Pagat e ulëta, orari i stërzgjatur i punës, si dhe pasiguria në vendin e punës, janë disa nga problemet që po largojnë punëtorë nga Kosova drejt vendeve evropiane, thonë përfaqësuesit e punëtorëve në sektorin privat dhe disa punëtorë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë.
Këto probleme të punëtorëve identifikohen kryesisht në sektorin privat në Kosovë, i cili është punëdhënësi më i madh, me më shumë se 220 mijë të punësuar.
Në sektorin publik, ku llogaritet se janë të punësuar më shumë se 80 mijë persona, vlerësohet që kushtet e punës janë më të mira dhe me pagë më të lartë sesa në sektorin privat.
Paga mesatare bruto në sektorin publik është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro, shkruan Radio Evropa e Lirë.
“Punëtorët në sektorin privat janë të zhgënjyer nga kushtet e punës që u ofrohen në Kosovë. Kushtet e punës në sektorin privat janë në nivelin më të ulët për vite me radhë. Kjo ka bërë që shumë prej tyre të synojnë largimin nga Kosova”, thotë Jusuf Azemi, përfaqësues i punëtorëve në sektorin privat.
Erijon Shala nga Istogu, 19 vjeç, ishte njëri nga ata i cili synonte të largohet nga Kosovë drejt Gjermanisë, për shkak të pagës së ulët që merrte nga një kompani private, ku ai punonte si automekanik.
“Për më shumë se tetë orë punë jam paguar 15 euro, atje [në Gjermani] do të paguhem 17 euro për orë”, tha Erijoni.
Derisa Erjoni thoshte se po ikte për një pagesë më të mirë, një i ri tjetër i cili nuk dëshironte të identifikohej, thotë se është orari i stërzgjatur i punës dhe puna pa kontratë arsyeje e largimit të tij nga Kosova.
“Kam punuar nga ora 08:00 deri në orën 18:00 gjashtë ditë në javë në sektorin e ndërtimit. Kjo është arsyeja që dua të largohem nga Kosova. Jam paguar për këtë punë 625 euro”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e kushteve të favorshme të punësimit dhe pamundësia për t’u punësuar në profesionin e tyre kanë ndikuar ndër vite në largimin e të rinjve nga vendi.
Për këtë, shton Kryeziu, për Qeverinë e Kosovës prioritet është punësimi, sidomos i të rinjve dhe grave. Qeveria synon të arrijë këtë përmes nxitjes së investimeve të huaja në vend që do të krijonin vende të reja të punës dhe nëpërmjet reformave në sistemin e arsimit.
Në fund të muajit janar, shton Kryeziu, me vendim të Qeverisë, është themeluar Komisioni Ekzekutiv për zhvillimin e sistemit të arsimit dhe aftësimit profesional kundrejt nevojave të tregut të punës në Kosovë.
“Roli i Komisionit do të jetë shumë i rëndësishëm për reformimin dhe harmonizimin e sistemit të arsimit dhe aftësimit profesion”, thotë Kryeziu.
Në vitin 2021, shkalla e papunësisë në Kosovë ka qenë afro 26 për qind. Krahasuar me vitin paraprak, ka pasur rritje për 0.8 për qind. Shkalla e papunësisë te të rinjtë është 48.6 për qind, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës./Media Ndërtimi.