Në edicionin e 4-të u nderuar në SHARE Tirana 2022, Tamara EFTIMI me çmimin SHARE OPERA OMNIA, në mirënjohje të kontributit të çmuar në fushën e arkitekturës dhe planifikimit urban, të kërkimit shkencor dhe teknologjik, dhe si një nga personalitetet më të spikatura për më tepër se katër dekada, në sferën akademike, influente aktive dhe kontribuese për shumë breza arkitektësh të rinj dhe profesionistë të konsoliduar.
Tamara Eftimi është diplomuar në vitin 1969, në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, Dega “Ndërtime Qytetare dhe Industriale”. Më tej ka vijuar të zhvilloj praktikën e saj në nivel akademik duke filluar nga viti 1969, si Asistente në Katedrën e Rezistencës Materiale dhe Pedagoge në Katedrën e Arkitekturës, në Universitetin e Tiranës.
Duke filluar nga viti 1974, deri në vitin 1986, ka bashkërenduar angazhimin e saj akademik, me atë të Projektueses Arkitekte pranë “Institutit të Veprave Industriale” dhe “Institutit të Studimit dhe Projektimit të Arkitekturës dhe Urbanistikës Nr.1” Tiranë.
Përgjatë kësaj kohe ka ndjekur specializime pas universitare shumëdisiplinore, ku vlen të përmendet në vitin 1983, specializimi ne Paris, mbi: “Projektimin e Studiove Televizive dhe Qendrave Kulturore”, e cilësuar si e vetmja arkitekte shqipëtare dhe eksperte, në njohjen e plotë shkencore dhe teknologjike mbi studimet akustike.
Në kërkim të një sistemi alternativ modern, ndaj asaj cfarë mbetej tradicionale në mjedisin dhe njohuritë e kufizuara akustike vecanërisht, Tamara Eftimi u bë ideatore, bashkëautore dhe konsulente shkencore e disa prej projekteve më të rëndësishme publike të kohës si: Projekti i Studiove të Zërit, në Kinostudion “Shqipëria e Re”, Projekti i trajtimit akustik të Sallës së Filmit në Ndërmarrjen “Libër-Film”, Projekt-ide teknologjike e zgjerimit perspektiv të RadioTelevizionit Shqipëtar, Projekti akustik i Sallës së Orkestrës Sinfonike dhe të Sallave të Korit dhe Ansamblit Popullor në Teatrin e Operas dhe Baletit, Projektet e trajtimit akustik në Teatrin e Operas dhe Baletit, etj.
Hulumtuese, me kombinimin e vlerave dhe cilësive jo të zakonshme, me vizionin e një arkitekteje kontribuese dhe në mjedisin urban dhe atë komunitar, në vitin 1993, i besohet pozicioni si: Anëtare e Rrjetit Europian të Kërkimit në Fushën e Banesave, (E.N.H.R Europian Netëork for Housing Reseach), ndërkohë më pas ndjek në vitin 1996, specializimin mbi “Probleme të Planifikimit të Zonave të Banimit dhe Projektimin e Banesave Kolektive”, Montpellier, Francë.
Në vitin 1997, i besohet pozicioni si Rektore e Universitetit Politeknik të Tiranës dhe njëkohësisht pedagoge në Departamentin e Urbanistikës dhe Arkitekturës, momente që kanë mbetur në memorien e brezave që patën fatin të jenë pranë, nën një komunikim të gjallë, një vizion kritik dhe konstruktiv, me një prani e pakursyer dhe të shkëlqyer.
Nuk mundesh dot me një analizë të përcaktosh nëse Prof. Dr.Tamara EFTIMI, ishte një arkitekte më e vyer në spektrin akademik, apo si arkitekte projektuese, hulumtuese shkencore, kulturologe, dhe pse për mjedisin e arkitektëve mbetet si një nga portretet më të rëndësishme publike akademike me jehonë aktuale.
Ne vitin 2002 Prof. Dr.Tamara EFTIMI nderohet me çmimin, “KALORËS I PALMAVE AKADEMIKE” Akorduar nga Ministria e Kulturës, së Francës.
Me një kontribut të lartë shoqëror, në vazhdim të një forme tjetër, në rrethin e studiuesve dhe ekspertëve skurpuloz, bëhet pjesë prej vitit 1997-2003 si, Anëtare e Komisionit të Politikave Shkencore dhe Teknologjike, pranë Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë;
Anëtare e Bordit Kombëtar të Programit TEMPUS;
Anëtare e Konferencës së Rektorëve të Universiteteve të Shqipërisë;
Anëtare e “Komitetit të Alliances Française”;
Anëtare e “Agjensisë Kombëtare të Frankofonisë”;
dhe prej vitit 1997, Kryetare e Seksionit për Shkencën dhe Teknologjinë pranë Komisionit të UNESCO-s në Shqipëri, pozicion ky deri në vitin 2003.
Ne vitet 2003 – 2013, nga arkitekte e fjalës së shkruar dhe ndarë, mendimit shkencor dhe jo vetëm, Prof. Dr.Tamara EFTIMI i rikthehet arkitekturës – me kohën që ja ka kursyer për shumëçka dhe fanatizmin se koha shperblehet dhe të kthen pas gjithmonë atë që të përket.
Bashkëthemeluese dhe Drejtuese Teknike e studios së projektimit Atelier4, arkitektja Tamara EFTIMI, ka lënë pas një pasuri veprash arkitekturore, studimesh dhe projektesh të rëndësishme publike dhe private, të cilat me gjithë vështirësitë e një tranzicioni të vazhdueshëm mbajnë gjurmën e një projektuese të admirueshme bashkëkohore, kontekstuale, alternative dhe shpesh monumentale, e vetëdijshme se arkitektura nuk është thjesht çështje strehe./Media Ndërtimi.