Berlini dhe Madridi duan të vazhdojë ndërtimi i gazsjellësit MidCat, kurse Franca bën rezistencë.
Përfundimi i gazsjellësit ishte një ndër temat kryesore në takimin gjermano-spanjoll të nivelit të lartë.
Gjermania dhe Spanja nuk heqin dorë. Qeveritë e të dy vendeve po rrisin presionin për të bindur Francën, se mbarimi i ndërtimit të një gazsjellësi europian Jug- Veri që kalon nëpër Pirene është me rëndësi.
Deri tani presidenti francez Emmanuel Macron e ka kundërshtuar projektin duke thënë, se nuk ia vlen si ekonomikisht ashtu dhe nga pikëpamja e politikës së mjedisit.
Gazsjellësi 300 kilometra i gjatë, ndërtimi i të cilit është pezulluar më 2019, do të transportonte në Europën Qendrore gazin e shumtë të impianteve spanjolle të gazit.
“Gazsjellësi do të kontribuonte shumë për qetësimin e gjendjes në furnizimin me gaz,” thotë kancelari gjerman Olaf Scholz, kur kërkon vazhdimin e ndërtimit të gazsjellësit.
“Berlini dhe Spanja janë të një mendimi, se ne kemi nevojë për më shumë rrjete europiane energjie, qoftë për gazin, qoftë për rrymën,” theksojnë edhe diplomatët e Madridit.
Gazsjellësi Midcat ishte në qendër të axhendës së takimit të nivelit të lartë qeveritar gjermano- spanjoll të mërkurën (5.10) në qytetin spanjoll, A Coruñ buzë Atlantikut.
Jo shumë larg qytetit, në portin Mugardos, ndodhet një nga gjashtë terminalet e gazit që ka Spanja, – ndërkohë që Gjermania nuk ka pasur deri tani asnjë.
Ne zotërojmë infrastrukturën më të madhe të gazit të lëngshëm në Europë,” thotë krenar kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez.
Spanja ka 30 për qind të gjithë kapaciteteve që ndodhen brenda BE-së.
Spanja i ofron Gjermanisë dhe gjithë vendeve të tjera europiane që kanë probleme në furnizimin me gaz, që të përdorin këto kapacitete, sepse impiantet spanjolle nuk shfrytëzohen sa duhet.
Shkurtimisht: Ideja, se MidCat mund të zgjidhte në një kohë të shkurtër problemet aktuale që ka Europa me furnizimin me gaz, është “krejtësisht e gabuar”, deklaroi Macron.
“Unë nuk e kuptoj, pse duhet t’i vijmë vërdallë kësaj teme, si dhitë e Pireneve.” Megjithatë Macron tregon gatishmëri për të zhvilluar dialog.
As kancelari gjerman Scholz, as kryeministri spanjoll Sánchez nuk kanë qenë në gjendje deri tani ta bindin Macronin për MidCat-in.
Por, nëse do të ketë argumente të reja, ai është i gatshëm të rimendojë pikëpamjen e tij./Media Ndërtimi