Popujt dhe vendet kanë në vete shumëllojshmëri identitetesh, disa nga to janë, gjuha, doket e zakonet, elemente këto që përbëjnë bazën identifikuese të një populli.
Por, identiteti është më kompleks, ai nuk përfundon vetëm me gjuhën e zakonet e një vendi. Pashmangmërisht pjesë identifikuese dhe pasqyruese e një kombi/vendi, është edhe mënyra se si dhe cfarë ndërtohet aty.
E kjo më së miri shprehet përmes arkitekturës, e cila është më shumë se art e po ashtu më shumë sesa vetëm tulla ndërtimi.
Por, arkitektura nuk kufizohet vetëm në këtë definim, përveç nevojave të gjithmbarshme jetësore, sipas arkitektit, Arbër Sadiki, arkitektura “më shumë se kushdo tjetër tregon gjendjen e një shoqërie”.
“Pavarësisht natyrës së saj shërbyese në thelb, arkitektura asnjëherë nuk ka mundur t’i ikë edhe dimensionit të saj politik. Pra duke qenë se çdo epokë ka idealet e veta politike, ajo pa dyshim që këtë ideologji e shtrinë edhe në hapësirë përmes arkitekturës që prodhon”, është shprehur arkitekti Sadiki për Portalin Dukagjini.
Sipas disa arkitektëve të Kosovës, arkitektura e pasluftës në Kosovë, nuk përfaqëson asgjë më shumë se kaos urbanistik. Sipas, arkitektit Visar Geci, arkitektura flet për “mentalitetin dhe kulturën e një populli, ajo tregon për mentalitetin, e mënyrën e jetesës”.
Arkitektura në Kosovë, përfaqëson vetëm kaos urbanistik. Nuk ke indentitet tash. E ke secilin investitorë arkitektë, nuk bën më arkitekti projekte, bën investitori, sepse thotë (Unë dua kështu, sepse unë i kam arët). Nuk respektohen ligjet, nuk respektohet vija e ndërtimit, nuk respektohet parcela. Ne përpos që dalim përtej vijave të ndërtimit, ne dalim edhe përtej parcelës tonë, duke e marrë parcelën e shtetit”, është shprehur arkitekti Visar Geci për Portalin Dukagjini.
Gjithashtu edhe profesoresha e historisë, teorisë dhe trashegëmisë arkitekturale Florina Jerliu thekson se te ne nuk ka ndërtime që bëhen me këtë lloj të arkitekturës.
“Brutalizmi ka qenë një tendencë stilistike e arkitekturës moderniste. Nuk ndërtohet më ashtu, i takon së kaluarës. Në botë më shumë ka tendenca minimaliste që marrin shkas/huazojnë nga brutalizmi. Te ne, këto nocione nuk duken gjëkundi në sfondin e një vizioni stilistik. Te ne thjesht ndërtohet për të akomoduar nevojat dhe funksionet bazë, e që kjo shtron si pyetje nëse është arkitekturë apo veç ndërtim ajo që ka formësuar qytetet tona të pasluftës” ka shpjeguar profesoresha Jerliu.