Infrastrukturë
Qytetet po izolojnë kategori të ndjeshme të shoqërisë brenda margjinave urbane
Published
2 years agoon
Një qytet, i cili si një bashkësi që ka për qëllim të mirën duhet të zhvillohet brenda dy parimeve kryesore siç janë barazia dhe drejtësia. Ali Madanipour, një profesor i Dizajnit Urban nga Newcastle University e zbërthen faktin se këto dy parime arrihen duke prodhuar qytete të qasshme përmes planifikimit dhe menaxhimit gjithëpërfshirës, e që si rezultat sjell një përmirësim fizik dhe social për të gjitha kategoritë e shoqërisë.
E për të prodhuar një mjedis të tillë qytetarët janë ata të cilët duhet të jenë të mbështetur nga qeverisjet lokale për të dhënë kontributin e tyre me ide, të dhëna e propozime drejtë vendimmarrësve lokalë, meqë vet qytetarët janë ekspertët e situatës së tyre dhe kanë informacionin e duhur dhe zgjidhjen për to.
Çështja e planifikimit të qyteteve në vendet e zhvilluara demokratike ka kohë që është zgjidhur, madje sot në botë zhvillimi i qyteteve përdoret për të sjellë zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale; përderisa në Kosovë evoluimi i qytetit në shumicën e rasteve është zhvilluar brenda mureve institucionale pa përfshirje të qytetarëve në këtë proces.
Ky evoluim urbanistik i dy dekadave të fundit ka sjellur një realitet që bie në një kontradiktë të madhe me definimet më lartë, sepse këtu qyteti në vetvete është shndërruar në një barrier dhe shkelës të të drejtave bazike të njeriut për një kategori të ndjeshme të shoqërisë siç janë Personat me Aftësi të Kufizuar, dhe jo vetëm.
Intervenimet intensive dhe pa kritere urbanistike kanë bërë që sot të ballafaqohemi me lagje të qyteteve, që në të shumtën e rasteve nuk i përmbushin kushtet themelore për jetesë dhe e izolojnë këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë brenda margjinave urbane të krijuara nga vetë institucionet shtetërore.
E tëra kjo ka ardhur si pasojë e ndërhyrjeve për një periudhë të gjatë përmes shkeljeve ligjore, e që si rezultat sot ka krijuar hapësira publike, transport publik, rrugë, parqe, objekte publike e semi-publike që renditen krah për krah njëra tjetrës për të pamundësuar zhvillimin e një përditshmërie normale për Personat me Aftësi të Kufizuar.
Shërbimet, burimet dhe pasuria e qytetit duhet të gëzohen nga secili përmes barazisë në qasje. Kjo është ajo që quhet e drejta për qytet e cila garantohet përmes Kartës Ndërkombëtare të së Drejtës për Qytet, e miratuar në Forumin Botëror Social në vitin 2004.
Ajo definohet si e drejtë themelore e secilit për ta shfrytëzuar në mënyrë të barabartë qytetin brenda konceptit të qëndrueshmërisë, demokracisë, barazisë dhe drejtësisë sociale.
Komunat e Kosovës do të duhej të siguronin gjetjen e mekanizmave të duhura për të siguruar që këto parime të shndërrohen në prioritete dhe politika buxhetore të qeverisjes lokale. Një theks i veçantë do të duhej fillimisht të vendosej në ndërrimin e praktikës së planifikimit urban duke e siguruar pjesëmarrjen e Personave me Aftësi të Kufizuar në këto procese sepse kjo do të sillte një element kyç që ndikon në funksionimin e mirëfilltë të një strukture urbane e cila do të siguronte zgjidhjen e problemeve infrastrukturore, mirëqenie dhe barazi sociale.
Qeverisjet lokale duhet të veprojnë me një mënyrë të re të të menduarit institucional duke i parë banorët, specifikisht Personat me Aftësi të Kufizuar si ekspertë të cilët do të mund të japin një kontribut domethënës në përmirësimin e planifikimeve për intervenime urbane. Përfshirja e tyre në proceset planifikuese do të ndërtonte domosdoshmërisht barazi në shfrytëzimin e hapësirës publike duke e përmirësuar direkt mirëqenien e tyre.
