Projektet për ripërdorimin e pronave të konfiskuara thurin kulturën e rezistencës ndaj grupeve kriminale, por ndërtimi i biznesve sociale në mjediset e tyre mbetet sfidë për organizatat vendore në Shqipëri.
Sipas Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, AAPSK, nga viti 2011 deri në vitin 2020 në Shqipëri janë sekuestruar rreth 20 milionë euro prona nga krimi organizuar, përfshirë para të thata, llogari bankare, automjete dhe pasuri të patundshme.
Ligji parashikon që pasuritë e konfiskuara nga Agjencia të kalojnë për përdorim nga institucionet shtetërore ose për shitje në ankand. Ato gjithashtu mund t’i transferohen për ripërdorim social organizatave të shoqërisë civile, shkruan Reporter.al.
Drejtuesi i AAPSK-së, Qirjako Theodhori thekson se deri në vitin 2021, agjencia nuk ka arritur të shesë asnjë aset të konfiskuar me ankand – me përjashtim të një toke dhe disa automjeteve.
“Fakti që pronat nuk janë shitur në ankand tregon njëfarë frike, njëfarë tërheqje të njerëzve,” theksoi Theodhori, i cili shpjegoi që edhe toka e vetme e shitur nuk është marrë në dorëzim nga fituesi i ankandit.
Me ndihmën e programit C.A.U.S.E të financuar nga Komisioni Europian dhe të zbatuar nga organizata “Partnerët për Ndryshim dhe Zhvillim në Shqipëri”, në vitin 2016 ka filluar procesi i transferimit të disa pasurive të paluajtshme të konfiskuara tek organizatat e shoqërisë civile për ripërdorimin e tyre në projekte për sipërmarrje sociale.
Klotilda Tavani, drejtuese e programit pranon se ky proces ka qenë plot sfida, pasi numri i pronave të konfiskuara ka qenë i vogël dhe programi zbatohej për herë të parë në Shqipëri.
“Ky koncept ishte i vështirë për t’u kuptuar kështu që na u desh që të bënim një punë edukuese dhe trajnuese me organizatat,” shpjegoi Tavani.
“Qëndron edhe frika që ti do hysh në një pronë të konfiskuar, që dikur i ka përkitur një grupi kriminal apo një individi që ka pasur probleme me ligjin,” shtoi ajo.
Megjithë frikën e arsyeshme nga krimi i organizuar, drejtuesi i AAPSK-së, Qirjako Theodhori thekson se nuk janë raportuar shqetësime nga organizatat që i kanë marrë në përdorim pronat e konfiskuara.
“Në këto prona të dhëna nuk ka pasur asnjë problem,” theksoi ai. “Mund të ishte meraku se kur t’i marrin këto se si mund të reagojnë, por nuk ka pasur asnjë problem,” nënvizoi Theodhori.
Sipas Fabian Zhillës, përfshirja e organizatave ndërkombëtare në këto projekte e amortizon presionin e mundshëm që mund të vijë nga krimi i organizuar.
“Personat që vijnë nga bota e krimit dhe që i kanë pasur këto prona nuk kanë një interes për të ngacmuar apo për të sulmuar ata persona që punojnë dhe sot kanë një projekt në këto objekte, pasi ato janë nën vëzhgimin e një sërë institucionesh dhe një sërë organizatash,” tha ai.
“Nëse do të ndodhte që një nga këto objekte – i kthyer në model social, të sulmohej apo të kërcënohej, do të sillte që një sërë organizatash ndërkombëtare të reagonin,” shtoi Zhilla.
Ndryshe, eksperti shqiptar thekson se dhënia me qira për biznese fitimprurëse e këtyre pronave është shoqëruar me kërcënime dhe në disa raste, ato kanë përfunduar në duart e krimit të organizuar. Sipas tij, ka pasur raste kur qiramarrësi është tërhequr pas një kohe të shkurtër nga kontrata, për shkak se ‘pronarët e dikurshëm’ i kanë kërcënuar dhe i kanë kërkuar që të largohen nga objekti.
“Po të lexosh raportet vjetore nga Agjencia një gjë e tillë thuhet, por preket shumë pak dhe nuk japin detaje lidhur me arsyet që çojnë në lënien e këtyre pronave,” tha ai.
“Kemi edhe raste të tjera ku këto prona janë marrë sërish me qira nga persona që janë të lidhur direkt ose indirekt me persona që i kanë pasur këto prona më parë,” shtoi Zhilla./Media Ndërtimi.