Shqipëria ka përqindje shumë të ulët të automjeteve të reja në raport me numrin e përgjithshëm të tyre.
Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor tregojnë se në fund të vitit 2021 vetëm 0.6% e autoveturave aktive të regjistruara ishin makina të reja. Makina të reja, sipas metodologjisë së përdorur nga Eurostat, konsiderohen ato të prodhuara gjatë dy viteve të fundit.
Me këto shifra, Shqipëria është larg niveleve më të fundit të raportuara nga vendet e Bashkimit Europian.
Sipas Eurostat, për vitin 2020, vendi i BE me peshën më të madhe të makinave të reja kundrejt totalit të mjeteve të regjistruara ishte Luksemburgu, ku këto mjete përbënin 22% të totalit të mjeteve në qarkullim.
Pas Luksemburgut, vijojnë një grup shtetesh si Franca, Austria, Irlanda, Belgjika dhe Suedia, që e kanë peshën e automjeteve të reja në intervalin mes 16% dhe 17%.
Në fund të renditjes, me peshën më të ulët të mjeteve të reja, renditen Rumania, Letonia dhe Lituania.
Në Shqipëri vazhdojnë të dominojnë automjetet e vjetra, të prodhuara para vitit 2005. Vitin e kaluar, ato përbënin mbi 57% të numrit të përgjithshëm të automjeteve.
Ndërkohë, automjetet e prodhuara para vitit 2009 përbëjnë pothuajse 87% të numrit të mjeteve aktive në vend, në fund të vitit 2021.
Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor tregojnë se deri në mesin e këtij viti në Shqipëri rezultonin zyrtarisht të regjistruara vetëm 624 autovetura elektrike.
Ndërkohë, automjetet hibride që, përveç lëndëve djegëse fosile, funksionojë pjesërisht me energji elektrike, janë pak më shumë se 1300.
Gjithsej, automjetete elektrike dhe hibride përbëjnë vetëm 0.3% të numrit të përgjithshëm të automjeteve aktive në Shqipëri./Media Ndërtimi