Aktuale
Ndërtohet një treg për shitësit ilegal
Tregu aktual i fruta-perimeve pranë lulishtes “1 maji” në njësinë nr.5 shumë shpejt do të ketë një pamje të re, ndërsa hapësira do të katërfishohet. Bashkia e Tiranës ka nisur sot punën për rehabilitimin e këtij tregu, ndërsa kryebashkiaku Veliaj u ka bërë thirrje të gjithë tregtarët ambulant të zhvendosen në ambientet e reja.
“Praktikisht po katërfishojmë tregun, nga 12 vende, në mbi 50. U kërkoj të gjithë ambulantëve që mbasi të ndërtohet tregu, të përdorin tezgat, të shërbejnë një metër mbi kanalet e ujërave për të siguruar higjienë ushqimore. Për sa kohë që bashkia nuk ka pasur tregje, kemi mirëkuptuar ambulantët e shtrirë kudo, qoftë edhe në oborre shkollash. Për sa kohë që tani shkollat po bëhen të reja, po bëhen edhe tregjet e reja, atëherë them shkollat duhet t’i mbajmë për të mësuar, tregjet për të konsumuar mall”, u shpreh ai.
Kryebashkiaku kërkoi bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve që të konsumojnë produkte të cilat shiten brenda kushteve dhe të shmangin ato të cilat nuk respektojnë asnjë kriter, duke u kthyer në rrezik për jetën e komunitetit.
Gjithashtu, ai u kërkoi qytetarëve që të mos bien pre e tregtarëve të cilët abuzojnë me çmimet në prag të afrimit të festave.
“U kërkoj të gjithë qytetarëve bashkëpunim për të kërkuar vulën e mishit, për të parë çmimet në treg dhe për të mos lënë asnjë abuzues, sidomos tani që afrohen festat e nëntorit dhe të Vitit të Ri, ku gjithmonë ka një tendencë për të abuzuar”, theksoi kreu i Bashkisë.
Kryetari i Bashkisë paralajmëroi se në përfundim të ndërtimit të tregut të ri, do të nisë aksioni për rehabilitimin e të gjitha hyrje-daljeve në këtë zonë, për të rritur sigurinë e këmbësorëve dhe të drejtuesve të automjeteve.