Aktuale
Ja si do të llogaritet taksa e shtëpive nga viti 2018-ë
Taksa e re e pronës që do të aplikohet duke nisur nga 1 janari do të bazohet mbi vlerën reale të pasurisë dhe jo mbi bazë reference. Ministri i Financave të Shqipërisë në daljen për mediat, tha se drafti është gati tashmë dhe se gradualisht taksa do të aplikohet mbi bazën e vlerës reale të pronës.
E sa i përket mundësisë së aplikimit të një tarife të diferencuar për banesat e dyta, ministri mohoi se drafti parashikon diçka të tillë. Kjo nënkupton se për çdo apartament do të paguhet tarifa mbi bazën e vlerës reale, pavarësisht nëse është banesë e dytë e një pronari apo jo. Për këtë qëllim, ministri dha edhe një shembull konkret se si do të llogaritet vlera e pronës.
“Nuk do të ketë nivel të diferencuar për shtëpinë e dytë. Formula është nga fikse në vlerë, në referencë të vlerës. Nëse një shtëpi, është referuar çmimeve minimale fiskale dhe mbi të është vendosur një taksë fikse. Tani avash-avash do të kalojmë në nivelin e vlerës reale të shtëpisë. P.sh shtëpia juaj nuk është 800 euro metri katror sa është çmimi minimal fiskal por është 1200 euro në bazë të transaksioneve të tregut.
Pra përqindja e taksës do të jetë mbi vlerën reale. Nuk do të bëhet dot që nga 1 janari i tillë dhe do të fillojë dhe besoj se në më pak se 2 vite do të kemi një kadastër solide fiskale që do të jetë në favor të vërtetësisë së pronës, por edhe në favor të pushtetit vendor për të tërhequr të ardhurat që i takojnë” tha Ahmetaj.