Komisioni i Ekonomisë rrëzoi të martën dekretin e Presidentit Ilir Meta që rikthente për rishqyrtim në Kuvend marrëveshjen për menaxhimin e Butrintit. Socialistët mbrojtën projektin fillestar për dhënien e menaxhimit një fondacioni privat, pavarësisht kundërshtimit të opozitës.
Dekreti i presidentit për kthimin e ligjit nr. 50/2022 “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nën zonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e parkut kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit” shkaktoi debate në Komisionin e Ekonomisë para se të rrëzohej me votat e PS-së.
Përfaqësuesi i Presidencës, Bledar Dervishaj, argumentoi arsyet e kthimit të ligjit nga ana e presidentit Meta dhe kërkoi nga deputetët të pranojnë dekretin dhe të ngrenë një Komision të Posaçëm Parlamentar pasi, sipas tij, “çështja përbënte interes të lartë publik”.
“Nëse shumica zgjedh të rrëzojë dekretin dhe të vijojë me hyrjen në fuqi, nuk do t’i shërbente interesave të larta të vendit, por do të përkeqësonte dhe një marrëdhënie të organit të shtetit me shoqërinë civile, ekspertët dhe qytetarëve në përgjithësi”,- tha Dervishaj.
Sipas Dervishajt, ligji cënonte konventat ndërkombëtare, rezolutën e Parlamentit Europian për trashëgiminë kulturore dhe binte ndesh me praktikat e Gjykatës Kushtetuese.
Duke iu referuar konceptit të ri të menaxhimit të Butrintit, ai theksoi se “shmang auditimin nga institucionet e pavarura kushtetuese për të ardhurat që do të krijohen dhe mënyrës së përdorimit të tyre”.
Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit u krijua me një marrëveshje mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF, një korporatë jofitimprurëse e regjistruar në Delaware të Shteteve të Bashkuara, i cili ka mbështetur edhe hartimin e planit të biznesit për menaxhimin e Butrintit. Marrëveshja mes Ministrisë dhe këtij fondacioni parashikon lënien në menaxhim të Parkut Kombëtar të Butrintit për 10 vite./Media Ndërtimi.