Këtë muaj, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit lidhur me ndërtimin e Autostradës Prishtinë- Han i Elezit.
Në aktakuzë, të cilën Kallxo.com e ka siguruar, Prokuroria Speciale jep detaje për zbatimin e këtij projekti me ç’rast pretendohet se të pandehurit kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Pal Lekaj në cilësinë e kryesuesit të Komitetit Ndërministror (KDNM) dhe ministrit në Ministrisë e Infrastrukturës, së bashku me sekretarin e kësaj Ministrie, Nebih Shatrin dhe drejtorin e Prokurimit Publik, Besim Tahirin, nënshkruajnë marrëveshje me kompaninë “Bechtel & Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë por pa përcaktuar koston financiare.
Si pasojë e këtyre veprimeve të të pandehurve, sipas aktakuzës, buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38.321.346.00 euro.
Prokuroria Speciale sqaron se ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje nënshkruajnë një marrëveshje të re pa kosto, shkruan Kallxo.com.
Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.“
Të pandehurit në emër të Ministrisë së Infrastrukturës dhe ndërmarrjes „Bechtel & Enka” kanë nënshkruar marrëveshje për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve saktësisht edhe për 347 ditë të tjera, duke mos e përcaktuar koston financiare, veprim ky qe i lë hapur mundësinë “Bechtel & Enkas” që të kërkojë shumën në vlerë prej 63 milionë euro e cila kërkesë më pas ka zbritur në vlerën prej 53 milionë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Në këtë mënyrë, të pandehurit, sipas Prokurorisë, injorojnë në tërësi opinionin e kompanisë “Hill International”, madje Lekaj thuhet se fare nuk e kishte prezantuar në takimet e Komitetit Ndërministror, të mbajtura për këtë qëllim.
Sipas Pal Lekajt, kontrata ishte nënshkruar nga Qeveria e mëparshme. Gjithashtu, ai ka potencuar se i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura, mirëpo problemet me projektin ishin shfaqur si rezultat i vonesave të pagesave nga ana e Qeverisë.
Edhe të pandehurit Nebih Shatri dhe Eset Berisha kanë mohuar faktin e kryerjes së veprës penale.
Nebih Shtari, përpara Prokurorisë ka deklaruar se ai e kishte nënshkruar marrëveshjen mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe “Bechtel&Enkas” për zgjatjen e afatit si dhe kjo marrëveshje, sipas Shatrit, nuk kishte përmbajtur koston financiare.
Mirëpo, Shatri është mbrojtur duke thënë se marrëveshjen e ka nënshkruar duke pasur besim të plotë te ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj.
Ndërkaq, Eset Berisha, në Prokurori ka deklaruar se në kohën e zbatimit të projektit të ndërtimit të autostradës, ai kishte qenë këshilltar i ministrit Pal Lekaj. Në këtë mënyrë përveç këshillimit ai nuk kishte pasur detyra dhe përgjegjësi në këtë projekt./Media Ndërtimi.