Në këtë mënyrë, planifikimi urban me pjesëmarrje do të shërbente njëkohësisht edhe si një formë ku raporti ndërmjet udhëheqësve të qytetit dhe qytetarëve do të bëhej më i afërt dhe rrjedhimisht vetë qyteti i përmirësuar do të krijonte raporte të shëndosha dhe do të rriste besimin në institucione.
Personave me Aftësi të Kufizuar të cilët deri sot kanë vazhduar të jenë një nga pjesëtarët më të përjashtuar të shoqërisë nga hapësira publike duhet t’iu jepet mundësia që ata bashkë me institucionet përmes proceseve të dizajnit të përbashkët të eliminojnë barrierat dhe t’i shndërrojnë hapësirat publike në zona të qasshme dhe mikpritëse për ta.
Heterogjeniteti dhe diversiteti është një vlerë që e formon qytetin dhe që pa të s’bën, ashtu siç edhe Aristoteli e theksonte se “qyteti përbëhet nga njerëz të ndryshëm; njerëz të ngjashëm nuk mund të jetësojnë një qytet”. Prandaj është e rëndësishme që këtij heterogjeniteti dhe diversiteti t’i përmbushen kushtet duke i lejuar që vetë komunitetet ta vizionojnë hapësirën ku jetojnë, duke i larguar barrierat që i kufizojnë ata për të jetuar një përditshmëri lirshëm, dhe duke ua mundësuar që si bashkësi ta arrijnë atë që u duket atyre se është më e mira.
Shkruar nga: Ardian Muçaj i cili ka studiuar Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor si dhe Gjuhë dhe Letërsi Angleze. Ai ka dhjetë vjet përvojë pune si Menaxher Projektesh si dhe Zyrtar për Komunikim në Democracy Plus, EC Ma Ndryshe dhe Lëvizjen FOL. Ardiani ka përvojë të gjerë në fushën e hulumtimit, planifikimit hapësinor dhe të drejtave të njeriut./Media Ndërtimi.
You may like
-
“Kulla s’asht cool”-qytetarët e Shkodrës po protestojnë kundër ndërtimit të objektit 35 katesh
-
Si Vladimir Putin krijoi një ‘flluskë’ të pasurive të paluajtshme
-
Kinezët dhe turqit “gëzojnë” koncesionin e bakrit në Shqipëri
-
Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?
-
Një autostradë dixhitale do të ndërtohet mes Tokës dhe Hënës
-
Develon prezanton ekskavatorin tunelues DX235RTF-7
Infrastrukturë
“Kulla s’asht cool”-qytetarët e Shkodrës po protestojnë kundër ndërtimit të objektit 35 katesh
Published
6 months agoon
July 25, 2024Ndërtimi i kullës 35 katëshe ‘Hotel Rozafa Tower’ në Shkodër mblodhi në protestë dhjetra qytetarë dhe aktivistë.
Kulla është një investim privat që do të ndërtohet përbri pallatit ekzistues Rozafa, nga “Uldedaj Group”, i zbatuar nga një studio spanjolle.
“Të vendosur përpara një fakti të kryer në një kohë kur për projekte kaq të mëdha duhen dëgjesa publike; të shqetësuar për dëmin urban dhe arkitekturor që kjo kullë paralajmëron ti kanosë Shkodrës; të indinjuar nga mosrespektimi nga ana e institucioneve i të drejtës sonë për qytetin dhe hapësirës që jetojmë vendosëm të marshojmë sot bashkë me ju kundër betonizimit të qytetit për të thënë: Jo kullave!“ – u shpreh aktivisti Amel Pervizi.
Sipas qytetarëve, zhvillimi i qytetit nuk vjen përmes kullave, ndërsa ky investim bie në kundërshtim me planin e përgjithshëm vendor të qytetit.
„Projekti i ri ka jo më pak se 43 mijë metër ndërtim të ri. Intensiteti I ndërtimit nga 4 që është i lejuar në planin e përgjithshëm vendor, shkon në 8.2, pra dyfishohet. Numri I lejuar i kateve nga 7 kate të lejuara shkon në 35, pra pesëfishohet. Lartësia në metra nga 29.8 metra e lejuar shkon deri në 100 metra lartësi. Parametër i cili trefishohet. Sa I përket distancave, kjo godinë me këtë lartësi duhet të mbajë jo më pak se 36 metër distancë nga kufiri i saj i pronës. Gjë që nuk mund ta realizojë dot”,-u shpreh urbanisti Imeldi Sokoli.
