Aktuale
Edi Rama emëron zv.ministrin e Mjedisit nga Kosova
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot ka publikuar emrat e zëvendësministrave në Qeverinë e tij.
Ndër të tjerë, pikasen edhe dy emra që vijnë nga Kosova. I pari është zëvendësministri i Turzimit dhe Mjedisit, Hajrulla Çeku, transmeton Ndertimi.info.
Çeku për shumë vite ka qenë pjesë e shoqërisë civile në Kosovë, duke udhëhequr organizatën “Ec Ma Ndryshe” dhe jo vetëm.
Ai ka qenë një nga zërat kryesor në mbrojtje të Zonës së Trashëgimisë Kulturore në Prizren. Tash e tutje ai do të jetë zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit në Tiranë.
Kurse, zëvendësministrja e dytë është Valbona Shujaku. Ajo do të jetë zëvendësministre në digasterin e Ministrisë së Kulturës.
Rama gjithmonë ka pasur në stafin e tij të afërt njerëz nga Kosova. Mbahen mend Shkelzen Maliqi, i cili kishte këshilluar kryeministrin Rama për marrëdhëniet në Ballkan, e më pas edhe Lulzim Rafuna.
Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati është këshilluar nga profesori shqiptar në Paris, Nezir Kraki.
Gjithashtu, kryeministri Rama sot ka emëruar si zëvendësministre të Arsimit në qeverinë shqiptare, kosovaren Besa Shahinin.
Shahini me të marr detyrën ka shkruar në faqen e saj në facebook, ku thotë ndihet e nderuar me këtë post ku ka theksuar se punën e saj në Shqipëri e sheh si themelim të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Shqipërisë duke tejkaluar kufijtë e interesit të përfitimit të përbashkët të shqiptarëve.
“Ndihem e nderuar që puna ime e deritanishme në fushën e arsimit vlerësohet si aset në qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Shpresoj që kontributi im të çojë tek përmirësimi i mëtutjeshëm i shkollave dhe arsimit në Shqipëri. Marrë parasysh që standardet e arsimit shqip vendosen në Tiranë, arritjet atje domosdoshmërisht do të ndikojnë në përmirësimin e arsimit në Kosovë dhe vendet e tjera shqipfolëse në rajon. Punën time në Shqipëri e shoh si thellim të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe tejkalim të kufijve në interes të përfitimit të përbashkët të shqiptarëve”, ka shkruar Shahini.