Arkitekturë
Prishtina, shembull i gabimeve arkitektonike
Arkitektura përveç talentit padyshim, që kërkon një lloj sensi të analizës, projektimit dhe kreativitetit. Gëzim Kastrati, arkitekt dhe bashkëthemelues i studios Innarch në Prishtinë e citon prof. Güther Domenik “Arkitektura është gjithçka”, pra është multidimensionale, paraqet kulturën dhe zhvillimin e një populli, reflekton kushtet socio-ekonomike-politike, në të cilën ndodhet një vend.
Arkitektura është e lidhur ngushtë me zhvillimet industriale e teknologjike. Është arti dhe shkenca e projektimit të strukturës dhe vëllimit të objekteve. Ndërsa nga e kaluara sjellë Le Corbusier, i cili shtyu limitet, shtyu zhvillimin në arkitekturë sepse ishte artist, skulptor dhe ai dinte çdo gjë për proporcionet. Kishte konceptin për hapësirën, shoqërinë dhe se si shoqëria duhet të jetojë. Tani sistemet e hapura janë të nevojshme. Është koha të rishikohet përsëri termi i arkitekturës dhe në çfarë drejtimi duhet të zhvillohet ai, shkruan revista Flatra.
Megjithatë z. Kastrati thotë se ka mësuar shumë edhe nga udhëtimet nëpër botë. Ai tregon se si fëmijë ka udhëtuar shumë me familjen e tij, që nga Azia e Vogël, Athina e deri në Istri. Udhëtime këto, të cilat kanë ndikuar në vendimin e tij të mëvonshëm për të studiuar në këtë lami. “Arkitektura cilësohet si një nga profesionet më të bukura. Profesion human pasi gjithnjë është në shërbim të shoqërisë. Çdo gjë fillon nga një hapësirë dhe konceptimi i saj që nga paraqitja e qenies njerëzore, ku ai së pari kërkon strehim, mbrojtje nga kushtet atmosferike dhe ambienti ku jeton. Përgjatë civilizimeve dhe shekujve ajo ka evoluar dhe i është përshtatur kushteve dhe kërkesave jetësore të njeriut. Dhe në vendet që kam pasur fatin t’i vizitoj, kam përjetuar dhe perceptuar nga afër hapësirën, vëllimet, proporcionet, koncipimin, teknikat dhe materialet me të cilat ato janë ndërtuar. Një shëtitje nëpër faqet e historisë së zhvillimit të qyteteve dhe mënyrës së jetesës së njeriut në kohë të ndryshme si lloj aventura në mëhallat, agorat, teatro, piaca, sheshe, rrugë, bulevarde, objekte, që kanë lënë padyshim mbresa dhe gjurmë që zgjuan interesim të vazhdueshëm në rininë time dhe u kurorëzuan me profesionin e arkitektit. “
Prishtina, kryeqyteti kaotik
Megjithatë jo gjithmonë janë arkitektët ata të cilët konsultohen kur kemi parasysh ndërtimin apo realizimin e një projekti të caktuar. Kjo fatkeqësisht ndodh në vendin tonë, ku gjithçka ndërtohet pa një plan konkret. Prishtina është bërë shembull se si nuk duhet të gabohet, një hapësirë ku ndërtohet pa kritere e parime. Këtij fenomeni i ka ndihmuar edhe e kaluara, pasi qyteti është shkatërruar dhe rindërtuar periodikisht nga pushtuesit, që kanë qenë të pranishëm që nga Perandoria Romake, Bizantine, Osmane, Austro/Hungareze e deri në kohën e Jugosllavisë. Sipas hulumtimeve të bëra rezulton se çdo pushtues në këtë qytet shkatërroi dhe minimalisht përvetësoi nga paraardhësi i tij duke tentuar ta zhduk ekzistencën e tjetrit. Si pasojë e këtij fenomeni qytetit të Prishtinës i mungon një historik i mirëfilltë i zhvillimit në trashëgimin arkitektonike.
