Muzeu Arkeologjik i Durrësit është kantieri më i ri i restaurimit, që do ta shndërrojë atë në qendrën më të rëndësishme dhe më të vizituar të trashëgimisë kulturore.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ku thekson se ky kantier i ri është pjesë e programit EU4Culture Albania.
Muzeu Arkeologjik është një burim me rëndësi arkeologjike ndërkombëtare. Duke marrë parasysh kushtet ekzistuese, ndërtesa ka pësuar dëmtime në shumë lokacione për shkak të tërmetit, e në disa lokacione, struktura mbajtëse është prekur.
Fasada, dritaret dhe sipërfaqet e brendshme gjithashtu pësuan dëmtime të vogla. Mungesa e përgjithshme e mirëmbajtjes është gjithashtu e dukshme kudo, veçanërisht në katet e sipërme dhe zonat e pasme e të jashtme.
Rijetësimi i propozuar ofron mundësinë që siti të jetë në pararojë të muzeologjisë dhe konservimit, duke zbatuar gjithashtu një model të qëndrueshëm biznesi./Media Ndërtimi