Aktuale
Inspektorati i Punës ka gjetur 900 punëtorë pa kontrata, që u pajisën më pas
Puna pa kontrata vazhdon të jetë një nga shkeljet kryesore që u bëhet punëtorëve në Kosovë.
Është raportuar se ky numër arrin deri në 150 mijë. Mirëpo, këtë shifër e hedh poshtë Inspektorati i Punës.
Kryeinspektori i punës, Basri Ibrahimi, në një intervistë për Ndërtimi.info ka treguar se ky institucion ka identifikuar 900 punëtorë pa kontrata.
“Është dhënë një shifër për 150 mijë punëtorë pa kontrata pune. A mundet me qëndrua apo jo, po e bëjmë një analizë të thjeshtë. Sipas statistikave tonë është e pa qëndrueshme. Për këta tetë muaj ne kemi gjetur 900 punëtorë pa kontrata pune, prej 30 mijë punëtorëve që i kemi inspektuar”, ka thënë ai.
Ai, këto shifra i ka quajtur paushalle, duke shtuar se informata të tilla, të pa qëndrueshme, ndikojnë negativisht tek punëtorët, që aktualisht janë pa kontratë pune.
“Nëse themi që janë 150 mijë pa kontrata pune dhe një punëtor atje është në terren është pa kontratë pune dhe kur e sheh këtë shifër do të dekurajohet totalit që të merr guximin dhe të kërkojë një të drejtë të tij. Prandaj këto shifra nuk e dëmtojnë Inspektoratin e Punës, por e dëmtojnë punëtorin në terren”, ka shtuar ai.
Ibrahimi gjithashtu ka bërë të ditur se deri në muajin gusht nga inspektimet e bëra është rezultuar në dhënien e kontratave për 900 punëtorë.
Ai, ka thënë se pavarësisht gjobave që u shqiptohen punëdhënësve, Inspektorati nuk heq dorë nga rasti deri në legalizimin e punëtorëve.