Aktuale
Inspektorati i Punës gati me masa më të ashpra për ndërtimtarë
Edhe pse fatmirësisht vdekjet në vendin e punës në sektorin e ndërtimtarisë kanë shënuar rënie, siguria e punëtorëve në vendin e punës nuk po konsiderohet ende në nivelin e duhur.
Duke qenë se ende nuk po krijohet siguri për këta punëtorë, Inspektorati i Punës, i cili gjatë sezonit të verës ka shtuar kontrollet në terren, në ndërmarrjet e ndërtimit, si masë ka rritur numrin e gjobave.
Vetëm gjatë këtij viti janë shqiptuar 143 gjoba për mungesë të kushteve që do të ofronin siguri në punë.
Kryeinspektori, Basri Ibrahimi, në një intervistë për Ndërtimi.info derisa ka treguar numrin e gjobave të shqiptuara, ka thënë se do të ashpërsohen masat e ndëshkimit.
“Ne kemi provuar edhe me gjoba. Sigurisht që i kemi intensifikua gjobat. Nëse vitin e kaluar kemi pasur 130 gjoba, këta tetë muaj kemi 143, që d.m.th. e kemi rritë numrin e gjobave. Kjo për arsye se ne për çdo vit kemi provuar metodologji të ndryshme që të ndikojmë tek punëdhënësi, që të ngritët vetëdija e tyre dhe që më me seriozitet dhe përkushtim ta marrin çështjen e sigurisë në vendin e punës. Po shihet që e ka dhënë një rezultat të vetin, por do të vazhdojmë me këtë që edhe ne vitin e ardhshëm dhe gjatë këtyre muajve do të vazhdojmë me ashpërsimin e masave, sepse e kemi parë që nuk është dhënë rezultati që ne e kemi prit”, ka thënë ai.
Ai, ka shtuar se edhe vetë punëtorët e ndërtimtarisë nuk kujdesen për sigurinë personale në punë. Kjo sipas tij, pasi punojmë pa mjete personale mbrojtëse.
“Çdo ditë rrugës duke kaluar e shohim që përkundër insistimit të inspektoratit të punës nuk u shkon në terren. Këtu nuk është vetëm punëdhënësi, fatkeqësisht është edhe punëtori, i cili është neglizhont në vendin e punës, sepse nuk e merr me seriozitet që edhe atij mundet t’i ndodh diçka. Po i përcjellim gjatë rrugës, po i shohim pa pajisje personale mbrojtëse, që është më elementarja. Nuk është esenca apo pika kryesore e sigurisë dhe shëndetit në punë pajisjet personale mbrojtëse, por është fillimi dhe janë a,b,c e sigurisë dhe shëndetit në punë. Ne i shohim çdo ditë pa helmeta, pa rrypa të sigurisë e kështu me radhë”, ka shtuar ai.