“Arkitektura në Prishtinë ndodhet në gjendje të vështirë. Kjo si rrjedhojë e ndryshimeve të vrullshme, që ndodhen pas vitit 1999. Jo vetëm qyteti i Prishtinës, por asnjë qytet tjetër në Kosovë në secilën legjislaturë nuk qe i gatshëm dhe nuk arriti t’i përballojë kërkesat në radhë të parë të qytetarëve, banorëve dhe investitorëve, qofshin ata vendor apo të huaj. Munguan hartimet e planeve të mirëfillta urbane për zhvillimin e qyteteve. Kishte tentime dhe përderisa hartoheshin planet zhvillimore, në anën tjetër ndërtimet ilegale kishin avancuar hovshëm në zonat urbane dhe rurale, gjë që penguan dhe vazhdojnë të krijojnë probleme enorme në realizimin e planeve tashmë rregullative.”,- tregon z. Kastrati derisa nënvizon faktin se tërësitë urbane janë degraduar dhe ndryshimet në infrastrukturë pa hulumtime dhe analiza profesionale kanë rezultuar në një gjendje dhe jetë kaotike, të cilën e ofron qyteti. Një përgjegjësi që duhet ta kemi të gjithë si profesionistët ashtu edhe qytetarët.
“Duhet te jemi te vetëdijshëm për atë, që po krijojmë dhe po ju lëmë gjeneratave sepse ato do të na gjykojnë”, janë pikërisht mësimet që z. Kastrati citon nga profesor Bashkim Fehmiu, e të cilat duhet të na bëjnë më të ndërgjegjshëm ndaj veprimeve që bëjmë.
“Nuk ishim ne të parët, që përjetuam gjendjen kaotike në qytet. Praktikat tregojnë se çdo qytet i mbingarkuar zgjodhi problemet e veta duke intervenuar së pari në periferi duke bërë zgjidhje të qëndrueshme urbanistike dhe në këtë mënyrë zvogëluan gravitimin e qytetarëve në qendrën e qytetit. Ndërsa tek ne ndodhi e kundërta, çdo qeverisje lokale që nga paslufta filloi punimet nga filluan pothuajse çdo pushtues nga qendra e Prishtinës me intervenimin apo revitalizimin e sheshit Nëna Tereze. Arkitektura tek ne them se paraqitet rrallë dhe ndodh atëherë kur takohet arkitekti me investitorin që ka njohuri në këtë fushë. Misioni dytësor i arkitektit është vetëdijesimi sa do i mundshëm i investitorëve dhe opinionit të gjerë me qëllim të një realizimi pa devijim nga projekti.”
Por çfarë duhet të ndërmerret që të mos vazhdohet në një degradim të mëtejshëm të qytetit? Z. Kastrati thotë s’duhet punuar më shumë dhe më me kujdes në këtë drejtim. “Derisa kemi tenderime, skena e arkitekturës në Kosovë do të vazhdojë të jetë monotone, pa inovacione dhe aspak dinamike. Nuk është etike ajo që po ndodh tek ne, që njerëz të profesioneve të ndryshme japin mendime apo kritika për profesione të ndryshme. Kjo dukuri e ngarkon edhe më tej gjendjen në të cilën ndodhet shoqëria jonë. Më i dëmshëm është fakti se kur njohësit e fushës i injorojnë ndaj problemeve aktuale dhe vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë.”
Arkitektura shpeshherë është trajtuar si shprehje apo forcë personale e krijuesit. Si arrihet që një profesionist i kësaj lëmie të gërshetojë përvojën personale me punën dhe njëkohësisht të përcjellë përmes veprës që realizon një mesazh të qartë tek të tjerët?
“Gjithnjë fillohet me analiza, hulumtime dhe ide, të cilat përpunohen dhe shpijnë në formimin e një koncepti të qëndrueshëm. Është e natyrshme, që secili profesionist të ketë një gjuhë, që e bënë atë të dallohet me krijimet e tij. Mundohem të mbrohem nga ndikimet duke tentuar, që vëllimet, format, detajet t’i përpunoj dhe avancoj më te, e në këtë mënyrë të krijoj përmes funksionit, vëllimit, proporcioneve dhe materialeve një projekt të veçantë. Gjithashtu dua ta sjellë këtu Lears Lerup, i cili e ndanë arkitekturën në tri pjesë krahasuar me objektin. Disa arkitektë merren më shumë me bazamentin dhe funksionalizimin e tij si Steven Holl apo Raimund Abraham. Disa të tjerë interesohen më shumë në pjesën e mesme të objektit si Mies van der Rohe, Rem Koolhaas dhe gjithë arkitektët tjerë holandezë, të cilët janë më racional. Janë disa të tjerë, të cilët janë të fiksuar me kulmin, si Le Corbusier, Zaha Hadid, Coop Himmelblau.“ /Revista Flatra/ Nga: Besa Gjoni / Foto: Petrit Prenaj