Kush po i pengon hetimet në rastin “Brezovica” ku u sekuestruan 75 villa
Prokurori i rastit, Rasim Maloku, thotë se sa më shumë që është gjurmuar në këtë rast, aq më shumë janë zgjeruar hetimet.
Kjo, sipas tij, ka çuar në ngritjen e aktakuzës së dytë më 9 nëntor të vitit 2022. Në të, ish-kryetari i Shtërpcës, Nikolliq, përshkruhet si njeriu kryesor që ka marrë ryshfet në këmbim të dhënies së lejeve të ndërtimit në zonat e mbrojtura të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë.
Në aktakuzën e dytë, përveç Nikolliqit, është përfshirë sërish edhe drejtori i Urbanizmit, ashtu si edhe dy inspektorë komunalë, drejtori i Kadastrës në Shtërpcë dhe të tjerë.
Hetimet në këtë rast, sipas prokurorit Maloku, i kanë vështirësuar strukturat paralele serbe, që veprojnë në Kosovë, të mbështetura nga shteti i Serbisë.
“Për çdo aktivitet që e kemi zhvilluar në zonën e Brezovicës, kemi qenë të monitoruar nga strukturat ilegale dhe kjo e ka cenuar në një mënyrë edhe sigurinë, por edhe vetë hetimin në këtë çështje”, thotë Maloku.
Pikërisht për rastin Brezovica, nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, ka urdhërarrest aktiv dhe ndodhet në arrati.
Pas nisjes së hetimeve në këtë rast, Radoiçiq dyshohet se ka ndikuar te dëshmitarët bashkëpunues, duke i kërcënuar dhe frikësuar ata që të mos bashkëpunojnë me prokurorinë.
Prokurori Maloku thotë se ka dyshime të bazuara që mjetet që janë marrë në formë ryshfeti nga zyrtarët komunalë në Shtërpcë, në këmbim të dhënies së lejeve të ndërtimit, në disa raste kanë shkuar për financimin e subjektit politik, Lista Serbe – pjesë e së cilës parti është edhe ish-kryetari i Shtërpcës, Nikolliq.
Prokurori Maloku thotë se në bazë të hetimeve, ka dyshime të bazuara se shuma të mëdha të parave janë dërguar përmes transaksioneve fiktive nga Kosova në Serbi.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar koment nga Lista Serbe në lidhje me pretendimet e prokurorisë, por zyrtarët e këtij subjekti politik nuk janë përgjigjur.
Kërkohet trajtim me prioritet nga gjykata
Aktakuza e parë kundër 11 personave në rastin Brezovica është dorëzuar në gjykatë në vitin 2020, por, deri më tani, nuk ka filluar procesi gjyqësor.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se në këtë rast, gjykata duhet të veprojë me prioritet, pasi të përfshirë janë njerëz të profileve të ndryshme. Dhe, sipas tij, mund të ketë prej atyre që do të përpiqen të gjejnë rrugë alternative për t’i shpëtuar drejtësisë.
“Sistemi gjyqësor, si dhe ai prokurorial do të duhej që, në radhë të parë, t’u ofronin mbështetje gjyqtarëve dhe prokurorëve në këtë rast, që t’i ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në mënyrën më të pavarur të mundshme, por që edhe prokurori i shtetit të ndërmarrë masa ndaj secilit që, përmes mënyrave të kundërligjshme, tenton të ndikojë në këtë rast”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.
Në raportin e publikuar në janar, organizata ndërkombëtare, Transparency International, ka vlerësuar se Kosova ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit.
Derisa rasti i Brezovicës mbetet ende nën hetim dhe në pritje të nisjes së seancave gjyqësore, prokurori Rasim Maloku thotë se nuk e di se cili do të jetë rezultati final – do të rrënohen apo jo vilat dhe hotelet e ndërtuara jashtëligjshëm në Brezovicë./Media Ndërtimi.