Serbia është entitet i ndërtuar mbi themelin “komb-shtet-kishë”. Këtë trinom e zbërthen mjaft mirë historiani kroat Branimir Anzuloviq në librin e tij “Serbia Hyjnore”. Ideja fillimisht do të buronte nga Shën Sava, një princ dhe murg serb i shekullit 12 që, sipas Anzuloviqit, ia ka nëpërkëmbur misionin burimor religjioz kishës ortodokse.
Shënsavizmi tashmë është trashëgimi politike serbe. Prandaj, goditja që mund/do ta marrë Kosova këtë vjeshtë nga Europa Nostra, që është fitore e kishës ortodokse serbe ndaj qeverisë kosovare, në fakt duhet të shihet si fitore e Serbisë ndaj Kosovës në këtë çështje. Çka korret prej kësaj mbetet të shihet në fund të krejt procesit të dialogut mes dy shteteve.
Europa Nostra pritet ta rikthejë në diskutim publik Manastirin e Deçanit. Afati për aplikim në programin “7 monumentet më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore” tashmë është mbyllur dhe është çështje kohe deri kur institucionet në Prishtinë ta nxjerrin nga xhepi “çudinë” ndaj organizatës më të vjetër të trashëgimisë kulturore në Evropë. Në bazë të sjelljeve të deritashme, gjasat janë të mëdha që një vend në këtë listë të jetë siguruar tashmë për monumentin shtatë shekuj të vjetër.
Thyerja filloi më 2021, kur Europa Nostra e cilësoi si objekt në rrezik kulturor, manastirin ortodoks serb, për të cilin qeveria thotë se s’iu bë asnjë grithje e vogël qe moti kohë. Ekzekutivi u përpoq ta argumentojë të kundërtën përmes letërkëmbimeve, por asgjë s’u kthye mbrapshtë. Përkundrazi, fatkeqësia përshkalloi edhe më tej, kur një ekip i kësaj organizate erdhi në Kosovë, jashtë protokollit qeveritar.
Frytet e delegacionit “turistik”
Fotografia e nikoqirllëkut të igumenit Sava Janjiq ndaj anëtarëve të Europa Nostras, më 6 qershor, që edhe tregonte mbërritjen e tyre në Kosovë, do ta përshkruante më së miri si qëndron raporti i kësaj organizate me shtetin e Kosovës dhe anasjelltas. Kur më ra në sy kjo shkrepje, pak a shumë arrita ta analizoj më ndryshe përmbajtjen, në bazë të një përvoje të mëhershme.
Para dy vjetëve, shkova në Manastirin e Deçanit për intervistë me igumenin Janjiq, lidhur me problemin e rrugës që çon për në Plavë. Që të mos “shteren” krejt pyetjet, edhe për efekt psikologjik po ashtu, praktika në gazetari e preferon një muhabet pak më relaksues para se të nisë xhirimi. Kështu veprova edhe me igumenin. U interesova për lëngun e mollës që ma servoi pasi ia refuzova rakinë, meqë nuk e pi. Ishte hera e parë që po rrija në një tavolinë me një udhëheqës fetar ortodoks. Prej bisedës aty dhe intervistës më pas, vërejta se Janjiq është i vëmendshëm për mënyrën si e ndërton imazhin e vetë dhe të asaj që përfaqëson. Kjo mund të kuptohet pak a shumë edhe në distancë, nga llogaria e tij në Tëitter, ku shkruan madje edhe për sport.
Natyrisht, në fotografinë me delegacionin e Europa Nostras nuk kishte lëng molle. Tavolina me bollëk dhe diskutimet që mund të kenë buruar aty mund të na shijojnë keq kur të shpallet lista e shtatë monumenteve më të rrezikuara.
Janjiq është i bindur se manastiri që e drejton është në rrezik, teksa thotë se ai vetëm mund t’i hedhë duart pas kokës, sepse situatën në dorë e kanë institucionet e Kosovës. Shoqërimi i delegacionit thuajse tërë kohën e paratregon qëndrimin e Europa Nostras ndaj temës së Kosovës. Të dërguarit, ndër ta edhe një shqiptare nga Shqipëria, kishin zgjedhur madje edhe të udhëtonin me veturën dhe vozitësin e manastirit.
Në anën tjetër, ka qenë i habitshëm mosinteresimi i qeverisë për ta marrë nën ombrellë këtë vizitë zyrtare. Prishtina zyrtare është dashur ta kthejë në avantazh prezencën fizike të kësaj organizate. Mirëpo, ndodhi e kundërta. Dy ministra, ai i Kulturës dhe ai i Infrastrukturës, u shndërruan në agjendë të Europa Nostras, që as nuk i trajtoi me prioritet, pasi takimin me ta nuk e organizoi në fillim, por pas disa ditësh.
Agjenda, bashkë me elementet tjera që u prezantuan në faqen zyrtare dhe përmbledhjen në fund, bëjnë të kuptohet se lëvizjet e këtyre të dërguarve nuk ngjanë fort me vizita shkencore, aq sa me shëtitje turistike. Argumentimi që ripohonte qëndrimin e organizatës për rrezikshmërinë e Manastirit të Deçanit nuk dalloi aq nga konstatimet në distancë të para dy vjetëve. Sidoqoftë, ajo që ka rëndësi në këtë situatë është se Europa Nostra nuk ndërroi mendje për monumentin ortodoks. As nuk i bënë përshtypje alarmet e qeverisë kosovare për Kalanë e Artanës, e cila, sipas ministrit Hajrulla Çeku, e meriton të jetë pjesë e listës së shumëpërfolur.
Opinion nga Haris Ademi.
(Autori është gazetar në televizionin Klan Kosova, ndërsa ky opinion përfaqëson qëndrim personal të tij).