Aktuale
Pastrohen shtretërit e lumenjve për parandalim të vërshimeve
Pastrimi i shtretërve të lumenjve shihet si domosdoshmëri për parandalimin e përmbytjeve dhe përmirësimin e situatës së kullimit. Ky ishte objekti i inspektimit të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Peleshi, në qarkun e Lezhës në zonën e degës së Drinit.
Gjatë dy viteve të fundit nga Bordit i Kullimit dhe nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit të Qarkut Lezhë është bërë pastrimi i një segmenti rreth 8,2 km.
Me përfundimin e segmentit të fundit prej 13 km, i cili sipas ministrit Peleshi nuk kërkon një investim shumë të madh, rreth 50 milion lekë të reja, zona prej 10 mijë hektarësh në fushën e Zadrimës do të jetë e mbrojtur nga përmbytjet.
“Kemi bërë ndërhyrje të segmentuara, për të pastruar kanalet ujitëse dhe kulluese në vite dhe kemi shpenzuar shumë e më shumë pastaj për të eleminuar pasojat e përmbytjes, ndërkohë që me pak fonde, me pak lekë, nëqoftëse do të investojmë në mënyrë të zgjuar, siç po më thonë inxhinierët dhe specialistët që punojnë prej vitesh në ujitje dhe kullim, ne kemi mundësi, që duke e marrë skemën nga fillimi deri në fund, ta pastrojmë dhe pastaj të shmangim dhjetëfish investime për të eliminuar pasojat e përmbytjeve. Kështu që po investojmë jo vetëm më shumë në ujitje dhe kullim, por edhe më mirë edhe në mënyrë më inteligjente”, theksoi Peleshi.
Ministri Peleshi kërkoi gjithashtu edhe bashkëpunimin e komunitetit, duke përmendur edhe raste konkrete ku kanë qënë banorët ata që kanë ngadalësuar ndërhyrjet e Drejtorisë së Kullimit.