Ata theksuan se Shkodra ka nevojë për hapësira dhe investime publike dhe jo shëmbëlltyrë e “kryeqytetit rilindas”.
“Sot ne jemi të thirrur për ti dalë zot qytetit tonë, bukurisë së qytetit tonë, kulturës së qytetit tonë, historisë dhe trashëgimisë kulturore. Në 11 vite, kjo qeveri nuk solli asnjë investim për Shkodrën. Shkodra ka nevoja të mëdha, Shkodra ka objekte, monumente kulture që po bien brenda. Shkodra nuk ka nevojë për kulla, Shkodra ka nevojë për zhvillim dhe nëse flitet për inovacion, inovacioni nuk është një kullë e ndërtuar dhe e sjellë këtu jashtë të gjitha kritereve dhe jashtë të gjitha ligjeve. Ne nuk duam dhe nuk pranojmë betonizimin e Shkodrës“, -u shpreh Eliona Shkreli, anëtare e këshillit bashkiak Shkodër.
Mes thirrjeve „Stop betonizimit“ dhe “Kullat janë pastrim parash” qytetarët marshuan nga busti i Luigj Gurakuqit drejt godinës së bashkisë Shkodër, ku kërkuan realizimin e dëgjesave publike dhe konsultimeve me grupet e interesit.
“Një nga kompanitë, pjesë e Rozafa Group që do të investojë për kullë, sinjalizohet me shkresë për mos shlyerje të detyrimeve tatimore me vlerën 970 mijë euro. Nëse mbledhim fitime te deklaruara të këtij grupimi nuk arrijnë të shlyejnë as taksën e ndërtimit prej 8% ndaj bashkisë Shkodër, nëse ky investim prej 30 milionë eurosh realizohet. Si thoni ju a është me të vërtetë kjo kompani pas këtij ndërtimi? Zhvillimi duhet bërë duke ndjekur planin urbanistik të qytetit, duke bërë transparencë dhe duke u konsultuar”, – u shpreh Amel Pervizi./Media Ndërtimi
Infrastrukturë
Si Vladimir Putin krijoi një ‘flluskë’ të pasurive të paluajtshme
Published
6 months agoon
July 25, 2024Çmimet janë rritur me 172% në qytetet më të mëdha të Rusisë gjatë tre viteve të fundit.
Hipotekat dikur ishin të papranueshme në Rusi. Dekada të propagandës sovjetike, e cila e denoncoi kredinë si një barrë të padurueshme, patën efekt.
Edhe pas përfundimit të komunizmit, rusët ende i referoheshin hipotekave si “skllavëri borxhi”, duke preferuar të kursenin derisa të mund të blinin shtëpitë e tyre. Vladimir Putin, presidenti i vendit, ka kaluar dy dekada duke u përpjekur të bindë qytetarët e tij, që të kenë një tjetër pikëpamje.
Në vitin 2003, gjatë mandatit të tij të parë, ai shpjegoi se hipotekat mund të ndihmojnë në zgjidhjen e “problemit akut të strehimit”, me të cilin përballen rusët. Lutja e tij ra në vesh të shurdhër.
Ai tani duket se ka më shumë sukses. Gjatë viteve të fundit, numri i rusëve që marrin hipoteka është rritur, për shkak të një programi bujar të subvencioneve shtetërore për blerësit e apartamenteve të reja. Por, shpërndarja e subvencioneve të shtetit ka nxitur një treg shumë ‘të nxehtë’ të pronave, duke i rritur çmimet e banesave.
Në vitin 2020, kur Rusia u mbërthye nga Covid-19, zyrtarët rritën ndihmat për ata, që blinin prona të sapondërtuara në një përpjekje për të forcuar ekonominë. Në fillim, bankat u ofruan aplikantëve për hipotekë një normë preferenciale prej rreth 6%, afërsisht dy pikë përqindje nën normën e tregut, dhe shteti paguante diferencën.
Zbritje të ngjashme, të cilat më parë ishin në dispozicion vetëm për familjet, iu ofruan më pas punëtorëve dhe njerëzve, që zhvendoseshin në vende duke përfshirë Arktikun, Siberinë dhe Ukrainën e pushtuar.
Megjithatë, vëllimet e hipotekave nuk filluan të rriteshin vërtet, derisa ekonomia e Rusisë shkoi në gjendje lufte. Bankat lëshuan kredi hipotekore me vlerë 7.7 trilion rubla (88 miliardë dollarë, ose 4% e PBB-së) vitin e kaluar, nga një total prej 4.3 trilionësh në vitin 2020. Shumica u mbështetën nga subvencione.
Kjo pasqyron faktin se rusët nuk kanë mundësi investimi: sanksionet rëndojnë mbi bursën dhe kontrollet e monedhës e bëjnë të vështirë lëvizjen e parave jashtë vendit. Inflacioni, i cili u ngrit përsëri në mesin e vitit 2023, ka luajtur gjithashtu një rol.
Kur Banka Qendrore e Rusisë (CBR) filloi të rriste normat e interesit, interesi për skemën u rrit. Ndërsa CBR ngriti normën e saj bazë në 16%, qeveria e mbajti normën e saj preferenciale të ulët, duke e rritur atë në vetëm 8%. Në qershor kishte një hendek prej më shumë se dhjetë pikë përqindjeje midis normës së qeverisë dhe normës së tregut për një hipotekë.
Në fillim të këtij muaji ajo i dha fund skemës së saj më të njohur, e cila ishte për blerësit e ndërtesave të reja. Numri i hipotekave të reja mund të bjerë me rreth 50% në gjysmën e dytë të vitit.
Industria e ndërtimit të Rusisë do të vuajë si rezultat. Kështu do të bëjnë bankat, të cilat kanë gëzuar fitime rekord të nxitura nga rritja e shpejtë e portofolit të hipotekave. Për momentin, megjithatë, tregu i banesave duket se do të arrijë të shmangë një kolaps.
Vasily Astrov i Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, thotë se “ngadalësimi dhe ndoshta stanjacioni” ka më shumë gjasa sesa një rënie e madhe e çmimeve.
Ekonomia e luftës e Rusisë, e cila ka parë rritje të shpejtë të pagave këtë vit, mund të jetë ende në gjendje të mbajë një treg të fortë pronash, edhe kundrejt normave më të larta dhe mbështetjes së pakësuar të shtetit./Media Ndërtimi
Infrastrukturë
Kinezët dhe turqit “gëzojnë” koncesionin e bakrit në Shqipëri
Published
6 months agoon
July 25, 2024Fabrika e përpunimit të bakrit në Fushë Arrëz iu dha me koncesion për 30 vite një kompanie turke. Ishte viti 2001 kur shteti shqiptar firmosi marrëveshjen koncesionare. Shumë shpejt në lojë hynë edhe partnerët kinezë. Periudha e artë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën u ndërpre rreth viteve 80-të, për t’u rivendosur sërish me ardhjen e demokracisë.
Përmes një operacioni financiar të zhvilluar në Turqi, ata morën nën zotërim pjesën më të madhe të rezervave shqiptare të bakrit, të cilat kaluan në pronësi të gjigantit botëror të minierave, kompanisë kineze “Jiangxi Koper”, shkruan citizens.al.
Ata blenë 48% të aksioneve të kompanisë “BerAlb” e cila zotëronte për 30 vite koncesionin e bakrit në vendin tonë, duke përfituar të drejtën për të administruar dhe shfrytëzuar minierën e bakrit Munellë, minierën e bakrit Lak-Rosh, minierën e bakrit Karmë, fabrikën e pasurimit të bakrit Fushë-Arrëz dhe të Mjedës si dhe impiantin e fraksionimit të skorieve të bakrit në Shëngjin.
Me një kapital fillestar prej vetëm 30 mijë USD ose 47 Milionë lekë, kjo kompani e ka zgjeruar kapitalin e saj çdo vit, ndërsa aktualisht deklaron një kapital prej 7.7 miliardë lekësh.
Pavarësisht rritjes së kapitalit, kompania deklaron se del vazhdimisht me humbje.
Megjithëse deklaron bilance negative, në vitin 2017 kompania nënshkroi një tjetër marrëveshje me shtetin shqiptar duke e shtyrë koncesionin edhe me 10 vite . Pra koncesioni i bakrit dhënë Turqisë dhe Kinës do të jetë në fuqi deri në vitin 2043. Ekspertët sugjerojnë se zgjatja e afatit duhet të ishte ballafaquar me performancën ekonomike, rritjen e niveli të mirëqënies së zonës si dhe ruajtjen e mjedisit./Meda Ndërtimi