Ndërsa po bëhen përpjekje për t’i kthyer serbët e zhvendosur nga Kosova në vendet e tyre nga ku u larguan pas luftës së vitit 1999, ata të cilëve iu është mundësuar kthimi, po i shesin shtëpitë e reja të ndërtuara ose të rinovuara.
Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë zyrtari për kthim në Komunën e Prizrenit, Spasa Andrejeviq.
Vetëm në vendbanimin e Prizrenit, Nënkalaja, që nga viti 2010 janë ndërtuar 34 shtëpi me mjete të Ambasadës Britanike në Kosovë. Megjithatë, aktualisht vetëm në tri prej tyre ka banorë, ndërsa pjesa tjetër janë të braktisura dhe disa janë shitur.
“Si zyrtar, nuk jam i kënaqur me zgjedhjen e përdoruesve, njerëzve të cilëve u janë ndërtuar shtëpitë dhe nuk jetojnë në to, dhe më shumë jam i pakënaqur me faktin se shtëpitë e reja po shiten”, thotë Andrejeviq.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me disa familje që kanë shitur shtëpitë e tyre në Prizren, por edhe në Klinë afër Pejës, por ata nuk kanë dashur të flasin publikisht për këtë gjë.
Spasa Andrejeviq thekson se nuk ka të dhëna të sakta se sa shtëpi janë shitur sepse “nuk merren me shitjen, por me kthimin”.
“Fatkeqësisht, rrethanat janë të tilla, ka shitje, nuk mund të them jo, por nuk po merrem me këtë. Por, si fenomen ekziston”, thotë ai.
Ai, gjithashtu, pohon se personat e zhvendosur nuk nënshkruajnë asnjë kontratë kur vendosin të kthehen, që do të thotë se asgjë nuk i pengon ata ta shesin pronën e tyre.
Personave të zhvendosur nga Kosova iu ndërtohen shtëpitë me fondet e organizatave ndërkombëtare, të Bashkimit Evropian, por edhe të Qeverisë së Kosovës, gjegjësisht Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Disa nga kushtet për kthimin e familjeve të shpërngulura janë që ata të posedojnë pronë që është shkatërruar, pa pasur pronë tjetër dhe të mos kenë shitur asgjë.
Ministria kompetente ofron edhe të ashtuquajturat ‘paketë ndihme’ që parashikon rindërtimin e shtëpisë në varësi të numrit të anëtarëve, orenditë, ushqim për një periudhë të caktuar dhe ndihmën socio-ekonomike.
‘Abuzim me ndihmën’
Përveç faktit se të kthyerit i shesin shtëpitë e tyre pas ndërtimit dhe rinovimit, shumë serbë të zhvendosur vendosin të largohen përsëri pas “kthimit” dhe shtëpitë mbeten bosh.
Milomir Ribaq, një nga organizatorët e kthimit kolektiv të serbëve të zhvendosur në Dresnik afër Klinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se 41 shtëpi janë ndërtuar për serbët në këtë vend ndërmjet viteve 2002 dhe 2005, porse shumica nuk jetojnë më atje.
“(Shtëpitë) po fundosen gjithnjë e më shumë”, thotë ai.
Sipas tij, shtëpitë që nuk janë shitur, janë braktisur për shkak se të kthyerit largohen pasi kanë marrë ndihmë dhe shtëpinë.
“Marrin donacione për bujqësinë dhe shkonin, e shisnin atë dhe largohen”, tregon ai./Media Ndërtimi.