Ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit Hajrulla Çeku ka vizituar gjatë të premtes Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana për të parë nga afër punimet që po kryhen në kuadër të kërkimeve arkeologjike.
Gjatë vizitës në këtë lokalitet, Çeku u takua me përfaqësuesin e Universitetit të Parisit “Ecole Normale Superieure”, Christophe Goddard si dhe arkeologët Arben Hajdari dhe Milot Berisha.
Aty ai u njoftua nga afër për ecurinë e punës, gjetjet e deritanishme dhe fazat e ardhshme të punimeve.
Programi për gërmime në Lokalitetin Arkeologjik Ulpiana po realizohet pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës, Universitetit të Prishtinës, Ambasadës së Francës në Kosovë dhe Shkollës së Lartë Normale pranë Universitetit të Parisit.
Përmes këtij programi është siguruar mbështetje teknike, shkencore dhe financiare me synim zhvillimin e Lokalitetit Arkeologjik Ulpiana si aset me vlera të rëndësishme historike, artistike, shkencore e ekonomike./ Media Ndërtimi