Gjatë vitit 2015 dhe 2016 në Kalanë e Novobërdës janë kryer punim për restaurim – konservimin e kësaj kalaje. Punimet janë kryer si mos më keq nga firma beogradase, “Koto”.
Gjatë kësaj kohe dyshohet se janë marrë artefakte – materiale arkeologjike pa dijeninë e institucioneve kosovare, të cilat janë dërguar në Serbi, raporton Kallxo.com.
Gjetje nga punimet në kala, gjatë atyre viteve janë përdorur për një botim nga disa autorë serbë në revistën “Journal of Archaeological”, në fund të 2021.
Duke përforcuar kështu dyshimet për kontrabandim të artefakteve apo materialeve arkeologjike të gjetura gjatë restaurimit të Kalasë së Novobërdës.
Institucionet kosovare nuk kanë përgjigje se si ka përfunduar materiali arkeologjik në Serbi, mbi të cilin studiuesit serbë kanë bërë punimin.
Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë thënë për Kallxo.com se nëse vërtetohen dyshime për kontrabandim të artefakteve apo materialeve arkeologjike do të ketë masa ligjore ndaj përgjegjësve.
“Natyrisht, kjo nga ana e MKRS-së nuk do të kalojë pa adresim të përgjegjësisë ligjore për kryerësit e veprimeve eventuale të kundërligjshme ashtu sikurse do të vlerësohet edhe zbatimi ose jo me sukses i detyrave mbikëqyrëse të institucioneve tona vartëse e personave përgjegjës në këto institucione”, deklaroi Fetiu.
Instituti Arkeologjik i Kosovës ka qenë përgjegjës për mbikëqyrjen teknike të punimeve në restaurimin e Kalasë së Novobërdës, gjatë 2015/16.
Enver Rexha, drejtor i këtij instituti, ka thënë për KALLXO.com se nuk është në dijeni nëse artefakte nga Novobërda janë kontrabanduar për në Serbi.
Ai ka thënë se punimi i autorëve serbe në “Journal of Archaeological”, bazohet në materiale të cilat nuk janë artefakte.
Rexha thotë se gjatë restaurimit të kalasë nuk janë bërë gërmime arkeologjike, por pastrimi dhe depozitimi i materialit të rënë shekullor brenda kalasë, për të realizuar konservim-restaurimin./Media Ndërtimi.