Largimi nga puna pa asnjë procedurë disiplinore është në kundërshtim me Ligjin e Punës.
Qindra punëtorë në mbarë vendin largohen nga puna me vendime gojore të pronarëve të kompanive, pa asnjë bazë dhe procedurë.
Sipas ligjit, largimi nga puna duhet të kryhet në një procedurë disiplinore pranë një komisioni të kompanisë i cili për të gjithë procedurën duhet të mbajë shënime dhe prodhojë vendime.
Të dhënat tregojnë që punëtorët e larguar nga puna pa u ndjekur këto procedura janë duke u kthyer masivisht në punë nga gjykatat.
Një vendim për ndërprerje të kontratës së punës duhet të jetë i arsyetuar, në të kundërt punëdhënësi i cili shkëputë kontratën në mënyrë të pa arsyeshme mund të paditet.
Kontestet e kësaj natyre sipas ligjit zhvillohen në gjykatat e Kosovës, e të dhënat tregojnë që numri i vendimeve për kthim në punë është shumë herë më i lartë se sa vendimi për pushim nga puna.
Gjatë periudhës kohore 2016-2018, gjykatat në Kosovë zgjidhën mbi 1 mijë lëndë të kthimit në punë ose të pushimit nga puna.
Data baza e të dhënave të hapura të krijuar nga Millennium Foundation Kosova – MFK në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës tregon se numri i rasteve për kthim në punë ka shkuar duke u zvogëluar nga viti në vit.
Sipas MFK-së, vitin 2016 gjykatat tona e filluan 732 lëndë të kthimit në punë, nga të cilat arritën të zgjidhin 410 raste. Prej këtyre lëndëve, me aprovim të kërkesë padisë janë 230 vendime. Me tërheqjen e padisë 81 raste ndërkaq, me hudhje poshtë të padisë 43 lëndë.
Të dhënat e MFK-së më tej sqarojnë se situata ka qenë tërësisht ndryshe sa i përket lëndëve të ndërprerjes së mardhënies nga puna.
Përveç numrit të vogël të rasteve, vetëm 106, në vitin 2016, gjykatat arritën të zgjidhin afër gjysmën e tyre.
Kështu, nga 32 lëndë të zgjidhura, me aprovim të kërkesë padisë janë 14 vendime, 4 me hudhje poshtë të padisë, 7 me tërheqjen e padisë, ndërkaq për 2 është ndërprerë procedura.
Ndërsa në vitin pasues, nga 711 raste në total të kthimit në punë, gjykatat zgjidhën 70% të tyre. Në anën tjetër, në kontestet e pushimit nga puna, numri i lëndëve të zgjidhura vazhdoi të mbetet i vogël, duke përmbyllur vitin me 21 lëndë të zgjidhura.
Të dhënat e MFK-së tregojnë po ashtu se në vitin 2018 kishte rënie të rasteve të paraqitura në gjykatë për kthim nga puna, mirëpo trendi i zgjidhjes vazhdoi të mbetet i njëjtë.
Fillimviti 2018 nisi me 197 lëndë të trashëguara nga viti paraprak dhe 353 lëndë të reja, nga të cilat u zgjidhën 347.
Viti 2018 u përmbyll me 79 lëndë të pazgjidhura të pushimit nga puna e vetëm 30 lëndë të zgjidhura.
Nëse e krahasojmë numrin e lëndëve të zgjidhura në të dy kontestet e punës për tri vite, kuptojmë që gjykatat vit pas viti shënonin ngritje të zgjidhjes së rasteve të kthimit në punë./Media Ndërtimi.
Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin”.
Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).
Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.