Ndërsa Victor Hugo pranon se koha dhe natyra luajnë një rol të rëndësishëm në shkatërrimin e vlerave të trashëgimisë, ai argumenton se fajtorët e vërtetë janë arkitektët dhe moda.
Nga ana tjetër, përpjekja dhe qëndrimi i Hugos për të mbajtur një ndërtesë kaq të rëndësishme, e cila shërben si urë lidhëse midis së shkuarës dhe së ardhmes, kontribuoi në zhvillimin e teorisë së konservimit në arkitekturë.
Kalaja e Prizrenit, e cila ka një rol të rëndësishëm në memorien kolektive të Prizrenit, pra në memorien urbane, përveç që është një referencë e rëndësishme e historisë së pasur të qytetit, është edhe një hapësirë urbane që është adoptuar nga qytetarët, duke iu dhënë atyre ndjenjën e përkatësisë.
Me fjalë të tjera, kalaja është i vetmi artefakt historik që në sytë e qytetarëve nuk përfaqëson asnjë identitet apo ideologji në qytetin e Prizrenit.
Për këtë arsye, është shumë i rëndësishëm hulumtimi, restaurimi dhe përfshirja e kalasë në jetën e përditshme, e cila ka një vend të tillë në kujtime dhe zë një vend të rëndësishëm në nxjerrjen në pah të qytetit.
Në këtë pikë, çfarë informacioni zbulojnë të dhënat e marra si rezultat i hulumtimit të kalasë, çfarë strategjish janë miratuar për ndarjen e këtij informacioni me qytetarët dhe pyetje të tjera, të tilla: si planifikohen dhe zbatohen punimet përmirësuese dhe restauruese të kalasë, e cila mund të përkufizohet si një nga vlerat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore; çfarë hapash ndërmerren për integrimin e kalasë në jetën e përditshme etj., janë çështje të rëndësishme të cilat duhet të ngriten, të vihen në tryezë dhe të diskutohen.
Për të gjetur përgjigje për këto pyetje, së pari duhet të fokusohemi në rëndësinë historike të kalasë dhe në procesin e restaurimit, e më pas edhe tek studimet dhe përdorimin aktual.
Kalaja, e cila bart historinë e qytetit në parahistori dhe i jep formë imazhit dominues të qytetit me fisnikërinë e saj, mbeti e izoluar dhe pasive nga përditshmëria e qytetit të Prizrenit për rreth një shekull, para se të bëheshin restaurimet aktuale.
Ky proces, siç u theksua më parë, shkaktoi shkatërrimin e kalasë dhe shembjen e pjesshme të saj. Megjithatë, një nga çështjet e rëndësishme që nuk duhet harruar është se në shkatërrimin e kalasë, përveç faktorëve natyrorë, ka luajtur rol edhe vetë dora e njeriut.
Në këtë kontekst, mund të thuhet se Kalaja e Prizrenit, e cila ka qenë shtëpi e qytetërimeve të ndryshme ndër shekuj, duke ndryshuar vazhdimisht dhe duke shtuar struktura të reja, me disa pjesë të shembura dhe të transformuara, filloi të humbasë identitetin e saj si me ngjarjet e plaçkitjeve ashtu edhe me restaurimin. Në këtë pikë, dora e njeriut dhe disa ndërhyrje (rinovimi-restaurimi) janë përgjegjëse për humbjen e identitetit të kalasë.
Qasja e Victor Hugo në veprën ’’Katedralja e Parisit’’ (The Hunchback of Notre-Dame), mund të merret si shembull për të kuptuar më mirë rëndësinë e një ndërtese monumentale si dhe shkatërrimet fizike e semantike të shkaktuara nga faktorët. Katedralja e Notre-Dame, e cila ishte në prag të rrënimit në fillim të shekullit të 19-të si pasojë e neglizhencës dhe ndërhyrjeve të gabuara, si dhe nga dëmtimet që mori gjatë Revolucionit Francez, mund të thuhet se u shpëtua nga shkatërrimi me përpjekjet e Victor Hugo. Në libër, tema e nënvizuar nga Victor Hugo është se kjo strukturë monumentale ka vend në kujtesën sociale dhe duhet ruajtur pa iu nënshtruar asnjë manipulimi./Media Ndërtimi.
Autor i shkrimit është Hadis Abdula. Artikull i publikuar në Prizmamedium.com