Prodhimi i brendshëm bruto ka përshpejtuar ritmet e rritjes në tremujorin e tretë të vitit, pas ngadalësimit të ndjeshëm në të dytin, duke u ndikuar pozitivisht nga turizmi që nxiti shërbimet, teksa të huajt erdhën në Shqipëri, si dhe rikthimi i projekteve të ndërtimit, pasi në tremujorin e dytë ndërtuesit u stepën nga çmimet e larta.
Sipas INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e tretë të vitit 2022 vlerësohet me rritje prej 4,02 %, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2021. Në tremujorin e dytë rritja me bazë vjetore ishte ngadalësuar ndjeshëm në 2.65%.
Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë kontribut pozitiv kanë dhënë degët: Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me +1,94 pikë përqindje, Ndërtimi me 0,99 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,81 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me 0,65 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0,19 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,18 pikë përqindje, Bujqësi, Pyje dhe Peshkim me +0,05 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,03 pikë përqindje.
Negativisht kontribuan aktivitetet: Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me -0,38 pikë përqindje, Industri, Energji dhe Uji me -0,20 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuan negativisht me -0,22 pikë përqindje.
Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme me rritje dy shifrore
Degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e tretë të vitit 2022, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2021, shfaqen si më poshtë:
Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rritje me 0,22 %. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rënie me 1,38 %. Aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me 10,66 %. Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 9,94 %.
Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 6,54%. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 7,93 %. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 13,84 %. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rritje prej 0,53 %.
Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rënie prej 3,33 %. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati një rritje me 37,50 %. Taksat Neto mbi produktet u ulën me 1,85 %./Media Ndërtimi