Ani pse kishte çmimet më të larta se tetë kompanitë e tjera konkurruese, “Eing Com”, arriti ta fitojë tenderin e emërtuar: ‘Përmirësimi i infrastrukturës së jashtme dhe të brendshme të shkollave’.
Në njoftimin që ka shpërndarë Komuna e Podujevës, Eing Com kishte konkurruar në çdo Lot që ishte shpallur nga kjo komunë, dhe në të gjitha Lotet çmimet e tyre shihen se janë më të larta.
Arsyetimi i komunës për të shpallur fituese këtë kompani ishte çmimi i ulët, megjithatë shihet qartë që çmimet e tyre janë më të larta se kompanitë e tjera.
Rreth këtij tenderi, tashmë çdo gjë ka përfunduar. Përveç diçkaje, kryerjes së punimeve.
Por, kjo nuk ishte “dhurata e vetme” për kompaninë (detajet për të do t’i gjeni në pjesën e poshtme të tekstit). Eing Com u shpall fituese edhe në tenderin për: “Ndërtimin e Stacionit të Autobusëve”, tender për të cilin parashiheshin diku 1.1 milionë euro shpenzime.
Duhet përmendur faktin se në tenderin respektiv, kompania në fjalë ka bashkëpunuar edhe më nënkontraktorë.
“Loni”, “Sinani ing” dhe “Isars”, janë tri kompanitë te të cilat Eing Com gjeti besimin për bashkëpunim, me ç’rast konkurruan me çmimin: 1 milion e 165 mijë e 575 euro, çmim ky që ishte më i larti nga të gjithë konkurrentët e tjerë.
Pas ankesave të kandidatëve të tjerë, pra jofitues, detyroi palën përgjegjëse që ta dërgojë tenderin te Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP).
“Konstruktori ing 1969”, ishte kompania që e dërgoi të OSHP-ja këtë tender. Kjo kompani kishte konkurruar me çmimin më të ulët, 937 mijë e 733 euro.
Mirëpo, kjo nuk mjaftoi që OShP-ja të refuzojë tenderin për Eing com. Gazeta Nacionale ka siguruar vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, ku kësaj radhe u refuzua ankesa e firmës “Konstruktori ing 1969”.
Gazeta Nacionale ka kontaktuar me pronarin e kompanisë Eing.com, Eljesah Podvorica, dhe i njëjti ka thënë se jo vetëm me Podujevën, por edhe me disa komuna të tjera ka kontrata për punë.
Podvorica ka deklaruar se krejt kjo është natyrë e punës.
“Hahaha… jo vetëm tri po na i kem 30 a 100, jo vetëm në Podujevë por në të gjithë Kosovën. Pyetja juaj shumë interesante. Jo na me Podujevën kemi, s’po di sa kontrata janë, po kemi kontrata edhe me Lipjanin, Prishtinën, me organizata të huaj. Mu ma merr menja që është natyrë e punës,” – i ka thënë ai gazetës.
Tutje Podvorica ka deklaruar se asnjëherë nuk është marrë me parti dhe nuk merret as tash.
“Është e mundshme që me fitu edhe pse e ke çmimin më të shtrenjtin. Ne në çdo vend që operojmë mundohemi me qenë të përgjegjshëm me vlera maksimale, me qenë të përgjegjshëm 100%. Vlerësimi ka qenë i komunës, lënda ka shku në OSHP. Ata e kanë kthy në rivlerësim dhe është zgjedh operatori që ka qenë i përgjegjshëm. S’ka kurrgjë të keqe diçka. Çfarë afërsie, çfarë afërsi bash e çuditshme. Unë mundem me pas afërsi me njerëzit që i njoh. Kushtimisht unë jam i Podujevës dhe me parti politike as që merremi, dhe s’jemi marrë asnjëherë”, ka thënë ai.
Gazeta Nacionale ka tentuar të kontaktojë për disa ditë rresht edhe Komunën e Podujevës për të marrë një përgjigje rreth kësaj çështje, mirëpo deri në publikimin e këtij lajmi të njëjtit nuk janë përgjigjur.