Më shumë se 14 milionë euro investim nga Qeveria e Serbisë dhe Kisha Ortodokse Serbe, janë finalizuar në një lagje luksoze që tash e sa vjet njihet si ‘Lugina e Diellit’. Megjithatë, plani për kthimin e mbi 1 mijë e 500 serbëve të zhvendosur nga Kosova, ende nuk dihet nëse do të jetësohet.
Edhe pse shtëpitë e ndërtesat në këtë lagje në Zveçan janë finalizuar, banorët serbë ende nuk janë vendosur.
Tash e dy vjet në vazhdimësi është raportuar se pritet të vendosen serbët në lagjen e njohur si ‘Lugina e Diellit’. Megjithatë një gjë e tillë deri më tash nuk ka ndodhur.
Gazeta Nacionale ka qëndruar në zonën që hynë në komunën e Zveçanit.
Aty është vërejtur se ndërtimi i shtëpive dhe ndërtesave kolektive ka përfunduar. Ka mbetur vetëm edhe mbushja e këtyre shtëpive me moblije. Deri më tash, asnjë serb nuk është vendosur.
Hajdin Ibishi, përfaqësues i fshatit Suhodoll skaj kësaj zone ku është ndërtuar kjo lagje, ka thënë se serbët po kanë hezitime të vendosen në këtë pjesë. Ai tregon nga ku planifikohet që të vijnë këta serbë.
“Edhe këto janë ndërtime pa leje, edhe pse janë pas luftës kohën e fundit, por qeveritarët tanë nuk i kanë ndaluar. Janë për refugjatë prej Bosnës, Kroacisë. Këta s’po i ndalon kërkush, e neve po. Nuk i di arsyet, por me siguri edhe ata nuk janë të gatshëm për me ardhë këtu. Për më vonë te shohim”, ka thënë Ibishi për Nacionalen.
Ai ka treguar se ndërtimi i kësaj lagje, ua ka bërë të pamundur shqiptarëve të shfrytëzojnë pronat e veta.
“E kanë zënë rrugën me ndërtesa kolektive, banorëve tonë iu pengon me i punu tokat e tyre që janë në këtë pjesë dhe është problem i madh. Komplet kjo pjesë është pronë e shqiptarëve, dhe iu pamundësohet me punu sepse e kanë bllokuar me ndërtime. Jemi ankuar por kot, por nuk ka pas ndonjë reagim prej qeverisë ose ministrive”, deklaron më tutje Hajdin Ibishi nga Suhodolli.
Projekti milionësh ‘Lugina e Diellit’
Marrëveshja për ndërtimin e vendbanimit “Lugina e Diellit” ishte nënshkruar në vitin 2015 nga Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe dhe organi i përkohshëm në Zveçan, që funksionon në kuadër të sistemit serb.
Në krye të këtij organi është Ivan Todosijeviq, ish-ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal të Qeverisë së Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë.
Vendbanimi ishte ndërtuar në vitin 2016. Në një sipërfaqe prej 15 hektarësh tokë janë 300 njësi banesore të destinuara për personat e zhvendosur nga Kosova, të komunitetit serb.
Është raportuar se projekti kap vlerën prej 14 milionë eurosh.
Për këtë çështje kohë më parë kishte folur ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.
“Ajo çka ka ndodhur në veri, me aq sa kemi ne informacion, i bie që as me planet urbane të Serbisë nuk është… Pra, zhvillimi në Luginën e Diellit konsiderohet si ndërtim pa leje sa u përket institucioneve të Republikës së Kosovës, por nuk ka asnjë informacion që ekziston çfarëdo leje ndërtimore, respektivisht çfarëdo lloj plani hapësinor, që është respektuar për ndërtimin e tij. Prandaj, mund të themi se në tërësi është një veprim i jashtëligjshëm dhe në kundërshtim me çfarëdo ligji”, kishte thënë Aliu në një seancë të Kuvendit të Kosovës.
Për këtë çështje kishte komentuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një letër dërguar Komunës së Zveçanit, e cila e ka shpallur qytetar nderi më 14 korrik, ka thënë se “gjithçka që bëhet dhe ndërtohet, çdo gur në Luginën e Diellit është themeli ynë për të ardhmen në këto hapësira”./Media Ndërtimi.