin 2023, pasi çmimet e larta të apartamenteve në vitin 2022 ndikuan te rënia e kërkesës.

“Mendoj se tregu shqiptar i pronave dhe sidomos Tirana nuk do të ketë ulje çmimesh. Ndoshta do të frenohet kërkesa, ndoshta do të ketë reflektim të çmimeve, dhe sidomos një pozicionim të tyre, duke mos u ngritur më për disa vite, por nuk besoj se në Shqipëri do të ketë ndonjë rënie të çmimit të pronave.

Arsyet në rritjen e çmimeve në vitet 2020, 2021, 2022 kanë qenë të shumta, ndër më kryesoret mund të përmendim:

1) rritjen e kërkesës për prona (banesa) më cilësore

2) rritjen e kostos së ndërtimit prej inflacionit global

3) rritjen e nivelit të jetesës që ka pësuar Tirana, zonat bregdetare dhe disa qytete të mëdha në 10-15 vitet e fundit.

Në vitin 2023 nuk presim ndonjë arsye të re për rritjen e çmimeve. Në gjykimin tim si ekspert i fushës nuk presim as që çmimet të bien. Tirana, si qytet në zhvillim, ka ende marzhe të larta përmirësimi për çmimet, sepse pavarësisht perceptimit, çmimet janë shumë të ulëta krahasuar me kryeqytete të tjera.

Si rrjedhojë, edhe nëse frenohet kërkesa, nuk presim rënie çmimesh të theksuar, më e keqja që mund të ndodhë është një rënie e përkohshme prej 5-10%, që më shumë se të tillë, do ta konsideroja si reflektim dhe pozicionim në vendin e duhur, sepse shumica e çmimeve të pronave sot janë pozicionuar rreth 10% më shtrenjtë për shkak të inflacionit”.

Për arsyet e rritjes së normës së interesit, Jonian Antoni parashikon se në vitet 2023-2024 do të ketë më pak kërkesë për apartamente nga familjet e reja, ndërsa kërkesa për blerësit e pronave luksoze nuk do të pësojë rënie. Në vitin 2023 do të ketë më pak kërkesa edhe për prona të dyta.

“Vendet e zhvilluara të botës kanë rritur normën referenciale të interesit bankar. Si pasojë, kredia për shtëpi është rritur nga 2-3% në tre vitet e fundit, në 4-5% interes bankar. Kjo e ka rritur mesatarisht këstin e kredisë me 20-30% dhe si rrjedhojë, nëse një këst mesatar në Tiranë ka qenë 400-500 euro në muaj, nga viti i ardhshëm dhe për disa vite në vijim do të jetë 500-650 euro në muaj.

Teknikisht, 60% e blerëseve dhe sidomos familjet e reja blejnë me kredi. Rritja e këstit e bën më të papërballueshëm blerjen e apartamentit. Shuma e këstit të kredisë është në garë të vazhdueshme me çmimet e qirave. Rritja e këstit e bën më pak konkurrues me qiranë. Për këtë arsye shumë familje të reja mund të mos blejnë.

Njësoj të prekura janë edhe pronat e dyta, ose siç i kategorizojmë ne pronat në bregdet. Rritja e normave të interesit dhe inflacionit sjell që më pak të huaj të blejnë pronë të dytë.

Duke qenë se diaspora dhe të huajt janë blerësit kryesorë në bregdet, pritet që edhe kërkesa për prona të dyta të frenojë në vitin 2023. Kategoria më pak e ndikuar në këto raste janë pronat e luksit dhe blerësit si investitorë. Këta të fundit i gjuajnë momentet e reflektimit për t’u munduar për të investuar dhe për të negociuar më mirë”. Monitor/Media Ndërtimi

Aktuale

Aliu nënshkruan 10 Udhëzime Administrative që dalin nga Ligji për kadastër të pronës së paluajtshme

Published

on

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, të martën në ambientet e Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) ka nënshkruar 10 Udhëzimet Administrative që dalin nga Ligji për kadastër të pronës së paluajtshme, raporton Ekonomia Online.Me nënshkrimin e këtyre Udhëzimeve Administrative, u tha se do t’i hapë rrugë projekteve të AKK-së, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies si dhe u mundëson gjeodetëve ta bëjnë azhurnimin e lëndëve në zyrat e tyre.

Zëvendësdrejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, se me nënshkrimin e këtyre udhëzimeve, i hap rrugë realizimit të projekteve të AKK-së.“Për një kohë shumë rekord, për 3 muaj ditë kemi arrit me i nxjerr udhëzimet administrative, me i draftu draftet finale. Me nënshkrimin e këtyre udhëzimeve administrative do të hapen rrugë për realizim e projekteve të AKK-së. Neve si Agjenci na mbete edhe një punë shtesë për nxjerrjen e udhëzuesve të punës që janë 13 udhëzues”, tha ai.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se me nënshkrimin e udhëzimeve administrative do të ndikojnë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. Gjithashtu, sipas tij i hap rrugë shumë projekteve të rëndësishme që kanë të bëjnë me ndërtimin e sistemit të kadastrit në vendin tonë.

“Është një punë e shpejt edhe efikase dhe jam i lumtur. Ligji i kadastrit është ligj me rëndësi për vendin, në veçanti ky ligj qe e kemi miratuar është një hap para drejt shumë projekteve të rregullimit të kadastrës në vendin tonë e që gjithmonë e kanë përcjell problem e telashe ne vendin tonë.  Ligji nuk do të mund të ishte i realizueshëm po të mos ishin udhëzimet administrative. Është dashtë sa më shpejt ta miratojmë ligjin që kemi pasur problem edhe në Kuvend. Këto udhëzime i hapin rrugë shumë projekteve të rëndësishme që kanë të bëjnë me ndërtimin e sistemit të kadastrit në vendin tonë”.

“Këto udhëzime administrative do të ndikojnë shumë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. Do të mundësoj që gjeodetët e licencuar ta bëjnë azhurnimin e lëndëve në zyrat e tyre. Të gjitha këto hapa kanë një rëndësie për shkak se kjo ndërlidhja e fushave të ndryshme me kadastrin, lidhen pothuajse të gjitha institucionet ne vendin tonë. Këto udhëzim kanë me mundësuar që ky digjitalizim që do ta bëjmë në të ardhmen të jetë sa ma gjithëpërfshirës dhe ndihmë për të gjitha institucionet”, tha Aliu./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Mbi 1 milion qytetarë të regjistruar deri më tani në Kosovë

Published

on

Agjencia e Statistika të Kosovës (ASK), në konferencën e radhës ka njoftuar mbi ecurinë e procesit të Regjistrimit të Popullsisë.

Drejtori i ASK-së, Avni Kastrati tha se deri më tani pjesëmarrja e regjistrimit sipas komunave është 1 milion e 204 mijë e 560 qytetarë.

“Në të gjitha komunat e Kosovës ka regjistrim, të gjitha komunitetet po marrin pjesë. Disa komuna në veri nga komuniteti serb ka hezitim, por një pjesë e tyre janë duke u regjistruar”, ka thënë Kastrati.

Ai ka shtuar se në përgjithësi projekti për regjistrimin e popullsisë është duke iu ofruar fundit dhe nuk kemi probleme të aspektit në terrenit.

“Nëse vazhdon kështu procesi siç ka vazhduar deri tani do të dal i suksesshëm”, ka thënë Kastrati./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Më 14 maj mbahet ankandi i gjashtë i letrave me vlerë për vitin 2024

Published

on

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se më 14 maj 2024 do të mbahet ankandi i gjashtë për vitin 2024. Në këtë ankand, do të emetohen Obligacione me maturitet 5 vjeçar në shumën prej 20 milionë euro.

Investimi në Obligacione është investim i sigurt, i garantuar me Ligjin për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore, ku interesi i përcaktuar nga tregu ju garantohet për të gjithë kohëzgjatjen (5 vite) dhe është tërësisht i liruar nga tatimi.

Për detaje rreth pjesëmarrjes në ankande për blerjen e letrave me vlerë, ju lutem kontaktoni ndonjërën nga Bankat Komerciale që operojnë në Republikën e Kosovës.

Letrat me vlerë janë letra të cilat kanë një vlerë nominale, të cilat do të përdoren për t’u shndërruar, për t’u konvertuar në vlerë aksionesh me këtë vlerë. Pastaj është vlera e aksionit që ndryshon në varësi të vlerës së tregut, e cila llogaritet në momentin që konvertohet në vlerë aksioni dhe është vlera e certifikatës së aksionit, shpjegohet në studimet ekonomike./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending