Arkitekturë
Artisti i njohur kinez pushton New York-un me instalacionet e tij
Titulli i ekstravagancës artistike të Ai Weiweit në New York, e inauguruar të enjten, është “Good Fences Make Good Neighbors” (Gardhet e mira bëjnë fqinjë të mirë). Është varg nga poezia “The Mending Wall” e Robert Frostit, që është përvetësuar për të prekur krizat e tanishme të refugjatëve dhe kufijtë – tema qendrore e veprave të fundit të Ai.
Që kur e la Kinën në vitin 2015, Ai Weiwei ka dokumentuar krizat e emigrantëve derisa ka vizituar më shumë se 23 shtete, dhe ka intervistuar qindra njerëz të ngujuar në kampet e refugjatëve pasi që kishin ikur nga lufta dhe konfliktet, thuhet në shkrimin e DW që sot e transmeton “Koha Ditore”. Përveç frymëzimit të ekspozitës së tij të re në mbarë qytetin e New Yorkut, Ai Weiwei, po ashtu, i ka përdorur këto materiale për të realizuar filmin dokumentar “The Human Flow”, premiera e të cilit u dha në muajin shtator në Festivalin e Filmit në Venecia dhe do të shfaqet nëpër kinematë e ShBA-së duke filluar prej sot.
Një prej instalacioneve më të mëdha që janë pjesë e “Good Fences Make Good Neighbors”, është “Gilded Cage”, kafaz i madh me metal glyrë ari montuar në anën jugore të Central Park. Nuk është rastësi që është vendosur disa blloqe larg “Trump Tower”, sepse presidenti i ShBA-së, Donald Trump, mund ta shohë prej apartamentit të tij luksoz prej ari.
“Natyrisht, pasi si banor i qytetit, presidenti Trump është i mirëseardhur që ta shijojë skulpturën; e kam bërë prej ari për t’i pëlqyer atij”, ka thënë Ai në një konferencë për media në Central Park. Si kritik i zëshëm i Trumpit, Ai, po ashtu, ka folur për vendimin që shtetasve të disa vendeve me shumicë myslimane të mos u lejohet të hyjnë në ShBA, për planet e murit ShBA-Meksikë, vendime të cilat i ka quajtur “politika të pamendueshme”.
“Kriza e refugjatëve është krizë globale humanitare”, ka thënë artisti. “Për mendimin tim, shtetet më të mëdha dhe më të fuqishme në perëndim duhet të marrin më shumë përgjegjësi sa i përket kësaj krize”, ka shtuar ai.
Weiwei ka thënë se mbi të gjitha ekspozita është bërë “për njerëzit e qytetit”. Pasi ka jetuar në New York prej vitit 1983 deri më 1993, kur babai i tij ishte i dënuar politik, artisti ka thënë se ai është ende “në dashuri me qytetin”. E ka vlerësuar New Yorkun se është i hapur për të huajt dhe e ka përshkruar si një vend ku “asnjëherë nuk ndihesh i huaj”.
“Duhet ta shpaguaj dashurinë time”, ka thënë Weiwei, duke shtuar se New Yorku është qytet në të cilin secili artist i ri dëshiron të qëndrojë.
“Në shumë aspekte, ‘Good Fences Make Good Neighbors’ është kulminacion i veprave të tij deri më sot”, ka thënë Nicholas Baume, kryetar i “Public Art Fund”, i cili ka organizuar ekspozitën e Ai Weiwei me rastin e 40-vjetorit të asociacionit.
Ndërsa kryetari i New Yorkut, Bill de Blasio ka deklaruar se New Yorku ka qenë “kanavaca e përsosur” për artin e Ai Weiweit.
“Veprat e tij të artit na sfidojnë dhe mund të sjellin progres social”, ka thënë ai. “Ai Weiwei është unik pasi që ka kombinuar rolet e artistit bashkëkohor eminent, disidentit politik dhe aktivistit për të drejtat e njeriut në një formë aq të spikatur dhe të fuqishme”, ka thënë Baume.
Instalacionet e mëdha dhe skulpturat interaktive janë të përfshira në hapësirat urbane gjatë distrikteve diverse të New Yorkut, duke përfshirë Manhattan, Queens, Brooklyn, Staten Island dhe Bronx. Në mesin e instalacioneve më të mëdha janë tri skulptura prej metali si gardhe, të cilat Ai i ka vendosur nën portat e famshme të mermerit në “Washington Sqare Park”, “Flushing Meadows-Corona Park” në Queens dhe në Central Park.
“Gardhet gjithmonë janë për identitetin, për kuptimin e vetes dhe për sjelljen tonë karshi të tjerëve”, ka thënë ai. Prandaj elementet interaktive që janë instaluar kanë për qëllim që t’i bëjnë shikuesit të mendojnë se nga vijnë – ashtu si gardhi i argjendtë në “Washington Sqare Park” që përfshin pasazhe me pasqyra.
“Gardhet gjithmonë kane qenë mjete në fjalorin e peizazhit politik dhe ngjallë asociacione me fjalët si ‘kufi’, ‘siguri’ dhe ‘fqinj’, të cilat janë të lidhura me mjedisin aktual politik global. Por ajo që është e rëndësishme të kujtohet është se këto barriera janë përdorur për të na ndarë, sepse si njerëz të gjithë jemi njësoj”, ka thënë Weiwei në një deklaratë.
Ai Weiwei ka hapur eksperienca personale me temë ekzilin dhe dëbimin gjatë Revolucionit Kulturor Kinez, kur babai i tij, poeti Ai Qing, ishte dënuar që të bëjë punë të detyrueshme dhe familja e tij u shpërngul në provincën e largët në perëndim, Xinjiang. Pas një kohe, vetë artisti ishte dënuar dhe burgosur në vitin 2011 nga regjimi kinez për evazion fiskal, dhe më pas iu mor pasaporta. Në vitin 2015 iku në Berlin ku jeton e punon prej asaj kohe.