Aktuale
Ndërmarrja Publike Banesore rritë fitimin për 100 fish
Kryetari i Komunës dhe kandidati edhe për një mandat nga radhët e Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti bashkë me kandidatët për Kuvend komunal, Drilon Pireva, Bashkim Beha e Polinik Berisha, vizituan sot Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB), ku takuan drejtorin, Nexhat Krasniqi dhe stafin e ndërmarrjes, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Kjo ndërmarrje prej vitit 2014, nga një ndërmarrje me fitim rreth 3000 euro, është shndërruar në një ndërmarrje me fitim rreth 300.000 euro. Pra, 100 fish më shumë. Menaxhimi, faturimi dhe inkasimi më i mirë e ka sjellë këtë rritje të të hyrave dhe të fitimit. Aktualisht në llogari të ndërmarrjes janë rreth 1 milionë e 500 mijë euro, të cila do t’i përdorë në funksion të rritjes së shërbimeve për qytetarët”, tha Ahmeti, transmeton Koha.net.
Nga ky vit, NPB ka nisur shërbimin për rregullimin e hyrjeve kolektive.
“Jemi licensuar në Ministri të Mjedisit si kompani që mund ta kryejë shërbimin e mirëmbajtjes së hyrjeve, lyerjes, vendosjes së interfonëve, mirëmbajtjen e ashensorëve, si dhe intervenimet tjera brenda hyrjes. Interesimi i qytetarëve është shumë i madh për shërbimet e tilla”, theksoi Ahmeti.
Ndërmarrjes Publike Banesore i janë marrë disa prona, si pjesë e shpronësimeve të qeverisë për ndërtimin e autostradave dhe projekteve tjera, në vitin 2010. Ligji thotë se afati i pagesës së shpronësimit është 2 vite. Qe 7 vite, Qeveria nuk ia ka paguar NPB-së mbi 5 milionë e gjysmë euro. NPB e ka paditur Qeverinë dhe ka fituar në shkallën e parë.