Aktuale
Haradinaj kërkon më shumë investime amerikane, OEA i jep rekomandime për zhvillim të sektorit privat
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot ka pranuar një dokument nga Oda Ekonomike Amerikane, me rekomandime konkrete për zhvillimin e sektorit privat.
Kjo u bë gjatë një takimi që pati Haradinaj me përfaqësues të kompanive më të mëdha amerikane në Kosovë, në kuadër të Odës Ekonomike amerikane.
Këto kompani dhe përfaqësitë e tyre, ofrojnë punësim për rreth 25 mijë punonjës kosovarë dhe kanë qarkullim vjetor prej 2.5 miliardë euro.
Derisa i ka ftuar kompanitë amerikane që të vazhdojnë partneritetin në Kosovë, Haradinaj edhe njëherë ka theksuar se do të fokusohet në inkurajimin e tregtisë dhe prodhimit, si dhe investimeve.
“Në këtë takim u diskutuan disa nga temat kryesore me anë të të cilave do të hapej rrugë për zhvillim ekonomik, investime të reja si dhe rritje buxhetore: gjyqësor funksional dhe të besueshëm, ngritja e kapaciteteve njerëzore, mbrojtja e prodhimit, kontrolli i kualitetit në të gjitha produktet, nismat për reforma ligjore në fusha të ndryshme, si dhe nevoja e sigurimit me furnizim stabil me energji elektrike në Kosovë.”, thuhet në kumtesën e Kryeministrisë.
Në takim gjithashtu, u arrit pajtueshmëri që themelimi i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ishte shumë e nevojshme, duke i ofruar rinisë së Kosovës mundësinë që të jenë pjesë e zhvillimit si pjesa tjetër e botës.



