Një mozaik i zbukuruar bizantin i dyshemesë që tregon një shumëllojshmëri zogjsh shumëngjyrësh dhe kafshë të tjera është zbuluar rastësisht në Gaza në Palestinë, pasi një fermer palestinez ishte duke mbjellur pemë të reja në tokën e tij.
Salman al- Nabahin e zbuloi reliken gjashtë muaj më parë, teksa punonte në kopshtin e tij të ullirit, rreth një kilometër nga kufiri me Izraelin.
Duke parë se disa pemë nuk kishin zënë rrënjë si duhet, Nabahin thotë se ai së bashku me djalin e tij filluan të gërmojnë, derisa sëpata e djalit goditi diçka të fortë në tokë.
“Kërkova në internet dhe mësuam se ishte një mozaik i epokës së bizantit. Unë e shoh atë si një thesar, më të shtrenjtë se një thesar. Nuk është personal por i përket çdo palestinezi” thotë babai i shtatë fëmijëve.
Ministria Palestineze e Turizmit dhe Antikiteteve tha se dyshemeja përfshinte disa panele mozaiku që përshkruanin kafshë dhe tipare të tjera të jetës shoqërore gjatë epokës bizantine.
“Zbulimi arkeologjik është ende në fazat e tij të hershme dhe ne presim të dimë më shumë për sekretet dhe vlerat e qytetërimit. Ekipet kombëtare kërkimore po punojnë në partneritet me ekspertë ndërkombëtarë dhe shkencëtarë nga Shkolla Franceze e Arkeologjisë” thuhet nga kjo ministri.
Gaza është e pasur me antika dhe vitet e fundit janë bërë disa zbulime, por për shkak të mungesës së fondeve dhe profesionistëve përkatës, Gaza zakonisht ka ftuar grupe ndërkombëtare për të ndihmuar në procesin e gërmimit dhe ruajtjes./Media Ndërtimi