Një projekt afat gjatë kërkimor-studimor pritet të nis këtë verë në Parkun Arkeologjik “Ulpiana”.
Projekti “Misioni Arkeologjik Evropian në Kosovë: nga Ulpiana në Iustiniana Secunda”, në vlerë prej 1 milion eurove i Bashkimit Evropian me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporti, gjatë tri viteve do të synojë të zbulojë rrënojat e qytetit të dikurshëm antikë të Ulpianës.
Ky projekt i financuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga MKRS u promovua nga shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe zëvendësministrja e MKRS-së Daulina Osmani, gjatë një vizite që bënë në lokalitetin e Ulpianës, më 18 prill në Ditën ndërkombëtare të monumenteve dhe lokaliteteve arkeologjike.
Përmes këtij projekti tre vjeçar, institucionet kosovare të trashëgimisë kulturore synojnë zbulimin e rrënojave dhe themeleve të ndërtesave dhe strukturave të shumta sakrale, profane dhe utilitare, e të identifikuara rishtazi dhe ndër vite e që tashmë do të njihet si sektori i katërt i Ulpianës.
Lokaliteti arkeologjik i Ulpianës përfshinte një sipërfaqe të gjerë të qytetit antik prej afërsisht 100-120 hektarësh.
Kjo e dhënë është konfirmuar edhe falë rezultateve të prospektimeve-incizimeve gjeofizike.
Arkeologu Milot Berisha, përgjegjës në Parkun Arkeologjik të Ulpianës, ka thënë në një bisedë për Kallxo.com se projekti “..nga Ulpiana në Iustiniana Secunda” që do të realizohet edhe me mbështetje nga një partneritet bashkëpunimi midis Institutit të Arkeologjisë të ENS-Paris, Universitetit të La Sapienza në Romë, Institutit Arkeologjik të Kosovës dhe Universitetit të Prishtinës, synon zgjerimin në mënyrë graduale të Parkut Arkeologjik të Ulpianës./Media Ndërtimi.